Rrëzohet premtimi i Rilindjes për shërbimin shëndetësor në Tiranë

    358
    Sigal

    Rrumpalla në shërbimin shëndetësor të Tiranës, me sa duket, do i vërë kapak skandaleve pa fund që kanë shpërthyer në sistemin shëndetësor në Shqipëri. Me sa duket, premtimi i koalicionit të Rilindjes për tarifa, spitale plot me ilaçe, shërbime falas, etj., po rrëzohen një e nga një dhe më i fundit është largimi nga qendra i Drejtorisë së Higjienës dhe Epidemiologjisë. Të gjithë e dimë dhe e njohim se atje, tek Liceu Artistik, bëhen analizat e ujit, helmimeve dhe shërbimet për shqetësime që konsumatorët ndjejnë çdo ditë. Po çfarë po ndodh? Flitet se këto zyra i ka kërkuar Inspektorati Shtetëror Shëndetësor dhe aty do qëndrojnë specialistët që do ndalojnë pirjen e duhanit në lokale. Po mirë, ne këta inspektorë i kemi për punë zyrash, apo për në teren dhe atje ku duhet të gjejë zbatim ligji?! Për banorët e kryeqytetit ky do të jetë zhgënjimi më i madh nga Rama dhe kjo për faktin, sepse veteranët, hallexhinjtë dhe njerëzit në pamundësi shkojnë tek ky institucion dhe dërgojnë ushqime për analiza kur kanë vënë re se kanë pasur problem, ujin e çezmës kur ka pasur probleme si erë, ngjyrë etj.. Por largimi i institucionit dhe zyrave të administratës në periferi të Tiranës do të përbëjë një turp që nuk do ketë justifikim, megjithëse flitet se kjo do jetë faza e parë e privatizimit të ndërtesës nga Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqja. Larg qoftë, të ndodhë që indinjata e Tiranës mos të përmbahet dot! Por, le t’i kthehemi fakteve: Nëse një laborante nuk pranon të pranojë një analizë, apo një denoncim se diku ka plasur tubi i ujit, ku do ankohet ky qytetar? Të shkojë tek zyrat që janë rrëzë malit të Dajtit? Sigurisht, që kjo është e papranueshme. Mesa duket, drejtuesit e Inspektoratit i kanë mbushur mendjen Ministrit dhe harrojnë se dalëngadalë bëjnë të pakënaqur qindra qytetarë dhe fusin në konflikte edhe vetë aleancën e Rilindjes (PS-LSI ), aq shumë të mirëpritur nga e djathta. Në zyrat e sotme ka radhë pa fund për nëpunësit e administratës, kopshteve, çerdheve, shkollave dhe profileve që kërkojnë domosdoshmërinë e kartelave shëndetësore. Si ka mundësi që të bëhen analizat tek Higjiena dhe të pritet sa këto letra apo libreza të shkojnë për firmë tek drejtoria në malin e Dajtit dhe të vinë përsëri tek qendra ( Drejtoria e Higjienës) dhe në fund t’u jepet qytetarëve, të cilët shërbimin e paguajnë, por kohën nuk e kthejnë dot mbrapsht. Atëherë, përse gjithë këto zullume dhe kjo katrahurë? Për t’i dhënë një zyrë në qendër Inspektorit të duhanit Eltar Deda? Turp dhe faqja e zezë, për shtetin, i cili do përballet me pakënaqësitë artificiale të këtyre njerëzve, që për një karrige kërkojnë të fusin në sherr Ramën me Metën, pasi njëri është i PS-së dhe tjetri i LSI-së. Eltar Deda pasi dështoi në Vlorë do ndalojë duhanin në lokalet e Tiranës. Nga muaji tjetër ne do shohim dështimin e zbatimit të këtij ligji nga drejtues, që i është gjetur një vend pune. Inspektorati Shtetëror e ka vendin atje, ku sot është edhe Instituti i Shëndetit Publik, pasi janë në të njëjtën linjë dhe aty ka edhe laboratorë për të matur dhe kontrolluar, jo vetëm tymin e duhanit, por edhe helmet, tymrat nga shërbimet e ndryshme ushqimore dhe tregtare. Besimin e Kryeministrit Rama, Kryeinspektori Shtetëror duhet ta kthejë në punë konkrete dhe jo të merret me kulisa, pasi zyrat janë të shtetit, karrigia është e shtetit dhe Inspektorët kanë vetëm menderen të tyret.