Profesor Shaban Demiraj: Nxënësi i Medresesë, akademiku ynë i përhershëm…

1125
Sigal

Hysen Kobellari

Profesor Shaban Demiraj, figurë e rëndësishme e gjuhësisë dhe kulturës shqiptare; studiues, dijetar dhe edukator shembullor i rinisë, autor i shumë studimeve, librave, artikujve, përkthyes brilant; krijues, udhëheqës shkencor, frymëzues vizionar i njohur dhe i respektuar brenda dhe jashtë vendit. Medreseist i shkëlqyer në rininë e vet. Mësues i popullit. Profesor dhe shkencëtar. Pedagog e lektor për mbi 60 vjet në Institute dhe Universitete. Dinjitar në shkencë, në mësimdhënie, në jetë… Profesori ynë i nderuar ka pasur ndikim të madh në përshtatjen e punës së Akademisë së Shkencave, në kushtet e zhvillimeve të reja me ndërrimin e sistemeve politike në vendin tonë.

Mëhalla e Demirajve dhe xhamia e tyre e famshme

Në Vlorë prej shekujsh ka qenë një lagje e quajtur “Mëhalla e Demirajve”, ku banorët besimtarë të këtij fisi kishin ndërtuar një xhami, e cila është quajtur “Xhamia e Demirajve”. Aty faleshin e luteshin të gjithë, vendas e udhëtarë, njerëz që besonin dhe synonin të bënin vepra të mira. Familja u shtua e u shumua ndër vite dhe ka pasur njerëz të përmendur e të shquar në Fe, si edhe dijetarë të famshëm dhe të vlerësuar brenda dhe jashtë vendit, duke e bërë krenar vendlindjen e tyre dhe mbarë kombin tonë. Sot kjo Lagje e re quhet “Partizani” dhe është ndër më të vjetrat e qytetit. Në kohën tonë Demirajt i gjen kudo, brenda e jashtë vendit, pasardhës të denjë dhe trashëgimtarë të vlerave më të mira fetare dhe atdhetare… Një nga krenaritë e merituar të tyre është Prof. Dr. Shaban Demiraj, gjuhëtar, shkencëtar, akademik, albanolog, ballkanolog…

 

Shabani, i lindur në një muaj të mbarë

Pikërisht në ditën e parë të fillimvitit ’1920 u lind në Vlorë djali i mbarë, prej prindërish fetarë, punëtorë e të besës, të cilit ia vunë emrin e muajit të shenjtë të besimit mysliman, muajit të dytë, Shaban. Tre muajt e bekuar Rexheb, Shaban dhe Ramazan mbartin me mijëra urtësi për krijesat; ata janë muaj të dobishëm dhe të bekuar. Të gjitha netët e mëdha ndodhen brenda këtyre muajve: Rexheb-muaji i mbjelljes; Shaban- muaji i ujitjes dhe shërbimeve; Ramazan-muaji i korrjes së prodhimeve dhe mbledhjes së bereqetit. Muaji Shaban është muaji i Shefaatit, ndërmjetësimit për falje. Profeti ynë i dashur në fillim të muajit Rexheb lutej kështu: “Allahu im! Na i bëj të bekuar Rexhebin dhe Shabanin dhe na bashko me Ramazanin.” Shabani e mori mirësinë e besimit islam bashkë me qumështin e nënës së vet, e cila e kishte virtytin në gjak. Mësimet e para ai i kreu në shkollën fillore pranë Xhamisë Muradije ku nxuri, përveç gjuhës shqipe, edhe elementë të gjuhëve arabisht, turqisht dhe persisht. Ishte një nxënës i vëmendshëm, i zgjuar, vullnetfortë dhe i etur për dije dhe kulturë; i  duruar dhe këmbëngulës për të përfituar nga drita e pashtershme e besimit, fjalës së mirë dhe nga drita e shkencave. Ai mahnitej nga ëmbëlsia e vjershave dhe shkrimeve diturake të rilindësve, provoi të shkruante vargjet e para, mësoi përmendësh krijimet e pasura folklorike të zonës së Labërisë, vargjet lirike dhe sarkastike të Ali Asllanit dhe poetëve të tjerë të kohës …

