Qeveria ‘harroi’ premtimet; me SHQUP-in dhe Spitalin Ushtarak po bëhen pazare politike

    367
    Sigal

    FORUM/ Pensionet, SHQUP-i dhe Spitali ushtarak. Flasin për “Telegraf”, Zyhdi Kroi, Pëllumb Zaimi dhe Bajram Mane

     Po mbushet gati një vit që kur qeveria e Majtë erdhi në pushtet dhe ende tre nga premtimet kryesore, për të cilën ushtarakët dhe familjet e tyre në mbarë vendin votuan për PS e LSI, nuk janë realizuar. Përkatësisht, nuk janë realizuar zbatimi i Statusit (ligjit përkatës e Vendimit të Gjykatës Kushtetuese) për trajtimin financiar, dhënia e SHQUP-it ushtarakëve dhe rikthimi i Spitalit Ushtarak, pas privatizimit mafies, ashtu siç e kanë gjithë vendet e NATO-s në funksion të ushtarakëve. Për specialistët dhe ish-ushtarakët madhor, “Qeveria aktuale ‘harroi’ premtimet për pensionet e ish-ushtarakëve, ndërsa me SHQUP-in dhe spitalin ushtarak po bëhen pazare politike”… Në forumin e “Telegraf”, katër pyetjet iu dërguan ushtarakëve Zyhdi Kroj, Bajram Mane e Pëllumb Zaimi, të cilët dhanë përgjigjet përkatës…

     PYETJET

    1-Një nga premtimet e fushatës së Kryeministrit Rama ishte zbatimi i statusit të ushtarakut për trajtimin financiar të tyre. Ky premtim nuk është mbajtur. Si e gjykoni ju këtë situatë?

    2-Një premtim tjetër i pa realizuar është rikthimi i spitalit ushtarak në funksionin që kishte, në shërbim të trajtimit shëndetësor të ushtarakëve. Cili është mendimi juaj?

    3-Rikthimi i SHQUP-it, deklarimi i ministres dhe Kryeministrit Rama, duket tashmë se u “harrua”.

     Cili është komenti juaj për këtë?

    4-Në nderimet që u bënë në Përmet lidhur me 70- vjetorin e Luftës Nacional Çlirimtare, u vu re nderimi me grusht dhe prania e fotos së Enver Hoxhës. Cili është qëndrimi juaj për këtë?

    Zyhdi Kroi.(Presidenti i Nderit të Shoqatës së Ushtarakëve): Rama bën pazare me Berishën për SHQUP-in

    Përgjigja 1-Ndër premtimet e pa mbajtura ashtë akti normativ. Premtimi i parë ishte se do të anuloj aktin normativ që ka përgjysmuar pensionet e parakohshme të ushtarakëve. Edhe për statusin nuk ka filluar puna fare, as për të zbatuar pikat që janë vendosur, as për ta rishikuar. Në një takim që kemi bërë me ministrin e Mbrojtjes, në 14 mars, na u premtua se, do të rishikohet statusi dhe do të ngrihet grupi i punës. Sot është data 29 dhe ende nuk ka fillua puna. Ne e gjykojmë se, këto janë në vazhdë të premtimeve pafund për të marrë votën dhe asgjë më shumë. Ne jemi shumë të zhgënjyer dhe e kemi humbur besimin. Kemi një mbledhje sot dhe natyrisht do përpiqemi të intensifikojmë përpjekjet tona. Nuk pajtohemi me këtë gjendje, për aktin normativ, në të cilin është vendosur përgjysmimi i pensionit, Ministri na ka premtuar që do të bëhet një propozim që të falen ata që janë debitor, por edhe pas kësaj nuk është marrë as një masë. Si për shumë shtresa të tjera dhe për ushtarakët, Qeveria Rama nuk ka marrë as një masë, nuk ka bërë as një përçapje.

    Përgjigja 2-Dhe kjo është një ndër premtimet e pambajtura, është ndër çështjet kryesore. Nuk ka ushtri të NATO-s që nuk ka spital të Forcave të Armatosura, madje, vendet fqinje, spitalet ushtarake i kanë të ndara sipas llojit të Forcave të Armatosura. Ne insistojmë me çdo kusht që të rikthehet, le të marrin aq ambiente sa duhet dhe të ofrohen aq shërbime sa nevojiten.

