Qendra Spitalore e Elbasanit, kthehet në Spital Universitar

    493
    Sigal

    Organizohet Konferenca e VI-të Mjekësore Ndërkombëtare në Specialitete

    Për të gjashtin vit radhazi në Elbasan është zhvilluar Konferenca Mjekësore Ndërkombëtare në Specialitete. Kjo konferencë është mundësuar në bashkëpunim me Universitetin “ Aleksandër Xhuvani”, Qendrën Spitalore “Xhaferr Kongoli” si edhe Fakulteti i Shkencave Mjekësore Teknike. E cilësuar si një event tepër i rëndësishëm mjekësor dhe akademiko-kërkimor, kjo konferencë është kthyer në një traditë që po pasurohet gjithnjë e më shumë në të gjithë aspektet e saj. Për dekanin e Fakultetit të Infermierisë, Skënder Topi, “akreditimi në këtë konferencë i një numri të madh mjekësh specialistë të suksesshëm në fusha të ndryshme të mjekësisë është një tregues mjaft i qartë i rritjes së vlerave shkencore e kërkimore në fusha të ndryshme të mjekësisë shqiptare”. Konferencën e ka përshëndetur edhe zëvendësministri i Arsimit Arbën Mazniku, i cili ka deklaruar se kjo konferencë është mjaft e rëndësishme, dhe është për t’u përgëzuar Elbasani për organizimin e kësaj Konference Ndërkombëtare, ku marrin pjesë mendjet më të ndritura të vendit në fushën e mjekësisë, por edhe ekspertë ndërkombëtarë. Një ndër kolonat e reformës së arsimit është nxitja e universiteteve me qëllim që të shtohet përveç mësimdhënies edhe kërkimi shkencor. Konferenca të tilla thellojnë kërkimin shkencor të universiteteve. Desantila Tahiraj drejtore e Qendrës Spitalore “Dr. Xhaferr Kongoli” u shpreh për “Telegraf” se, “kjo konferencë e përbashkët ka si qëllim kryesor që kërkimi shkencor të mos ngelet në nivel auditorësh, por ai të afrohet dhe të jetë në bashkëpunim me Qendrën Spitalore, pasi është pjesë ambicioze e planit qeverisës për të rritur cilësinë e shërbimit nëpërmjet kërkimit shkencor”. Edhe prefekti i qarkut, Arben Kamami, një ndër mjekët e mirënjohur të Elbasanit theksoi se, “ka ardhur koha që spitali i Elbasanit të konceptohet si një spital universitar dhe që të jetë i tillë duhet një forcë shkencore dhe mjekë të kualifikuar dhe realisht në spitalin e Elbasanit ka shumë mjekë që i kanë marrë këto tituj shkencorë”. Sikurse edhe në konferencat e mëparshme edhe në këtë event mjekësor të përvitshëm dominon pjesëmarrja e mjekëve të specialiteteve të ndryshme nga fusha e mjekësisë nga vendi ynë dhe e gjithë hapësira shqiptare por edhe nga mbarë Europa. Një pjesë e tyre ishin të pranishëm gjatë sesioneve të shumta të kësaj konference nëpërmjet video konferencave, “Telemedicinë” duke bërë që të rejat më të fundit shkencore, bashkëkohore të vihen në shërbim të pacientit nëpërmjet shkëmbimi të frytshëm të eksperiencave mes strukturave tona spitalore dhe atyre Universitare. Tematika e temave të trajtuara në këtë konferencë ndërkombëtare mjekësore sipas organizatorëve ishte tepër e larmishme. Ajo që e bëri interesante dhe tepër me vlera këtë konferencë ishte fakti se krahas temave studimore e shkencore të prezantuara nga mjekët e specialiteteve të ndryshme nga Elbasani dhe i gjithë vendi nuk munguan as ato nga trevat shqiptare të Kosovës dhe Maqedonisë të cilët me mjaft profesionalizëm e akademizëm sollën përveç të rejave më të fundit shkencore edhe përvojën dhe eksperiencën e tyre më të mirë në fushën e mjekësisë. Po kështu, një përvojë dhe eksperiencë të shkëlqyer në këtë konferencë sollën me referimet e tyre edhe profesorët e mjekët pjesëmarrës nga Europa, të cilët tashmë janë bërë pjesë e përjetshme e këtij eventi. Është për t’u theksuar se, Konferenca e VI-të Mjekësore Ndërkombëtare në Specialitete është e akredituar nga Qendra Kombëtare e Edukimit në Vazhdim duke i njohur 18 Kredite çdo pjesëmarrësi dhe 27 Kredite çdo Relatori.