GREQI/ Kodi i ri i Emigracionit, ndihmëset shtëpiake, legalizimi deri në mars 2014
Çfarë “fsheh” thesi i surprizave?
Në vijim të mjaft artikujve për legjislaturën e re të emigracionit në Greqi, po përmbledhim pikat më të rëndësishme, si dhe praktikën që do të ndiqet për zbatim. Siç është shpallur prej javësh, nga fillimi i vitit 2014 do të hapen qendrat “one stop shop” zyrat e shërbimit të emigrantëve, një risi e vërtet nga e cila presim shumë. Por jo akoma! Siç e keni vënë re, çdo institucion apo zyrë shërbimi në Greqi do pak më shumë kohë se deklarohet për të funksionuar normalisht. Për këtë arsye, drejtori i “one stop shop” në Athinë ka kërkuar mirëkuptimin e emigrantëve dy javët e para të vitit 2014, duke theksuar se, çdo gjë do të funksionojë normalisht pas 15 janarit.
***
Probleme, pa filluar mirë akoma
Dhe pas lajmit të mirë, le të marrim një shije paraprake se si do jetë eksperienca e emigrantëve në realitet. Këshilli i Nëpunësve të Njësive me një Stacion, në një deklaratë për shtyp, bëjnë të ditur se vetëm 100 prej tyre do të duhet të plotësojnë kërkesat e 40% të shtetasve të ligjshëm nga vende të treta në Greqi. Nga këta, 70 nëpunës janë në dispozicion nga viti 2012. Një shembull konkret, në drejtorinë e Pireut janë vetëm 12 nëpunës që do duhet të mbyllin çështjet e rreth 50.000 emigrantëve me dokumente, nga vendet e treta. Ndërkohë që pritet punësimi i një numër të konsiderueshëm ish-policë të Bashkisë, çfarë memorandumi nuk e lejon të bëhet para marsit të vitit 2014.
Këshilli i Nëpunësve të Administratës së Decentralizuar ka kërkuar në publik mirëkuptimin e qytetarëve për vonesat fillestare në kryerjen e procedurave, duke shpjeguar hollësisht dhe arsyet përse ndodhin, për shkak të krizës së thellë shumëmujore në administratën greke dhe jo mungesat e qëllimshme, për të dëmtuar familjen emigrante. Nga ana tjetër, edhe gazeta këshillon, nëse ofrohet koha, sa më durim dhe sa më vonë vizitën e parë në “Petru Ralli”, duke e shmangur krejt të paktën 2 javët e para të vitit.
***
Ndihmëset shtëpiake, legalizimi deri në mars 2014
Në vendimin e fundit të ministrisë së Brendshme janë referuar sekretari i Përgjithshëm i Integrimit Social, Agjelos Sirigos si dhe drejtore, D. Papadopoulou. Bëhet fjalë për një vendim që vlen 6 muaj nga dita e publikimit në fletoren zyrtare, në muajin shtator. Domethënë, deri në mars të vitit 2014, të interesuarat duhet të nxitojnë të plotësojnë dokumentet e t’i dorëzojnë në ministrinë e Brendshme. Fillimisht, pajisen me leje njëvjeçare, ndërsa rinovimi bëhet për leje 2-vjeçare. Gjatë diskutimit, nga përfaqësues të shoqatave të emigracionit është kërkuar të pajisen me këtë leje qëndrimi të gjitha gratë e punësuara “brenda”, me një deklaratë përgjegjësie të punëdhënësit. Nga ana e tij, sekretari i Përgjithshëm e ka refuzuar këtë kërkesë duke theksuar se në këtë mënyrë do të hapet një industri e tërë shfrytëzimi emigrantësh. Veç të tjerash ka thënë dhe se nuk duhet të lejohet që një shans i tillë në vend të ndihmojë, të hapi probleme të tjera. Dokumenti i domosdoshëm për pajisjen me këtë leje qëndrimi është diagnoza mjekësore nga organet kompetente të shëndetësisë dhe sa parashikon vendimi ministror. Të gjitha detajet janë diskutuar gjerë e gjatë, për të lehtësuar e jo vështirësuar legalizimin.
Ja vendimi i plotë:
Vendimi i përbashkët ministror i ministrisë së Brendshme dhe ministrisë së Punës ofron shansin e legalizimit dhe punësimit me siguracion të rregullt të gjitha grave që punojnë me persona invalidë ose të moshuar. Leja e qëndrimit & e punës fillimisht është 1-vjeçare, me të drejtë rinovimi me 2-vjeçare, ndërsa kërkesa bëhet nga i interesuari dhe punëdhënësi. Përfitojnë të punësuarit për ndihmën e personave me aftësi fizike të kufizuara deri në 80%. Kujdes! Ky vendim ministror vlen 6 muaj nga data e publikimit, në shtator 2013, domethënë, me të dhënat e sotme, vlen deri në mars 2014.
Shtetasi i vendit të tretë, i interesuar për legalizimin në këtë kategori, duhet të paraqesë në organin kompetent të bashkisë për pajisjen me leje qëndrimi:
-Kërkesën e plotësuar
-3 fotografi me ngjyra
-Fotokopje të pasaportës
-Vendim të KEPA të IKA-ETAM për përqindjen e invaliditetit të personin nën kujdestari si dhe diagnozën e mjekut për nevojshmërinë e kujdestarisë, si dhe vërtetimin për asistencën si invalid apo i paralizuar.
-Deklaratë përgjegjësie e punëdhënësit vendas, prind ose i afërm i shkallës së parë, se shtetasi i huaj ofron shërbime ndihmëse të paktën një vit para se publikimit të vendimit ministror dhe se nuk kanë të punësuar në të njëjtin pozicion asnjë shtetas tjetër nga vendet e treta.