    Përgjigja 3-Realisht, Ministrja Kodheli ka premtuar që do ta zhbëjmë vendimin, ndërsa Rama nuk e ka zënë në gojë fare as para dhe as pas fushatës. Unë dyshoj që ky mund të jetë një Pazar midis Ramës dhe Berishës. Nuk ka vend në botë që nuk ka shtëpi oficerësh, por kur në mes hyjnë pazaret, ndodhin këto që po ndodhin.

    Përgjigja 4-Personalisht, mendoj se, çështja e nderimit është një rit që u bëhet të rënëve dhe këtë gjë çdokush e bën në mënyrën që dëshiron. Unë do të preferoja nderimin me grusht, pasi kjo nuk është shpikje as e Enver Hoxhës, as e komunistëve shqiptar, as e rusëve dhe as e kinezëve, por për herë të parë është përdorur në ‘36 në luftën e Spanjës. Nëse është fjala për nderim zyrtar, le të mos përdoret, por në rastet e nderimeve individuale është zgjedhje personale. Ata janë veteran të luftës dhe i meritojnë nderimet. Kjo nuk është një tentativë për të kthyer komunizmin, ai vdiq atje ku lindi, ishte një sistem që mbaroj. Nuk kanë pse të kenë frikë për sistemet, por të shikojnë që të kujdesen për rritjen e mirëqenies së popullit dhe tu shërbejnë interesave të tyre, për reforma, për ekonomi etj. Enver Hoxha ka merita të padiskutueshme për luftën, por kjo bëhet për të tërhequr vëmendjen nga hallet e shumta, në të cilat ata kanë futur vendin.

    Pëllumb Zaimi, (Kolonel, ish-punonjës shkencor dhe ish-pedagog në Akademinë Ushtarake): SHUPI, kalendat e Mimit si kalendat greke

    Përgjigja 1-Kjo është një demagogji e radhës sepse po i rëndojnë shumë borxheve të qeverisë së Saliut dhe kjo është pararendëse e mashtrimit tonë në të ardhmen. Ata na thonë; ne ju duam, duam t’ua rrisim pagat dhe pensionet, por na ka lënë Saliu një gropë të madhe. Ky është përdorur si alibi. Ushtarakët nuk kanë treguar vendosmërinë e duhur për të kërkuar të drejtat e tyre. Ata janë futur nën ombrellat e partive dhe rrinë sikur të mos ekzistojnë fare si shoqatë. Ky është një defekt shumë serioz, sepse një shoqatë ka një karakter juridik dhe mbron të drejtat e një komuniteti të caktuar dhe nuk ka të bëj me partitë, militantizmin, apo tifozllëkun. Këto shoqata për mua janë si gjethet e vyshkura në rënie.

    Përgjigja 2-Me sa kam dëgjuar, ambientet, godina dhe territori i spitalit janë bërë objekt i vjedhjes së përhershme të punës së qeverisë Berisha. U është ndarë firmave dhe klinikave private sa nuk i gjendet ana. Ai spital duhet të jetë funksional përderisa ekziston një ushtri. Ku do mjekohet personeli prej 9 mijë veta që ka ushtria? Po kontingjentin prej 25 mijë ushtarakësh rezervist, ndaj të cilëve në bazë të statusit të ushtarakëve kanë detyrime për t’i mjekuar, pasi vuajnë nga sëmundjet profesionale, nga qëndrimet e gjata në kushte të vështira? Ku do mjekohen, pasi spitali civil nuk ofron shërbimin e duhur, ka një kontingjent të madh ushtarakësh aktiv dhe rezervë? Duhet patjetër që të jetë funksional.