Medreseisti i shkëlqyer në Tiranë

Kur erdhi në Tiranë, për të vazhduar studimet në Medresenë kombëtare, Shaban Demiraj kishte marrë një formim fillestar të mirë fetar dhe dituror. Në kryeqytet djaloshi vlonjat erdhi në kohën e kulmit të lulëzimit të Regjimit Mbretëror dhe përjetoi gjithashtu vitet e mundimshme të luftës së II-të botërore, që nisi me pushtimin fashist të vendit, me fillesat e reagimit atdhetar deri në organizimet e grupimeve të ndryshme politike që donin të bënin luftë me mënyra të ndryshme, duke synuar marrjen e pushtetit pas mbarimit të luftës. Djaloshi i zgjuar nuk u angazhua asnjëherë në politike dhe gjithë jetën parapëlqeu të qëndronte larg saj, gjë që e ngriti në nivelet më të larta si shkencëtar, mësimdhënës dhe njeri të virtytshëm, por e privoi nga favoret dhe beneficet që të jep angazhimin në politikë dhe pjesëmarrja në forma të ndryshme të pushtetit politik…Medreseja Kombëtare e Tiranës ka pasur gjithmonë nxënës të mirë, të cilët shpesh përbënin ajkën e vajzave dhe djemve shqiptarë. Kështu ishte edhe në kohën kur Shaban Demiraj filloi studimet këtu. Një konkurrencë e fortë dhe e shëndetshme nxori në pah cilësitë më të mira të nxënësve të atij brezi. Rinia e etur për besim, dije dhe kulturë thelloi njohuritë në Shkencat e Besimit, Kuran, Gjuhët e Huaja, Filozofi, Histori, Gjeografi, etj… Aty zinin fill dhe formoheshin personalitetet njerëzore për të shërbyer në shoqëri si një elitë shembullore, veprimtarë në kohë dhe hapësirë …Shaban Demiraj i përfundoi studimet e Medresesë së Tiranës me rezultate të shkëlqyera, duke pasur nota maksimale në të gjitha lëndët, por dhe në vijueshmëri dhe në sjellje. Iu desh gjithashtu të punonte herë në Tiranë, herë në Vlorë, për të ndihmuar veten dhe familjen, pa e ndarë librin nga dora dhe penën nga letra.

Drejt rrugëve të hapura të arsimit dhe edukimit

Menjëherë pas mbarimit të luftës dhe formimit të shtetit të ri, e kërkuan të ndiqte studimet e larta në degën e gjuhës shqipe e të letërsisë në Institutin Pedagogjik Dyvjeçar të porsahapur (1946-1948) për arsye të nevojave urgjente që kishte vendi për mësues, me një popullsi analfabete në pjesën më të madhe të tij. Me të mbaruar shkollën e dërguan në Gjirokastër, ku punoi si mësues disa vjet në shkollën e mesme, ku veç mësimdhënies nuk reshti së mbledhuri lëndë folklorike, fjalë të rralla, legjenda e gojëdhëna të asaj treve të pasur me kulturë dhe histori. Pastaj e transferuan në Tiranë, ku punoi deri në vitin 1954, përsëri si mësues. Për 2 vite mori mësime speciale në Institutin e Lartë Pedagogjik (1954-55) dhe menjëherë fillon punë aty si pedagog. Me krijimin e Universitetit kalon pedagog në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë të Universitetit të Tiranës, ku shërbeu deri më 1990, kur doli në pension. Studentët e tij dhe kolegët krenohen me rekordin e këndshëm të shënuar të profesorit, i cili për 60 vite me radhë ka shërbyer si mësues, pedagog dhe shkencëtar. Është njëri prej pedagogëve që ka mbajtur kurse leksionesh për një numër të madh lëndësh albanistike dhe albanologjike, si për morfologjinë e gjuhës së sotme shqipe, për gramatikën historike të gjuhës shqipe, për historinë e gjuhës së shkruar shqipe (shekujt XVII-XIX), si edhe një kurs special për gjuhësinë ballkanike. Për këto lëndë hartoi tekstet përkatëse, që u botuan si dispensa e libra më vete, me të cilët punojnë edhe sot Universitete të Shqipërisë, të Kosovës, të Maqedonisë, diaspora dhe të huajt. Ai drejtoi me aftësi shkencore dhe administrative për 27 vjet katedrën e gjuhës shqipe në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë (1962-1989). I përgatitur shkencërisht, me karakter të rreptë e kërkues në radhë të parë ndaj vetes e mandej edhe ndaj të tjerëve, studentë e kolegë, me ndershmëri të panjollë, përherë i njerëzishëm. Kohëzgjatja në këtë funksion flet vetë.

Nga viti 1945 e deri në atë vit, kur doli në pension, Shaban Demiraj ishte pranë studentëve. Breza studentësh, tani mësues, gazetarë, redaktorë, shkencëtarë, në mbarë vendin dhe nëpër botë, që morën nga prof. Shabani dije, meritat e punës së tyre i njohin me krenari edhe si merita të Mësuesit të tyre të paharruar. Në vitet 1962-1966 ka qenë zëvendës-dekan i Fakultetit të Historisë e të Filologjisë të Universitetit të Tiranës. Ai do të mbetet në historinë e Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë dhe të Universitetit të Tiranës si drejtues që u shqua për punë të pakursyer dhe të një cilësie të lartë.

