Qeveria të shtyp ty dhe i jep atyre…faqet e fundit të marrëzisë

374
Sigal

(Kushtuar heronjve të Aleancës për Teatrin)

Nga Gentian Çala

Po i dole kundër Ramës dhe Qeverisë të heqin patentën, sinjalin e transmetimit radio-televiziv, të lëshojnë zagarët me dhe pa uniformë, të heqin të drejtën të moderosh programin televiziv, të blejnë dhe po nuk e bënë dot, pra po nuk u shite, të ndjekin derisa ti të tërhiqesh. Por, ka nga ata që nuk jepen, as nuk dorëzohen. Se lirinë tuaj e duan thjesht për t’ua marrë, që ata të bëjnë atë që duan. Vjedhin e ndajnë, plaçkisin pronë e para publike, t’ua japin atyre që një pjesë të fitimit e ndajnë me pushtetin.

Kjo është Qeveria që të shtyp ty dhe u jep atyre, sepse për ata ka gjithmonë, kurse për ju “shohim e bëjmë”. Për ata: oligarkë, matrapazë e shërbëtorë pushteti nuk mungon asgjë, se njëra dorë lan tjetrën, e të dyja fytyrën. Drejtësia punon për ata dhe jo për ju, policia i shërben atyre dhe jo juve. Ata kanë fadroma, vula, çelësa, shkresa, ligje, shkopinj gome dhe gaz lotsjellës. Kurse ju, keni mjerimin dhe shpresën. Keni forcën që nëse doni i bëni ata të flasin me vete, por ata duan heshtjen tuaj, që të vazhdojnë qetësisht të ushqejnë barqet e tyre dhe xhepat pa fund.

Këta nuk pyesin për asgjë, për kërkënd, as ndjenja dhe as empati nuk kanë. Ata të marrin zvarrë natën, të venë prangat ditën, vetëm që të bëhet e tyrja. Ata shkatërrojnë vlerë e histori për ca para më shumë. Ata nuk duan t’ia dinë për shkollën, kulturën, artin, vlerat e juaja, sepse në mëndjet e tyre ka vetëm para dhe pushtet. Ata nuk mërziten se ju lenë pa shtëpi e katandi, se ju prishen objektet historike e të trashëgimisë kulturore, sepse për ta, nuk ka ekzistuar asgjë para tyre dhe nuk do të ketë asgjë kur ata të mos jenë.

Tash po ju vjen fundi zullumit dhe “gjithëpushtetit” të tyre, ndaj nxjerrin thonj e tërbohen, bëhen më të ligë e më arrogantë. Humbja e asaj që kishin i tremb shumë, aq sa tmerri i le pa gjumë. Faqet e fundit të marrëzisë së tyre…përpëlitje e spërdredhje të kota me intriga dhe presion, me lëvizje bosh dhe dëshpërim. Pushteti i tyre po mbaron, ata e dinë dhe mundohen të kapin e ndukin çfarë të mundin, sepse grykësia e tyre nuk ngopet. E duket se ky mallkim do ti ndjekë ngado dhe nuk do ti bëjë kurrë të ndihen rehat brenda vetes.
Kurse ju që luftuat, që nuk u shitët, që e kundërshtuat këtë pushtet dhe marrëzinë e arrogancës së tyre, do të kujtoheni gjithmonë si luftëtarët e lirisë.