Rrëshqitje gurësh në aksin nacional Berat-Poliçan-Skrapar, probleme me qarkullimin e mjeteve

36
Sigal

Shirat e rrëmbyeshëm dhe të pandërprerë, kanë sjellë problematika të shumta në aksin nacional Berat-Poliçan-Skrapar.

Në fshatrat Vodicë dhe Fushë-Peshtan po vijon rrëshqitja e gurëve në rrugë, duke vështirësuar qarkullimin e mjeteve në këtë aks. Situata vijon të jetë e njëjtë që prej mëngjesit të sotëm dhe për këtë arsye bashkia e Poliçanit ka vendosur në këtë segment rruge punonjës të mirëmbajtjes, për të normalizuar situatën në rrugë. Kjo rrugë është problematika sa herë që bie shi dhe mjaft e rrezikshme në qarkullim, sidomos gjatë natës pasi aksi nuk ka as drita.

Një prej punonjësve të mirëmbajtjes së bashkisë Poliçan pohon se, ata janë çdo ditë në gatishmëri në këtë rrugë për të hequr e pastruar rrugën nga gurët që bien vazhdimisht nga zona kodrinore, rënie që janë të shpeshta e çdo ditë të pranishme, sidomos në ditët me shi. Duke shpjeguar edhe rrezikun që paraqet kjo rrugë nga rrëshqitjet për automjetet që qarkullojnë aty, punonjësi i mirëmbajtjes konfirmon se problematikat më të mëdha nga rrëshqitjet e gurëve në rrugë janë në hyrje të qytetit të Skraparit.

Aksi nacional Berat-Skrapar është një aks me shumë kthesa dhe i pandriçuar, gjë që jo vetëm sjell vështirësi në qarkullimin e mjeteve kur në rrugë ka prezencë të shtuar gurësh por shpesh-herë është shndërruar edhe në burim aksidentesh. Prej vitesh është folur për një projekt madhor siç është rrethimi i zonës kodrinore me rrjeta metalike por deri tani ky projekt nuk është realizuar asnjëherë.