Qytetarët në zyrat e ALUIZNI-t për të mbyllur dosjet para krijimit të Qeverisë

    423
    Sigal

    Në kohën kur në shumicën e institucioneve aktivitetet janë zbehur ca nga pushimet e verës dhe ca nga situata që imponon ardhja e qeverisë së re, te legalizimet duket se po ndodh e kundërta. Qytetarët vazhdojnë të jenë prezentë për të tërhequr faturat financiare apo të interesohen për situatën e pronës që kanë vetëdeklaruar. Burime pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Legalizimeve thanë për gazetën se procesi ka vijuar normalisht dhe sidomos në fund të korrikut dhe fillim të gushtit ka pasur një rritje të interesit krahasuar me qershorin dhe fillimin e korrikut.

    Frika nga ndryshimet ligjore

    Rritja e interesit për legalizimet duket se më së shumti mbart në vetvete frikën nga ndryshime ligjore ose politikat e reja që mund të ndërmerren. Të paktën ata që sot i gjen nëpër zyrat e legalizimeve shfaqin pikërisht këtë shqetësim. Deklaratat e njëpasnjëshme për legalizimet, të bëra nga palët politike, kanë “rritur” frikën për mënyrën se si do të ecë procesi, dhe kjo ka bërë që qytetarët të nxitojnë të mbyllin punë për aq kohë sa munden, pasi u druhen ndryshimeve ligjore. Të paktën pozitiv dhe në vijim është procesi i atyre që kanë vetëdeklaruar dhe dosja e tyre është në shqyrtim gjatë fazës së parë të legalizimeve. Nuk mund të thuhet e njëjta gjë për valën e dytë të legalizimeve. Vetëdeklarimi për ndërtesat e pas 2006-s, edhe pse filloi më 10 qershor dhe pati një interes relativisht të mirë, duket se nuk ka përmbushur 100 për qind synimin. Qytetarët kanë vetëdeklaruar, por burime nga Drejtoria e Legalizimeve bëjnë me dije se ka edhe raste të atyre që mund të kenë mbetur jashtë procesit.

    Pikëpyetjet

    Procesi i legalizimeve, i filluar që nga viti 2009, ka pasur një ecuri relativisht të ngadaltë në vendin tonë. Nga 240 mijë vetëdeklarime të bëra në fazën e parë, numri i atyre që kanë marrë tapinë është relativisht i vogël krahasuar me totalin. Qeveria aktuale premtoi se do ta mbyllte këtë proces brenda vitit 2013, por duket se një gjë e tillë është tërësisht e pamundur. Tashmë pikëpyetjet që ngihen lidhen me mënyrën si do të trajtohen legalizimet në proces nga qeveria në ardhje dhe nëse do të ketë ndryshime të tjera ligjore që do të lidhen direkt me procesin. Janë pikërisht këto pikëpyetje që një pjesë të qytetareve i kanë lënë në pritje dhe pjesën tjetër në nxitim për të mbyllur procedurat.

    Shifrat zyrtare

    Në bilancin që Ministria e Punëve Publike dhe Transporteve bëri në fillim të vitit 2013, shifrat nuk ishin dhe aq entuziaste, po të kemi parasysh që procesi ka vite që vazhdon. Kështu, sipas MPPT, deri në fund të vitit 2012 ishin legalizuar 37 100 objekte, ishte miratuar kalimi i pronësisë për 3646 objekte, ishte miratuar shpërblimi për 1146 pronarë, ishin derdhur në fondin e kompensimit 1 091 516 147 lekë dhe kishin përfunduar procedurat për 90 000 objekte informale. Gjatë pjesës së parë të vitit 2013 pati një dyndje të përgatitjes së faturave financiare në mënyrë që qytetarët t’i tërhiqnin ato për të bërë pagesën dhe për të marrë në fund tapinë për ndërtimin informal tashmë të legalizuar.