Drejt majave të shkencës dhe diturisë

“Profesor Shaban Demiraj i përket yllnajës më të lartë të albanistëve dhe albanologëve të të gjitha kohërave. Jeta dhe vepra e vet flet për dashuri ndaj gjuhës shqipe, ndaj gjuhëve njerëzore në përgjithësi, madje ndaj Gjuhës vetë, për pasion, durim e këmbëngulje shembullore në rrugën e kërkuesit, të shkencëtarit të palodhur. Puna e tij është punë blete, ai lëron gjuhën tonë amtare dhe frytet janë të bollshme dhe të pjekura, ai gërmon si arkeolog shqipen e hershme dhe monumentet e vjetra të saj dhe u jep jetë “fosileve” të gjuhës. Me punë të palodhur dhe prodhim të bollshëm ai i ka ngritur monument vetes.

Ai ka lënë një prodhimtari të gjerë akademike. Nga viti 1970 e deri më sot shkroi e botoi vepra (disa prej të cilave edhe në gjuhë të huaja) me vlerë të spikatur teorike e praktike për njohjen më të mirë e më të thelluar të ndërtimit gramatikor të gjuhës shqipe : Historia e gjuhës së shkruar shqipe (1970); Çështje të sistemit emëror të gjuhës shqipe (1972), Sistemi i lakimit në gjuhën shqipe (1975); Morfologjia historike e gjuhës shqipe I (1973), II (1976), ribotuar në Prishtinë (1980), Gramatikë historike e gjuhës shqipe (1986), ribotuar në Prishtinë (1988), një formë më e përmbledhur e saj është botuar gjermanisht nga Akademia e Shkencave e Austrisë (1993), botim i përmbledhur në Tiranë (2002), Gjuha shqipe dhe historia e saj (1988), ribotuar në Prishtinë (1989), botuar edhe në italisht nga Universiteti i Kozencës (1997), Gjuhësi ballkanike, botuar në shqip e maqedonisht në Shkup (1994), dhe ribotuar në Tiranë, më 2004, Fonologjia historike e gjuhës shqipe, (1996), Prejardhja e shqiptarëve në dritën e dëshmive të gjuhës shqipe (1999), dhe një version anglisht i saj “The origin of the Albanians “(linguistically investigated) (2006), Gjuha shqipe – Probleme dhe disa figura të shquara të saj (2003), “Epiri, pellazgët, etruskët dhe shqiptarët” (2008), etj. Nga këto vepra del se profesor Shaban Demiraj është gjuhëtar dhe filolog që jo vetëm parashtron, jo vetëm prek, por që edhe shqyrton, kërkon, analizon e thellon mendimin shkencor, u jep përgjigje pyetjeve të parashtruara dhe shtron pyetje të tjera. Si në të gjithë jetën e vet të hetuesit shkencor, edhe në këto vepra ndeshet me çështje e probleme të vështira hetimit të strukturës së sotme dhe asaj historike të shqipes, dhe me mprehtësinë vrojtuese dhe përgjithësuese që e karakterizon, nxjerr përfundime shpesh krejt të reja, jep mendimin e vet shkencor të autoritetshëm si albanist dhe albanolog i shquar. I tillë është ai edhe kur merret me çështje gjuhësore të ndërlikuara ballkanike, jep përgjigje shkencore edhe si ballkanolog. Nga këto vepra, vendin e nderit e zë “Gramatika historike e gjuhës shqipe”, që në thelb është enciklopedi e vërtetë e ndërtimit gramatikor të gjuhës shqipe, sidomos e morfologjisë historike, është parashtrim analitik i arritjeve në këtë fushë, është arena ku profesori ynë i nderuar ka shpalosur jo vetëm dijet e veta të gjera, por edhe ka dhënë mendimin e vet të qëndrueshëm për ato që parashtron, është përgjithësim e krijim shkencor, një vepër monumentale e fondit të artë të letërsisë sonë gjuhësore. Ja, pra, pse kjo vepër është nderuar me Çmimin e Republikës të klasit të parë (1989). Është bashkautor dhe redaktor i veprës madhore “Gramatikë e gjuhës shqipe”, vëllimi I, “Morfologjia”, (1976, ribotuar 1995, 2002), parathënia dhe kreu për foljen. Si redaktor i këtij vëllimi u shqua për aftësi drejtuese, për kërkesa të larta dhe sidomos për njëjtësimin e krerëve të tij. Si bashkautor mbajti një peshë, dukshëm të madhe me kreun më të rëndësishëm, me kreun për sistemin foljor të gjuhës së sotme shqipe, sistem aq i zhvilluar morfologjikisht, që kërkonte zotësi përgjithësimi e parashtrimi.