-Kontratë pune me të cilën shtetasi i huaj do të sigurohet në entet siguruese dhe do të paguhet sipas rregullores vendase të punësimit.
-Certifikatë shëndetësore e shtetasit të vendit të tretë, ku të vërtetohet se nuk vuan nga sëmundje të rrezikshme për shëndetin publik.
-Taksa paravolo, sipas dispozitave të par. 1 neni 92 ligji 3386/2005.
***
Brezi i dytë rinovon Lejen Afatgjatë?
Veçanërisht për brezin e dytë nuk do të vlejnë kriteret e të ardhurave, të domosdoshme për të gjithë të rriturit që do të ndjekin procedurën e pajisjes me leje afatgjatë. Në ligj përfshihen dhe fëmijët, prindërit e të cilëve kanë humbur të drejtën e pajisjes me leje qëndrimi për mungesë ditë pune-ensima. Kështu, fëmijët e emigrantëve nën 18-vjeç do të pajisen me një leje qëndrimi afatgjatë, e cila do të rinovohet automatikisht në një leje të përhershme, pa deklaruar të ardhura vjetore apo kontratë pune.
***
Rinovim pa ensima
Të gjithë emigrantët që nuk kanë patur mundësi të rinovojnë dokumentet, ofrohet shansi i rinovimit vetëm me Librin e Shëndetit, për të cilin mjaftojnë 50 ensima. Kushti tjetër është që sa po ndjekin rrugën ligjore për anulimin e vendimit refuzues të lejes së qëndrimit (prosfigi sto dikastirio), të tërheqin padinë nga gjykata.
-Deri në 30 qershor, emigrantët që kanë patur leje qëndrimi dhe e kanë humbur për mungesë ensimash, do të mund të rinovojnë lejen e qëndrimit vetëm me librin e shëndetit.
***
Çfarë ndodh pas 30 qershorit?
Si sekretari i Përgjithshëm, Angjelos Sirigos, ashtu dhe drejtorja e Çështjeve të Emigracionit, Despoina Diamantopoulou, kanë bërë të qartë se nuk është e mundur të mos bazohet rinovimi në sigurimet shoqërore. Eliminimi i enteve siguruese do të ishte dhe fundi i punësimit me kontratë të rregullt pune të emigrantëve, do të shfrytëzohej egër nga çdo punëdhënës vendas, apo i huaj. Kështu që ensimat do të jenë gjithnjë bazë për rinovimin e lejes së qëndrimit. POR, numri i kërkuar pas 30 qershorit 2014 do të jetë në varësi të situatës së atëhershme të vendit. Organet kompetente të ministrisë do të gjykojnë në momentin e caktuar se çfarë mundësish kanë këto grupe emigrantësh të sigurojnë ensima, sa do të jenë ensimat e kërkuara për librin e shëndetit e faktorë të tjerë të jetës ekonomike të vendit e do të marrin vendimin e duhur, siç kanë theksuar “për të mirën e në shërbim të familjes emigrante, që nuk jemi aspak të predispozuar të ndjekim nga Greqia”.
Kujdes! Sipas D. Diamantopoulou, vendimi i IKA për rinovimin e librit të shëndetit me 50 ensima është sot në fuqi. Ky vendim muajt e ardhshëm mund të ndryshojë. Kështu, emigrantët duhet të jenë në gatishmëri e të mos anashkalojnë me detyrimet e sigurimeve shoqërore, për të mos humbur shanset e legalizimit.
***
Rinovimi i LEJES 10-VJEÇARE- lejes PA AFAT
Si do të rinovohen lejet 10-vjeçare, pa afat, ishte një nga pyetjet që ka marrë përgjigje në diskutimin e të mërkurës, 18 dhjetor. Sipas ministrisë së Brendshme, këto leje qëndrimi do të zëvendësohen gjatë rinovimit me lejen afatgjatë (5-vjeçare). Emigrantët NUK do të pajisen më me një status të tillë, me hyrjen në fuqi të Kodit të Ri të Emigracionit. Nëse disponuesit nuk plotësojnë kushtet për Lejen Afatgjatë, atëherë do të pajisen me lejen 3-vjeçare.
***
Bashkimi Familjar, pa të ardhura vjetore
Një tjetër risi në favor të emigrantëve është dhe pezullimi i deklaratës tatimore. Konkretisht, përveç herës së parë, kur do të merret viza nga bashkëshorti/ja e emigrantit për Bashkim Familjar, kur të ardhurat vjetore duhet të jenë 8.500 + 2.500, në rinovimet e lejes së qëndrimit për Bashkim Familjar, nuk do të kërkohen të ardhurat vjetore. Mbetet në fuqi shuma 8.500 euro për kryefamiljarin, por deri në 30 qershor nuk merret parasysh për rinovimet e lejeve të qëndrimit.
***
Rinovim pa kontratë pune
Me Kodin e ri të Emigracionit nuk do të kërkohet kontratë pune për rinovimin e lejes së qëndrimit. Leja e parë e qëndrimit do të ketë afat 2-vjeçar, rinovimi do të bëhet për leje 3-vjeçare.
***
Ligji i nënshtetësisë për fëmijët e emigrantëve
Kodi i Emigracionit nuk zëvendëson Kodin e Nënshtetësisë, e veçanërisht nenet e anuluara pak muaj më parë,- ka theksuar Angjelos Sirigos,- procedurat që kanë ngrirë këtu e thuajse një vit do të shqyrtohen kur të miratojmë projektligjin e ri të nënshtetësisë. Do të ketë një projektligj të tillë, që është në përgatitje e sipër dhe që shpresojmë të paraqitet në parlament në muajt mars-prill 2014. I. Londo