    Përgjigja 3-Rikthimi i SHQUP-it ka kaluar në kalendat greke ose në kalendat e Mimi Kodhelit sepse janë bërë të dyja njëlloj. Nga lashtësia, shtyrja e kalendave greke tregojnë shtyrje në pafundësi, domethënë një moszgjidhje në pafundësi. Ata që tashmë kanë pushtetin janë shquar gjithmonë për burracakëri. Këta kanë burracakërinë dhe pavendosmërinë të parën dhe të dytën kanë mosmirënjohjen. Këta të duan për vota dhe të mbajnë mbledhje, por janë mosmirënjohës. Ata dhe militantët e vet i kanë lënë në radhë të papunë. Por, është e papranueshme që partia më anti-ushtarake të marrë shtëpinë e ushtarakëve. Në as një rast në historinë ushtarake dhe në historinë civile botërore. Në ka parti në Shqipëri që nuk i takon ajo shtëpi, është partia Demokratike, sepse është partia që shkatërroj nga themelet ushtrinë.

    Përgjigja 4-Grushtin nuk e shpikën komunistët, me grusht kanë luftuar dhe ushtarët e Garibaldit, vullnetarët e luftës civile amerikane, nuk e shpikën shqiptarët. Për mendimin tim, një grusht turinjve e do Saliu që po merret me grushtin. Grushti tregon bashkim dhe unitet, por Saliu nuk e do bashkimin sepse ka qejf përçarjen, ashtu sikurse na ka përçarë për 23 vite. Këto janë politizime të panevojshme, janë politizime që mbajnë erë bastard politik e këlyshë agjenturash të huaja. Kjo është e gjithë çështja, sepse duan që t’i përçajnë që t’i sundojnë shqiptarët. Ata nuk e kanë hallin tek grushti, por duan mosbashkimin. Grushti nuk është kundër demokracisë.

    Bajram Mane

    ( ish-zv.ministër i Mbrojtjes)

    Nëse nuk na rikthejnë SHQUP-in do të protestojmë fuqishëm

    Përgjigja 1-Nuk është aspak gjë e mirë. Ne jemi duke pritur që, qoftë ministria e Mbrojtjes, qoftë Kryeministri të marrin masa për zgjidhjen e problemit të statusit të ushtarakut sepse na kanë premtuar, në të kundërt ne do t’i rikthehemi protestave. Për sa i përket aktit normativ për pensionet, janë mbajtur ushtarakëve një sasi e konsiderueshme lekësh dhe janë detyruar ushtarakët që të kthejnë diferencën që kanë marrë padrejtësisht sipas tyre, sipas aktit normativ që ka hartuar Berisha. Ne këtë e konsiderojmë plotësisht të padrejtë dhe për këtë Kryeministri të vendos që ta zgjidh problemin.

    Përgjigja 2-Edhe për këtë na kanë premtuar, por nuk ka shpresa që të zgjidhet. Me sa kemi kuptuar dhe me problemet që kanë lindur, nuk besoj se do zgjidhet ky problem.

    Përgjigja 3-Çështja e SHQUP-it është i harruar ashtu sikurse çështja e spitalit. Bashkë me komunitetin e ushtarakëve kemi protestuar fuqishëm, kemi qenë në krye të protestave për padrejtësinë që u bë, duke i kaluar SHQUP-in Partisë Demokratike, kur ajo e kishte selinë e vetë dhe nuk ishte e nevojshme për të lëvizur, dhe sot i gëzon të dyja selit. Na u tha që ndalojmë protestat se, me të ardhur në pushtet do ta zgjidhim këtë problem dhe do ua kthejmë ushtarakëve SHQUP-in. Ne nuk pajtohemi me këtë situatë, duam të kemi shtëpinë tonë, vendin ku jemi mbledhur, edukuar. Ne do të jemi në opozitë me qeverinë n.q.s ajo nuk e kthen shtypin e ushtarakëve.

    Përgjigja 4-Kjo është një furtunë në një gotë uji. Nuk më duket aspak e drejtë që e ngrenë zërin kaq fuqishëm për nderimin me grusht, pasi ky nderim nuk ka lindur sot dhe nuk i përket komunizmit, por është nderimi që kanë bërë partizanët gjatë kohës së luftës. Të gjithë e dinë që ky gjest është përdorur për të nderuar gjatë asaj periudhe, midis luftëtarëve apo eprorëve të tyre. Nuk ka as një mundësi për t’u kthyer sistemi komunist.