Raporti i BB: LAMP ka regjistruar 85,500 tituj pronësie

    373
    Sigal

    ZRPP /Vijon regjistrimi i pasurive të paluajtshme për Kavajën dhe Shkodrën

    Projekti i Bankës Botërore për administrimin dhe menaxhimin e tokës, LAMP, është duke vëzhguar dhe regjistruar 400 mijë prona në zonat urbane, duke u mundësuar qytetarëve dhe bizneseve që të kenë siguri mbi pronën e tyre. Sipas raportit të Bankës, katër qytete janë mbështetur me programe investimi në bashki për të rinovuar shërbimet themelore të infrastrukturës urbane. Deri më tani nën komponentin A të projektit, sipas raportit, është bërë i mundur regjistrimi i 85 500 titujve pronësie. Po kështu është bërë edhe dixhitalizimi i të dhënave të pronësisë në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe masat kanë ulur kohën e regjistrimit nga 47 ditë në 10 ditë. Projekti është aprovuar në vitin 2007, u bë efektiv në korrik të po të njëjtit vit dhe u ristrukturua në janar 2011. Mbyllja e tij është planifikuar në qershor të vitit të ardhshëm. Kostoja e gjithë projektit është 41.2 milionë dollarë, nga të cilat pjesën më të madhe e ka dhënë IBRD, gati 20 milionë dollarë. Deri në mars 2013 janë disbursuar gjithsej 19.6 milionë dollarë dhe mbeten akoma të padisbursuara edhe 16 milionë dollarë.

    Projekti

    Qeveria Shqiptare ka iniciuar Projektin e Administrimit dhe Menaxhimit të Tokës (LAMP-A2.2/TS/FR/ICB-01). Si pjesë e këtij projekti, në Shqipëri po ndërtohet Sistemi i Ri i Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme bazuar në Ligjin Nr. 33/2012, i datës 21. 03. 2012  “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme”. Baza e këtij sistemi krijohet nëpërmjet procedurës së Regjistrimit Fillestar të  Pasurive të Paluajtshme nën drejtimin e Kryeregjistruesit të Shqipërisë.

    Periudha e Afishimit Publik do të vazhdojë 45 ditë kalendarike.

    Të gjitha subjektet private dhe shtetërore që kanë të drejta pronësie, ose të drejta të tjera reale mbi pasuritë e paluajtshme në Zonën Kadastrale Nr. 2140, janë të ftuar të verifikojnë Regjistrimin Fillestar të pasurive të tyre. Në këtë fazë të këtij procesi, është e rëndësishme bashkëpunimi i ngushtë i të gjithë personave, që kanë të drejtë mbi pasurinë, me ekspertët, duke verifikuar të dhënat në listat e afishuara. Në rast se gjatë kësaj faze konstatohen mangësi në informacionin e afishuar, atëherë pronari, si dhe personat që kanë interesa të tjera mbi pasurinë, duhet të bëjë plotësimet e nevojshme dhe t’i paraqesë vetë ato, brenda afatit të afishimit publik, në ambientin e afishimit, pranë specialistëve të ngarkuar me këtë detyrë te Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Të gjitha pretendimet do të shqyrtohen dhe do të paraqiten në listat e afishuara brenda periudhës së Afishimit Publik. Procesi i Regjistrimit Fillestar është FALAS për të gjithë pronarët dhe personat që kanë të drejta mbi pasuritë e paluajtshme.

    Regjistrimi i Pasurive të Paluajtshme për Zonën Kadastrale 2140, Kërcukaj–Kavajë

    Në vijim të ndërtimit të Sistemit të Ri të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme (ZQRPP) njofton se ka filluar Afishimi Publik i Regjistrimit Fillestar të Pasurive të Paluajtshme për Zonën Kadastrale Nr. 2140, Këcukaj (Komuna Qendër Gosë) – Kavajë. Ky afishim bëhet në territorin e Zonës Kadastrale Nr. 2140, saktësisht në adresën, Lokali “Engjëllushe Thartori”, Pranë Komunës, Qendër Gosë, Kavajë.

    Regjistrimit i Pasurive të Paluajtshme për Zonën Kadastrale 8593, Shkodër

    Në vijim të ndërtimit të Sistemit të Ri të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme (ZQRPP) njofton se ka filluar Afishimi Publik i Regjistrimit Fillestar të Pasurive të Paluajtshme për Zonën Kadastrale Nr. 8593, të qytetit Shkodër. Ky afishim bëhet në territorin e Zonës Kadastrale Nr. 8593, saktësisht në adresën, Rruga “Marin Biçikemi”, në kryqëzim me Rrugën “Simon Rrota” (200 metra larg kishës), Shkodër.