Qendër strehimi për romët, Klosi: Trampolinë për t’i larguar nga rruga

    396
    TIRANE – 170 pjesëtarë të komunitetit rom dhe egjiptian janë strehuar në qendrën tranzitore të emergjencave në Shish-Tufinë, e cila është përuruar sot nga ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë Blendi Klosi për të cilin fëmijët kishin përgatitur edhe një përshëndetje.
    Ministri tha se kjo është një qendër e cila do të shërbejë si një trampolinë për të nxjerrë nga rruga dhe për të rehabilituar qindra fëmijë rom e egjiptianë.
    “Tashmë plotë 160 banorë të këtij komuniteti kanë harruar përfundimisht jetën e rrugëve dhe janë të sistemuar në këto ambiente të cilat nuk janë ambiente përfundimtare por është një qendër tranzicioni e cila do të shërbejë për riaftësimin e tyre dhe për të pasur mundësi që këto familje të kenë mundësi që të jetojnë jetën e përditshme”, u shpreh Klosi.
    Ndërkohë përfaqësues të Bashkimit Europian dhe PNUD u shprehën se kjo është një qendër me standarde dhe që e kryen më së miri funksionin e saj.
    “Kushtet këtu janë shumë të mira dhe është bërë një punë e shkëlqyer për rehabilitimin e këtyre familjeve e fëmijëve”.
    “Ne kemi investuar dhe e kemi ndjekur me kujdes këtë qendër dhe sot që jemi këtu kuptojmë se jemi në rrugën e duhur për rehabilitimin e këtyre fëmijëve. Qendra si kjo duhet të shtohen edhe më tepër në vend”.
    Periudha e qëndrimit në këtë qendër varion nga 1-24 muaj dhe shërben si strehëz e përkohshme për personat dhe familjet në situatë rruge e në gjendje të vështirë ekonomike. 
    Rehabilitimi i qendrës u mundësua falë projektit “Mbështetje për përfshirjen sociale të komuniteteve Rome dhe Egjiptiane” i financuar nga BE, projekt i cili synon përfshirjen sociale dhe fuqizimin e këtyre dy komuniteteve.
    Sigal