Maksim Rrushi : Shteti përballë personave me aftësi të kufizuar !

54
Sigal

-Me rastin e 3 Dhjetorit-Ditës Ndërkombëtare të personave me aftësi të kufizuar

 Realiteti i përditshëm në vendin tonë na tregon se personat me aftësi të kufizuar dhe familjarët e tyre ende i përkasin pjesës së margjinalizuar të shoqërisë shqiptare. Ata janë të varfër dhe të izoluar në një shoqëri të cilës ende i duhet të zhdukë barrierat arkitektonike dhe shoqërore. Shërbimet shëndetësore, arsimore, shoqërore dhe ato të punësimit për personat me aftësi të kufizuar janë të pakta.

 Çfarë simbolizon 3 Dhjetori?

Sot, popullsia e botës është afërsisht 8 miliardë njerëz dhe më shumë se një miliard njerëz, ose afërsisht 15 për qind e popullsisë së botës, jetojnë me një formë të aftësisë së kufizuar; nga të cilët 80 për qind jetojnë në vendet në zhvillim.

Dita Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuara u shpall në vitin 1992, me rezolutën 47/3 të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

E festuar më 3 dhjetor në mbarë botën, kjo ditë synon mbështetjen për çështje kritike që lidhen me përfshirjen e personave me aftësi të kufizuara, promovon ndërgjegjësimin për çështjet e aftësisë së kufizuar dhe tërheq vëmendjen për përfitimet e një shoqërie gjithëpërfshirëse dhe të aksesueshme për të gjithë. Agjencitë e OKB-së, organizatat e shoqërisë civile, institucionet akademike dhe sektori privat inkurajohen të bashkëpunojnë me organizatat për personat me aftësi të kufizuara për të organizuar ngjarje dhe aktivitete.

Provat dhe përvoja tregojnë se kur hiqen barrierat për përfshirjen e tyre dhe personat me aftësi të kufizuara fuqizohen për të marrë pjesë plotësisht në jetën shoqërore, i gjithë komuniteti i tyre përfiton. Prandaj, pengesat me të cilat përballen personat me aftësi të kufizuara janë një dëm për shoqërinë në tërësi dhe aksesi është i nevojshëm për të arritur përparim dhe zhvillim për të gjithë.

Si duhet konceptuar “Aftësia e kufizuar”?

Klasifikimi Ndërkombëtar i Funksionimit, Aftësisë së Kufizuar dhe Shëndetit (ICF) e përcakton aftësinë e kufizuar si një term ombrellë për dëmtime, kufizimet e aktivitetit dhe kufizimet e pjesëmarrjes.

Dëmtimi; është një problem i funksionimit të trupit apo strukturës së tij, (funksionet fiziologjike apo psikologjike apo pjesët anatomike të trupit).

Kufizimi i aktivitetit, është një vështirësi që haset nga një individ në kryerjen e një detyre apo veprimi. Kufizimet e pjesëmarrjes, nënkupton vështirësitë që një individ mund të ndeshë gjatë përfshirjes në situata të jetës së përditshme. Kështu aftësia e kufizuar është një fenomen kompleks, është ndërveprimi mes individëve me një gjendje shëndetësore (paralizë cerebrale p.sh., Sindroma Doën dhe depresioni) dhe faktorëve personal dhe mjedisor (p.sh. qëndrimet negative, transporti i paarritshëm dhe ndërtesat publike, dhe mbështet të kufizuara sociale).

Aftësia e kufizuar nuk është kështu vetëm një problem shëndetësor. Njerëzit me aftësi të kufizuara kanë të njëjtat nevoja shëndetësore si edhe personat jo me aftësi të kufizuara, kanë nevojë për imunizim etj. Por ata, gjithashtu, janë më të prekshëm nga një sëmundje apo një problem shëndetësor, si për shkak të varfërisë, për shkak të përjashtimit social, gjithashtu edhe për shkak se ata mund të jenë më të prekshëm nga sëmundjet sekondare, të tilla si plagë apo infeksione etj.

Provat tregojnë se njerëzit me aftësi të kufizuara përballen me pengesa në aksesin për shërbime shëndetësore dhe rehabilituese për të cilat ata kanë nevojë për më shumë ambiente.

