Mashtrimi me legalizimin falas

    430
    Sigal

    370 familje në plazh rrezikojnë legalizimin, borxhi ndaj OSHEE, mbi 80 milion lekë

     Mbi 370 familje që jetojnë në ish-kabinat e plazhit, kërkojnë nga qeveria legalizimin e banesave të tyre. Në një takim të bërë me zyrtarët e OSHEE  dhe ALUIZNI  banorët janë njohur edhe me borxhin e vjetër të akumuluar në 15 vjet, i cili  llogaritet në rreth 80 milion lekë. Kjo sipas tyre,  po bëhet edhe pengesa kryesore për mbylljen e  procedurave të legalizimit të ish-pallateve në sektorët e plazhit dhe qindra kabinave prej dërrase. Pothuajse të 370 banesat  ku banojnë familjet e ardhura nga krahina të ndryshme të vendit, rrezikojnë tu anulohet procesi i legalizimit pasi paraprakisht duhet shlyer borxhi ndaj OSHEE, i cili mbetet shumë i madh, dhe banorët duhet ta zgjidhin atë. Qysh prej 15 vitesh, drejt zonës së plazhit duke nisur nga Ura e Dajlanit deri tek Plepat, dyndja e madhe e qindra e mijëra familjeve, pushtoi kabinat dhe pallatet e ndërtuara nga ish-sistemi komunist për 50 vjet për pushuesit gjatë stinës verore. Por duke mbyllur “njërin sy dhe njërin vesh” apo edhe duke i stimuluar shpesh ata, zyrtarët lokalë lejuan ardhjen e pakontrolluar duke i legalizuar ata me letra pa vlerë, kundrejt një qiraje qesharake, e cila sot ka arritur në 7 mijë lekë të reja në muaj. Duke paguar drita-ujë me fatura afrofe dhe shtesa të tjera qiraje me vlerën e 7 mijë lekëve çdo muaj, banorët e plazhit  pretendojnë  se kanë shlyer të gjitha detyrimet ndaj shtetit. Sipas njërit prej tyre, banor i kabinave në plazh Kadri Nurja “premtimi që na u dha qysh në vitin 2013 edhe nga  deputeti i zonës duhet mbajtur edhe nga pushteti, banesat tona ne i kemi kthyer nga gërmadhat që ishin, në parajsa, duke derdhur para gjaku”. Por problematike mbetet shlyerja e borxhit prej 80 milionësh ndaj OSHEE dhe sipas burimeve nga kjo ndërmarrje “banorët e plazhit, ose për rreth 370 familjet e sistemuara me forma dhe mënyra të ndryshme në ish-kabina dhe pallate, duhet të shlyejnë borxhin ndaj nesh, ai nuk falet, ndryshe ne do të marrim edhe masa ekstreme pas prerjes së energjisë, përsa i përket  faturave që kanë paguar shumica e tyre, mbetet problem tjetër,  por ama borxhi është krijuar në vite dhe duhet paguar”. Problemi i legalizimit ka qysh nga viti 2005 që diskutohet mes banorëve, Komunale Plazhit, degës së ALUIZNIT dhe ministrive të linjës, por deri tani ata ndjehen të pasigurt për të ardhmen e banesave të tyre. Shumica e banorëve jetojnë si në geto, ku mjafton të përmendim vetëm mungesën e kanalizimeve për ujërat e zeza dhe pellgjet epidemike të transformuara në vatra epidemike, dhe të kuptojmë situatën dramatike që është krijuar në plazhin publik të qytetit bregdetar. Duket se formula e “legalizimit falas” do të përdoret akoma duke i mbajtur me shpresë ata, të paktën deri nga 21 qershori  2015, duke tentuar të marrin prej tyre edhe votat e zgjedhjeve të ardhshme lokale.