Tri skandale kulturore turpi, që vazhdojnë

535
Sigal

Janë disa episode sjelljesh absurde, të cilat, edhe pse krijojnë skandale e turpe në qëndrimin ndaj vlerave historike, kulturore e muzeale kombëtare e ndërkombëtare me simbol përfaqësimi shqiptar, nuk përbëjnë aspak shqetësim për zyrtarët dhe specialistët që kanë detyrimin të përkujdesen për mbrojtjen dhe vlerësimin e tyre. Indiferenca ka bërë, që këto vlera të përdhosura, të promovohen banalisht në sy të vizitorëve të huaj, ndërkohë që ne qytetarët që brezat na i kanë krijuar e lënë dhuratë të çmuar këto vlera të mëdha, çuditërisht ambientohemi me përdhosjen e tyre dhe heshtim. Për më tepër, skandali thellohet kur nuk ka asnjë reagim edhe pas bërjes prezent të tyre në institucionet përgjegjëse. Po flasim për tri skandale të tilla, në lidhje me bastardimin e vlerave kulturore e historike kombëtare…

 Selia e ish-qeverisë “Noli” në Tiranë, shërben si kabinë e CEZ

 Nuk ndodh në ndonjë përrua të ndonjë komune, as në ndonjë qoshe qyteti periferik, por në qendër të Tiranës, madje në hyrje të Parlamentit Shqiptar, atje ku kalojnë çdo javë e “qajnë” për hallet tona e të atdheut 140 “baballarët dhe profesorët e kombit”. Është fjala për një objekt historik, me vlera të mëdha kulturore, i cili është kthyer në ndërtesë shërbimesh publike. Konkretisht, këtë fat turpi ka pësuar selia e ish-Qeverisë “Noli”. Prej shumë vitesh, ajo vazhdon të shërbejë si kabinë elektrike e CEZ, i cili nëpërmjet kësaj selie historike të kthyer në kabinë elektrike, furnizon me energji Parlamentin dhe Akademinë e Shkencave. Si pronësi faktike, kjo seli është pronë e CEZ, si gjithë kabinat e tjera elektrike. Zyrtarisht në inventar, selia e ish-qeverisë “Noli” është në pronësi të Institutit të Monumenteve të Kulturës. Prej këtij instituti, si për t’u tallur është vendosur edhe tabela me mbishkrimin “Monument kulture, ruhet nga shteti”. Por pikërisht prej shtetit, ajo është kthyer në kabinë elektrike. I është betonuar porta hyrëse. Në anën tjetër është porta e kabinës dhe një portë e vogël si hyrje koteci pulash, nëpërmjet të cilës futen fshesat dhe lopatat e pastruesve të natës. Gjatë natës, mjediset rrotull këtij monumenti kulture, të kthyer në kabinë elektrike dhe magazinë fshesash, shërbejnë edhe si ËC publike “çasti” për kalimtarët.

 Barakë “gjeologësh” brenda vendvarrimit të Skënderbeut në Lezhë

 Në Lezhë, në hyrje të monumentit të madh kulturor e historik të Vendvarrimit të “Heroit Kombëtar” Gjergj Kastriot Skënderbeu, është shtuar edhe një tjetër “vepër”. Nuk është as vepër arti, as zbulim arkeologjik, as monument historik apo kulturor, por është thjeshtë një kioskë tip barake sharrtarësh e gjeologësh, “ngulur’ brenda kangjellave të këtij monumenti kulture, por banakë shitjeje nga bulevardi dhe me magazinë arkash e kovash nga brenda kangjellave. Është kioskë tregtimi i çdo malli, madje thuhet, se në muajt e verës aty janë gatuar edhe tregtuar edhe shishqebap e qofte. Lejen për vendosjen e kësaj kioske brenda rrethimit të vendvarrimit të Skënderbeut e ka dhënë bashkia e Lezhës. Sipas një prononcimi, motivi i drejtuesve të bashkisë Lezhë në lidhje me “mbjelljen” e kësaj kioske në hyrje të Vendvarrimit të Skënderbeut është ky: Duhet një kioskë për të blerë gjëra turistët! Absurd ky “shpjegim”, kur mendon që rrotull monumenti ka një duzinë njësish tregtare, madje edhe si biznes i disa “shefave” të bashkisë, që shesin edhe objekte e punime artizanale tradite të zonës. Mirëpo, ja, që me vendim të bashkisë Lezhë, pjesë “historike” e Vendvarrimit të Skënderbeut është bërë edhe baraka prej dërrase e llamarine, që mbrohet me vendim bashkie si “monument” përdhosjeje e monumentit të “Heroit Kombëtar”.

 Basorelievi i Bajronit në Kalanë e Tepelenës, vendosur mbi WC publike

 Mund të mos e besoni, por është realitet. Në Tepelenë, në “korpusin” kryesor të Kalasë së Ali Pashë Tepelenës vazhdon të përdhoset një moment historik kombëtar, e madje me jehonë ndërkombëtare, që ka lidhje me vizitën dhe qëndrimin e Lord Bajronit në Kalanë e Tepelenës gjatë takimit me Ali Pashën. Në nderim dhe përkujtim të kësaj vizite të Bajronit, është derdhur në tunxh një basoreliev me portretin e Lord Bajronit dhe dy vargje nga poema e famshme “Çajld Harold” është vendosur në pjesën ballore të kalasë në qendër të qytetit të Tepelenës. Mirëpo skandali qëndron në faktin, se basorelievi i Bajronit është vendosur mbi WC-në publike të qytetit, dikur edhe pikë shitjeje vajguri. Sa gjendesh në qendër të Tepelenës, pamja e parë është korpusi kryesor i kalasë e mbi të basorelievi, vendosur mbi “monumentin” WC të qytetit, bashkëngjitur kalasë, si një turp e skandal i rëndë. Pa folur për pjesën hyrëse të kalasë nga pjesa e lumit Vjosë e cila ka një “dekor” tjetër trupi e skandali: Në tri pjesë kryesore të mureve të kalasë, shkarkohen ujërat e zeza të qytetit.

Përparim HALILI