“Po vazhduam kështu do të bëjmë hapa pas”, Manastirliu paralajmëron mbylljen pas rritjes së rasteve me koronavirus

293
Sigal

Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu këtë të premte në një deklaratë për mediat ka paralajmëruar mbylljen nëse numri i rasteve të reja do të rritet më shumë se dy ditët e fundit.

Manastirliu është shprehur se e mbështet planin për lehtësimin e masave por rritja e rasteve të reja me koronavirus në vendin tonë e shton nevojën për një kujdes më të shtuar nga ana e qytetarëve.

Ndër të tjera ajo ka theksuar se rastet e ditëve në vijim dhe sjellja e qytetarëve janë treguesit që do i ndihmojnë ato në hartimin e planit të masave lehtësuese.

Deklarata:

Ekspertët tanë e kanë thënë që në kryer të herës. Faza e lehtësimit merr kuptim vetëm nëse shoqërohet me një ulje të qëndrueshme të numrit të infektimeve. Për fat të keq dy ditët e fundit një gjë e tillë nuk ka ndodhur sot kemi një rritje të numrit të infeksioneve, rritje të rasteve me koronavirus në Durrës, Tiranë, Berat që ishte një zonë e gjelbërt dhe në Krujë.

Nuk duhet të ulni vëmendjen dhe të shkelni rregullat. Plani i lehtësimit të masave varet vetëm nga bashkëpunimi me ju. Është e vërtetë që ndëshkimet nuk janë zgjidhja, por është po aq e vërtetë se nuk mund të penalizohet një popull i tërë nga një pakicë, veprimet e së cilës mund të shkaktojnë dëme të pallogaritshme.

Rritja në këto shifra e rasteve të reja është maksimumi i lejuar nga skenarët tanë të hapjes.

Rritja e mëtejshme do të na detyronte të ndërmerrnim hapa të menjëhershëm për të mos lejuar një valë të dytë goditëse, që do të hidhte në erë atë që është arritur deri më sot.

Nëse do të vazhdohet me tendencën përkeqësuese të ditëve të fundit, do të jemi të detyruar të bëjmë hapa pas.

Dhe kjo nuk është në interes të askujt! Sigurisht nuk ka vend për alarm, por jemi në një moment ku kërkohet përgjegjshmëri nga çdo qytetar.

Mbrojtja e shëndetit të qytetarëve është mbi gjithçka. Ditët në vijim do të jenë vendimtare për planin e ri-hapjes.