Ministria e Shëndetësisë, asnjë masë për shtimin e sporteleve në ASHR

    407
    Prej më shumë se dy javësh në zyrat e Autoritetit Shëndetësor Rajonal Tiranë, dynden qindra njerëz për të marrë shërbimet e ofruara nga ky institucion. Radhët pranë kësaj qendre fillojnë që në orën gjashtë të mëngjesit dhe përfundojnë me mbylljen e turnit në orët e vona të pasdites. Kjo problematikë, sipas deklaratës së punonjësve pranë kësaj qendre, vjen si pasojë e punës me vetëm një sportel, duke bërë që qytetarët të “shtypen” në dyert e kësaj qendre për të marrë një përgjigje analiza, për t’u pajisur me një librezë shëndetësore apo për të marrë shërbime të tjera. Edhe pse situata është e tillë prej më shumë se 14 ditësh, ende asgjë nuk është bërë në lidhje me marrjen e masave për shtimin e sporteleve, duke bërë që njerëzit të vuajnë për orë të tëra, qoftë dhe për marrjen e përgjigjes së një analize. Ankesat nga ana e qytetarëve në lidhje me shërbimin e ofruara nuk kanë fund, duke filluar me mungesën e sporteleve, sjellja nga ana e punonjësve të këtij institucioni, duke filluar që nga roja i derës, për të vazhduar më pas me punonjëset brenda zyrave, të cilat nuk informojnë si duhet qytetarët, por i detyrojnë të “sorollaten” nëpër korridoret e institucioneve të tjera për marrjen e një vule apo marrjen e një firme. Mos informimi në lidhje me procedurat që duhen ndjekur, ka çuar dhe në acarimin e gjendjes pranë këtij institucioni, mes qytetarëve dhe punonjësve të këtij institucioni. Ky institucion është në kompetencat e Ministrisë së Shëndetësisë, por kjo e fundit nuk ka marrë mundimin të bëjë një inspektim të gjendjes në këtë institucion, duke mos dhënë asnjë përgjigje në lidhje me rregullimin e kushteve të shërbimit apo shtimin e sporteleve, për të bërë të mundur evitimin e radhëve të gjata prej disa orësh, që qytetarët janë të detyruar të mbajnë, qofte dhe për marrjen e një përgjigje analize, procedurë e cila zgjat, jo më shumë se dy minuta…. Edhe pse ankesat e qytetarëve në lidhje me mangësitë në funksionimin e punës brenda këtij institucioni, kanë qenë të shumta, asgjë nuk është bërë, asnjë masë nuk është marrë, duke lënë që situata të vazhdojë të jetë e njëjtë prej më shumë se dy javësh. 
    Mësuesit vihen në rresht për marrjen e certifikatës së higjienës
    Pjesë e radhëve të gjata pranë këtij institucioni, janë dhe mësuesit, të cilët kërkojnë marrjen e certifikatës së higjienës për vazhdimin e punës. Por marrja e kësaj certifikate nga ana e mësuesve është bërë tepër e vështirë, jo vetëm për shkak të radhëve, por për shkak të “sorollatjeve” nga ana e punonjësve të këtij institucioni. Pasi janë të detyruar të presin në radhë për orë të tëra, dhe vjen koha kur duhet të futen sipas radhës, mësuesve u thuhet, se u duhet dhe një firmë apo një vule nga një tjetër institucion, dhe kjo sipas një mësueseje, e cila ka dhënë një prononcim për gazetën “Telegraf”, vjen si pasojë e mos informimit në lidhje me procedurat që duhet të ndiqen. Në lidhje me këtë problem, ajo shprehet “Kam dy ditë që vi këtu dhe ende nuk kam mbaruar punë… Kjo sepse punonjëset nuk janë të qarta në lidhje me dokumentet që duhen plotësuar. Pasi bëra analizat, vij këtu dhe më thonë se duhet një vulë/firmë nga ata të Skopisë. Marr vulën dhe vi përsëri, në momentin që futem, pas dy orëve radhë të mbajtur për herë të dytë, më thonë që duhet dhe një vulë/firmë nga Poliklinika… Mu desh shkoja dhe njëherë tek Poliklinika, sot pas dy ditësh “vërdallisjeje”, jam e detyruar të pres përsëri në radhë, për t’i mbyllur procedurat dhe për të marrë certifikatën. Gjithë këto ditën kam qenë e detyruar të lëviz, vetëm për shkak të informimit në mënyrë jo të qartë nga punonjëset e këtij institucioni. Si unë ka dhe shumë të tjera… Jemi lodhur. Ka 14 ditë që është e njëjta situatë, dhe asnjë drejtues nga Ministria e Shëndetësisë, nuk merr asnjë masë për rregullimin e kësaj katrahure…” – përfundon mësuesja e indinjuar. 
    Sigal