Pirateria në kozmetikë, Dr. Cani: Konsumatorët të rrezikuar nga kanceri i lëkurës

    412
    Sigal

    Shoqata e Konsumatorëve denoncon pasivitetin e shtetit. Tregu i tejmbushur me produkte të falsifikuara të bukurisë

    Konsumatorët shqiptarë rrezikohen nga produkte kozmetike të falsifikuara që qarkullojnë në treg.  Këtë e bën të ditur për gazetën “Telegraf” dr. Islam Cani, kryetar i Shoqatës së Konsumatorit Shqiptar. “Në treg sot krahas produkteve me licencim dhe standarde të ligjëruara gjen dhe produkte të tjera që pretendojnë të konkurrojnë, por jo të ndershëm në përgatitjen e tyre. Pra, konkurrenca e pandershme në treg po abuzon me shëndetin e konsumatorëve përdorues. Konsumatori ynë është në rrezik të dyfishtë; dëmtohet ekonomikisht dhe psikologjikisht, por ç’është më kryesorja rrezikon shëndetin deri në rrezik të kancerit të lëkurës, kjo për faktin e përbërësve jo të sigurt”, shprehet dr. Cani. Sipas tij, ka një numër të konsiderueshëm firmash e tregtarësh që huazojnë emrin e njëri-tjetrit duke imituar, etiketuar, me publikim të emrave të mëdhenj, me shkrime dhe ambalazhime. “Nuk mungon mashtrimi ndaj njëri-tjetrit, ku të gjitha këto bien në kurriz të konsumatorit. Pra konsumatori është viktimë e lojërave dhe e mashtrimeve të prodhuesve dhe tregtarëve të kozmetikës dhe të parfumerisë. Konsumatori paguan për produktin dhe përfiton jo atë çka ai kërkon, jo produktin origjinal”, tregon kreu i shoqatës së konsumatorëve. Ai sqaron se mashtrimi nuk është vetëm në emërtim, në pamje të produktit, në ambalazh, në sigël, në ngjyrë dhe formë, por kryesorja është në përmbajtjen e ingredientëve, pra, fjala është në përbërësit e produktit që ne blejmë.

     Ankesat

    Dr. Cani i kategorizon ankesat e ardhura në SHKSH në dy drejtime:

    “1. Në shoqatë kemi patur me dhjetëra raste të ankesave të konsumatorëve, përdorues të disa produkteve; si të shampove, kremrave, bojëra etj.. Ata jo vetëm që nuk kanë përfituar shërbimin dhe efektin e kërkuar, por janë përballur me pasoja në dëmtimin e shëndetit; si dëmtime në lëkurë, lëndime dhe acarime të syve, njolla dhe rënie të flokëve, shtim të njollave në fytyrë etj..

    2. Ankesa, për çudi, kemi patur edhe nga prodhues të licencuar të kozmetikës dhe të parfumerisë, në lidhje me piraterinë dhe konkurrencën e pandershme në treg dhe falsifikim produkti me emrin e firmës së regjistruar. Këta falsifikues të produkteve kozmetike konkurrojnë prodhuesin e licencuar duke dalë në treg me çmime më të ulëta në krahasim me firmën serioze; duke rënë në sy të blerësve që të tërheqë konsumatorin në çmim të kujdesshëm. Konkurrenca e pandershme e një biznesi tjetër pirat arrihet duke kopjuar markën, për qëllime përfitimi dhe të shitjes së produktit. Por konsumatori nuk e dallon dot ndryshimin në pamjen e jashtme, e në të tilla raste jo vetëm që dëmton firmën serioze të licencuar, por ky pirat dëmton shëndetin e konsumatorit, sepse ai nuk prodhon me të njëjtin standard të kërkuar, por abuzon me përbërësit duke mashtruar në cilësi dhe siguri. Në këtë rast konsumatori ynë është në rrezik të dyfishtë; dëmtohet ekonomikisht dhe psikologjikisht, por ç’është më kryesorja rrezikon shëndetin deri në rrezik të kancerit të lëkurës, kjo për faktin e përbërësve jo të sigurt. Në të gjitha produktet e licencuara dhe të markës në përparësi të përbërësve janë ato natyralë ose me origjinë natyrale me përmbajtje bimore, apo shtazore si vaji bimor, dylli i bletës, uji, qumështi, mjalti, gjalpi, sepse këta u përgjigjen kërkesave të sigurisë, efikasitetit dhe kënaqësisë së përdorimit nga mosha të ndryshme, duke filluar që nga kujdesi te bebet”.

     Akuzat e tregtarëve

    Dr. Cani tregon se akuzat e tregtarëve ndaj njëri-tjetrit janë të përhershme, të përditshme, por nuk kuptohet arsyeja se pse nuk dalin hapur që të denoncojnë atë person prodhues apo tregtues për falsifikimin e produktit. Por sipas dr. Canit, nga të gjitha këto abuzime e falsifikime ai që dëmtohet në këtë rast është konsumatori.

    Produktet e bukurisë nuk kontrollohen nga shteti

     Tregu ynë është i mbushur me larmishmëri të produkteve të kozmetikës dhe të parfumerisë, por konstatohet gjithnjë dhe konkurrenca e pandershme në dëm të konsumatorëve. Për këtë lind e nevojshme mbrojtja ligjore e konsumatorëve nga organet kompetente shtetërore.

    •  Të gjithë ato që kemi pyetur se kush e kontrollon kozmetikën, asnjë nuk e dinte këtë gjë, pra konsumatori mbetet i pambrojtur. Ky fakt pranohet nga tregtari, ata mjaftohen që të marrin licencën për të prodhuar e tregtuar.

    • Të pambrojtur kanë mbetur edhe prodhuesit, sepse po zhvillohet konkurrenca e pandershme duke falsifikuar produktet dhe shenjat dalluese të ambalazhit dhe të etiketës mbi të.

    Le të vleje ky publikim si informacion dhe të shërbejë si thirrje për organet që duhet ta kontrollojnë këtë sektor siç kontrollohen dhe barnat mjekësore.