 Realiteti shqiptar në raport me aftësinë e kufizuar

Gjatë dekadave të fundit, përkufizimi i aftësisë së kufizuar ka ndryshuar në mënyrë rrënjësore, duke ndryshuar fokusin nga nocioni i “handikapit” drejt nocionit të pengesave mjedisore, që individët hasin gjatë eksperiencës së tyre, pra duke e konsideruar aftësinë e kufizuar si një “ndërveprim negativ ndërmjet personit me aftësi të kufizuar dhe mjedisit”.

Sipas Konventës për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara, personat me aftësi të kufizuara janë“individët me dëmtime fizike, mendore, intelektuale apo shqisore aftagjata, të cilat në ndërveprim me barriera të ndryshme mund të pengojnë pjesëmarrjen e tyre të plotë dhe efektive në shoqëri njësoj si pjesa tjetër e shoqërisë.”

Përkufizimi i personit me aftësi të kufizuar në vendin tonë bazohet në legjislacion dhe në programet e mbrojtjes sociale. Sipas Ligjitn.9355, neni 4, me “Person me aftësi të kufizuar” kuptohet individi, të cilit i është kufizuar aftësia, si pasojë e dëmtimit fizik, shqisor, të intelektit, psikiko/mendor, të lindura apo të fituara gjatë jetës nga aksidente, sëmundje të përkohshme apo të përhershme, të cilat nuk vijnë nga shkaqe që lidhen me punësimin.

Duke konsideruar limitet e këtij përkufizimi, i cili konsideron aftësinë e kufizuar të lidhur me sëmundjet dhe paaftësinë e personit për të punuar. Strategjia Kombëtare për Personat me Aftësi të kufizuar e zgjeron përkufizimin drejt një nocioni bashkëkohor të bazuar në barrierat që individët ndeshin në jetën e përditshme si pasojë e kufizimeve. Strategjia përdor këtë përkufizim:

“Personat me Aftësi të Kufizuara” janë ata persona tek të cilët funksionet fizike, kapaciteti mendor ose gjendja psikologjike kanë prirje të shmangen për më shumë se gjashtë muaj nga gjendja tipike për moshën përkatëse, gjë që sjell për pasojë kufizime të pjesëmarrjes së tyre në jetën shoqërore.”

Ligji Nr. 93/2014 quan “Persona me aftësi të kufizuara” individët që kanë dëmtime afatgjata fizike, mendore, intelektuale ose ndijore, dëmtime, të cilat, në bashkëveprim me pengesat e ndryshme, përfshirë ato mjedisore dhe të qëndrimit, mund të pengojnë pjesëmarrjen e plotë dhe efikase të këtyre personave në shoqëri, në kushte të barabarta me të tjerët.

Duke ju referuar strategjisë, të dhënat dhe njohuritë statistikore për pozitën e personave me aftësi të kufizuara janë të pakta. Aktualisht ato reduktohen në numrin e personave me aftësi të kufizuara, llojet kryesore të aftësive të kufizuara, të cilat vlerësohen dhe përcaktohen nga komisione të veçanta specialistësh, pagesat në para që jepen nga buxheti i shtetit, si dhe disa shërbime mbështetëse që ofrohen në qendra rezidenciale dhe në komunitet.

Aktualisht nuk ka të dhëna mbi strukturën gjinore të personave me aftësi të kufizuara, për aftësitë e kufizuara pas moshës së pensionit, të dhëna lidhur me situatën e punësimit të personave me aftësi të kufizuara, Niveli i punësimit të personave me aftësi të kufizuar është tepër i ulët.

Sipas llojit të aftësisë së kufizuar, personat me aftësi të kufizuar janë:

personat me aftësi të kufizuar dëgjimore dhe pamore,(sensorë);

personat me aftësi të kufizuara lëvizëse si: para e tetraplegjiket, etj, (fizikë);

persona me çrregullime mendore ose sëmundje mendore kronike, (mendorë).

Vlerësimi i aftësisë së kufizuar në vendin tonë vlerësohet nga komisione të veçanta të specializuara, në përbërje të të cilëve ka specialistë të disiplinave të ndryshme, si: mjekë pediatër, okulistë, psikiatër etj. Komisionet që vlerësojnë PAK janë:

Komisioni Mjekësor i Caktimit të Aftësisë për Punë, (KMCAP),.

Komisioni Mjekësor për Përcaktimin e Verbërisë (KMPV).

