Shkollë mes varreve. Nxënësit e Margegajt mes dijes e vdekjes…

    405
    Çdo ditë nxënësit e shkollës 9-vjeçar Margegaj të komunës me të njëjtin emër si panoramë nga dritaret e tyre kanë varrezat e fshatit. Një gjë e tillë ndodh pasi ato janë ngjitur me ndërtesën ku ata arsimohen, madje i ndan vetëm muri i shkollës. Rastet kur zhvillohen varrimet, duke nisur nga hapja e gropave, kryerja e ceremonive, vajtimet e të tilla veprime janë bërë të përditshme për ta, madje nëse i pyet shprehen se janë mësuar e nuk u bën më shumë përshtypje. Por, nuk mendojnë kështu prindërit dhe mësuesit. Të parët shprehen se një shkak për braktisjen e kësaj shkolle është edhe fakti që ndërtesa ndodhet pranë varrezave ndërkohë që shkolla frekuentohet nga fëmijë të moshës 6-15 vjeç e mësuesit thonë që një gjë e tillë ka ndikim jot ë mirë tek nxënësit… Gjatë bisedave me nxënës ata thonë se prindërit që i dërgojnë fëmijët në shkollat e qytetit janë kryesisht ata që punojnë në institucione të ndryshme. E pavarësisht se për shkollën shprehen me konsiderata edhe prindërit, një gjë e tillë nuk e ka ulur fluksin e nxënësve që janë larguar nga shkolla. “Karakteristikë” e saj është pikërisht ndërtimi pranë varrezave të fshatit. Në biseda me nxënës, prindër, mësues dhe drejtues të arsimit në rreth mësojmë se shkolla është ndërtuar para 25-30 vjetësh si shkollë bujqësore në fillim, pastaj deri në vitin 1996 ka qenë e profilit të përgjithshëm. Duke qenë se ishte në qendër të fshatit Margegaj dhe ka një shtrirje gjeografike të përshtatshme, projektuesit dhe ndërtuesit siç duket nuk e kanë studiuar bashkëjetesën e shkollës me varrezat. Pyetjes se sa ndikojnë tek ata ceremonitë mortore, ndërkohë kur ka raste që varrimet edhe kur zhvillohet mësimi, nxënësit u përgjigjen se janë mësuar dhe tani nuk u bën përshtypje. Gjithsesi ata thonë se po të vazhdonte mësimi edhe pasdite kur ceremonitë kryhen më shpesh, do të preferonin të mësonin në shkollat e qytetit. Ndërsa mësuesit me përvojë thonë se mësimi në shkolla pranë varrezave ndikon në psikologjinë e nxënësve. Shkelzeni, psikolog, sqaron se një gjë e tillë ndikon shumë tek fëmija, sidomos kur varrimet bëhen në kohën e mësimit. Britmat, qarjet me zë, transporti i të vdekurve, hapja e varreve mbeten në kujtesën e fëmijëve për shumë vite, çka ndikon në formimin psikologjik të tyre. Pra, rriten me ndjenjën e kobit të vdekjes. Ndërkohë mësohet se dikur në këto anë, kur kishte vdekje në familje, fëmijët i largonin nga shtëpia për disa ditë dhe kujdeseshin të afërmit për ta. Artani, banor i fshatit , shprehet se shkolla po braktisur dhe një arsye mund të jetë edhe pozicioni i funksionimit të saj pranë varrezave. Por gjatë hulumtimit të këtyre rasteve në Tropojë janë konstatuar se disa shkolla janë ndërtuar pranë varrezave publike. Kështu në fshatin Visoçë të komunës Bytyç, shkolla fillore e këtij fshati është ndërtuar mes varreve. Fshatarët shprehen se disa herë kanë kërkuar që të zhvendoset në një ambient tjetër, por nuk është marrë parasysh nga komuna, as nga zyra arsimore. Ndërtimi i shkollave afër varrezave, ka një domethënie, shprehen drejtues të zyrës arsimore. Zakonisht, thonë ata, në anët tona varret ndërtohen në mes të fshatit e po kështu edhe shkollat. Për të ruajtur shtrirjen gjeografike të vijimit të mësimit ndërtesat janë në qendrat më të populluara. Mësohet se përveç shkollës 9-vjeçare Margegaj, asaj në Visoç që u përmend më lart, edhe disa syresh janë ndërtuar pranë varrezave, si shkolla 9-vjeçare Shëngjergj, e shumë shkolla të tjera në komunën Lekbibaj, apo shkolla fillore e 9 vjeçare në komunat Fierzë, Bujan, Bytyç, Tropojë Fshat ,etj.
    Sigal