 

Profesori ynë i nderuar është autor i dhjetëra e dhjetëra shkrimeve studimore në revista e të përkohshme të tjera të ndryshme shqiptare, me plot ndihmesa nga fusha e morfologjisë së sotme e historike të shqipes, nga sintaksa historike, nga fonetika historike, nga historia e gjuhës, etj. Vetëm këto shkrime do të mjaftonin për ta renditur ndër gjuhëtarët tanë më të shquar. Ka transkriptuar dhe përshtatur në shqipen e sotme veprën e Gavril Darës “ Kënga e sprasme e Balës” (1994), ribotuar në Prishtinë (2006). Në bashkëpunim me akademik Kristaq Priftin, ka hartuar dhe botuar “Kongresi i Manastirit” (1968), ribotuar më 2005. Ka botuar një monografi jetëshkrimore për Eqrem Çabejn, “Eqrem Çabej”, (1990). Ka përkthyer romanin “Martin Iden”  të Xhek Londonit (1995), me gjuhë të krehur, larg ndikimeve e ndërtimeve të pastra angleze, shembull për përkthyes të tjerë.

Prof. Shaban Demiraj tanimë është i njohur në botën shkencore ballkanike dhe evropiane me kumtimet e tij në veprimtari të rëndësishme ndërkombëtare e me artikujt shkencorë të botuar në revista të huaja. Dhe mund të pohohet me kënaqësi dhe krenari se është gjuhëtari shqiptar, vepra e të cilit njihet më mirë jashtë Shqipërisë. Shkrimet dhe veçanërisht, librat e tij, në mos qofshin shkruar e përkthyer në gjuhë të huaja, sidomos në anglisht, ato janë të pajisura me përmbledhje në gjuhë të huaj, çka ka ndihmuar në përçimin e mendimit të vet shkencor tej kufijve të botës shqiptare. Është autor i shumë artikujve të botuar në përmbledhje e revista shkencore të huaja : zërin për gjuhën shqipe në përmbledhjet enciklopedike-gjuhësore “ La formazione dell’Europa linguistica”, Firence, 1993, “Le lingue indoeuropee”, Bolonjë (1994), “Les langues indo-européennes”, Paris, 1994; në vëllime përkujtimorë për Norbert Joklin (1972), për Johan Knoblokun (1985), për Johanes Hubshmidin (1982), për Miklosiçin (1992), për Kopitarin (1996), etj. Ka marrë pjesë në konferenca shkencore kombëtare dhe ndërkombëtare : në Kongresin e parë (1966), të dytë (1970), të katërt (1980), të gjashtë (1989) dhe të shtatë (1994) të Shoqatës Ndërkombëtare të Studimeve të Evropës Jug-lindore; në Kolokiumin Ndërkombëtar për Norbet Joklin në Insbruk (1972), në Simpoziumin Aspekte të albanologjisë (gjendja dhe detyrat sot), Këln (1988), në Simpoziumin Ndërkombëtar të Albanologjisë në Palermo (1990), etj. Ka mbajtur ligjërata në Universitetin e Prishtinës, të Shkupit, të Kluzhit (1971), të Romës (1985), të Kopenhagenit (1987), të Aarhusit (1987), të Vjenës (1988, 1993), të Bonit (1993), të Kozencës, të Palermos etj.

Një jetë e tërë e mbushur me studim, me kërkim, me krijimtari shkencore të qëndrueshme, jetëgjatë. Sepse është i tillë, u zgjodh anëtar i komisionit organizues dhe delegat i Kongresit të Drejtshkrimit (1972), iu dhanë titujt e lartë Profesor (1972), Mësues i Popullit (1977), Profesor i merituar 1990, anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë (1989), kryetar i saj (1993-1997), anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës (1996), anëtar i Akademisë Qendrore Evropiane të Shkencave dhe të Arteve (1997), anëtar nderi i Akademisë Diplomatike të Londrës (2000), nënkryetar i A.I.E.S.E.E. (Shoqata Ndërkombëtare e Studimeve të Evropës Jug-lindore (1994-1998). Laureat i dy Çmimeve të Republikës, të Klasit të dytë (1979) dhe të Klasit të parë (1989). Është dekoruar me Urdhrin Mjeshtër i Madh i Punës (2000). Është Qytetar Nderi i Vlorës (2001).” Gjimnazit të Ri të Vlorës iu vendos emri “Shaban Demiraj”