Komisioni i Caktimit të Aftësisë për Punë i klasifikon personat me aftësi te kufizuar në: Grupi 1 janë personat me aftësi te kufizuar të lindur ose që janë bërë të tillë deri në moshën 21 vjeç; Grupi 2 përfshin personat e aksidentuar, të sëmurë me sëmundje profesionale dhe të përgjithshme të bërë gjatë punës, kur kanë qenë të siguruar.

Një grup tjetër janë Invalidët e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare.

Numri i personave me aftësi të kufizuar sa vjen e rritet,

në vitin 2008 numri i tyre ka qënë 105.972 persona;

në vitin 2009 kemi 122.360 persona,

në vitin 2010 kemi 133 mijë persona me aftësi të kufizuara ose 3.7 % e popullsisë së vendit.

Dhe në vitin 2013, numri i përfituesve të aftësisë së kufizuar ka qenë 168,574 persona.

Problemet me të cilat përballet çdo ditë një person me AK në Shqipëri..

Realiteti i përditshëm në vendin tonë na tregon se personat me aftësi të kufizuar dhe familjarët e tyre ende i përkasin pjesës së margjinalizuar të shoqërisë shqiptare. Ata janë të varfër dhe të izoluar në një shoqëri të cilës ende i duhet të zhdukë barrierat arkitektonike dhe shoqërore. Shërbimet shëndetësore, arsimore, shoqërore dhe ato të punësimit për personat me aftësi të kufizuar janë të pakta dhe të një cilësie të dobët. Problemi nuk qëndron vetëm tek legjislacioni, që për hir të së vërtetës qeveria në këto vite ndërton projekte pilot që në vetvete vetëm sa e centralizojnë pushtetin mbi aftësinë e kufizuar duke ulur edhe masën financiare për shumë prej kategorisë së personave me dëmtime fizike dhe pluridifekte, që nuk mbulohen nga skema e sigurimeve shoqërore të cilat Shoqata Shqiptare e Personave të Paaftë ka marrë në mbrojtje.., por mbi të gjitha tek implementimi i politikave të duhura sikurse e kërkojnë nevojat në rritje të kësaj shtrese të shoqërisë, ku me të ardhurat mujore që jep qeveria, nuk mund të sigurojnë dot ilaçet dhe ushqimin e përditshëm, për mos menduar për kërkesa më të larta që ka një familje.

Disa nga nevojat e personave me aftësi të kufizuara me të cilat përballen çdo ditë janë:

  • Cilësi e dobët e shërbimeve, të paaksesueshme dhe gjeografikisht të limituara.
  • Akses i dobët në informacion (të drejtat, shërbimet dhe procedurat).
  • Izolimi dhe vetmia, vetë-denigrimi, kohezion familjar i ulët dhe stigmatizimi.
  • Papunësia dhe Varfëria.
  • Sistem arsimor i papërshtatshëm.
  • Akses fizik i limituar, spostime, nuk u njihet e drejta për transport falas etj.

Jetojmë në një shoqëri, e cila nuk është plotësisht e hapur ndaj Personave me Aftësi të Kufizuar. Ndaj, Dita botërore Personave me Aftësi të Kufizuar, 3 Dhjetor, synon të promovojë të kuptuarit e çështjeve të aftësisë së kufizuar dhe për të mobilizuar mbështetje për të drejtat, dinjitetin dhe mirëqenien e personave me aftësi të kufizuar. Personat me AK nuk kërkojnë lëmoshë, nuk kërkojnë të marrin diçka që nuk u takon, por të trajtohen me dinjitet, sepse ata gëzojnë të drejtat dhe liritë themelore që u garanton Kushtetuta, dhe janë të barabartë me të tjerët në çdo aspekt. Mënyra sesi një shoqëri trajton njerëzit me aftësi ndryshe, është pasqyrë që tregon civilizimin e kësaj shoqërie. Aftësia e kufiuzar nuk është paaftësi. Secili prej nesh ka potencialin të kontribuojë diku në shoqëri. Albert Anjshtajn shprehet kështu në lidhje me këtë çështje : “Çdokush është një gjeni në vetvete. Por nëse ju gjykoni një peshk nëpërmjet aftësisë së tij për të ngjitur në një pemë, atëherë ai do ta jetojë gjithë jetën e tij duke menduar që është budalla”.