Pali Nito: Deputetë , boll me flakadanë se po çudisni dynjanë!

28

Zotërinj deputetë, mos mbillni kaos, rrëmujë, gjullurdi dhe destabilitet por maturi, vetëpërmbajtje, prosperitet  dhe dëshirë e vullnet për t’i trajtuar, menaxhuar dhe drejtuar me intelekt dhe profesionalizëm  gjithë problematikat, që na preokupojnë e na shqetësojnë në jetën e përditshme.

Sigal

 Më vjen keq dhe trishtohem pa masë kur shoh e dëgjoj që salla e parlamentit shndërrohet në sallë dhe arenë kacafytjesh e gladiatorësh, xhonglerësh, mundësisht e boksierësh, në arenë fyerjesh verbale e fizike recidiviste. Nuk arrij ta kuptoj, sepse ka një zell dhe dëshirë të zjarrtë e të papërmbajtshme për të krijuar kaos, amulli, rrëmujë e destabilitet që s’është aspak në interes të qytetarëve, vëndit dhe shoqërisë. Krijimi i një situate të tillë konfuze i shërben vetëm atyre që kanë bërë zullume, që kanë bërë bëma dhe gjëma, që kanë vrarë e prerë, që janë përfshirë në korrupsion dhe afera të ndryshme e ekstremisht të paligjshme e rreptësisht të papranueshme e të dënueshme. Vëndi dhe shoqëria tani më shumë se çdo herë tjetër janë të fokusuar në gjithë qënien e tyre mendore, fizike dhe shpirtërore te drejtësia dhe pret, dëshiron dhe beson shumë në aftësinë profesionale dhe vendosmërinë e papërkulshme të prokurorit të hekurt e dinjitoz e pa kompromis të Altin Dumanit. Personalisht e vlerësoj pozitivisht figurën morale dhe profesionale të këtij juristi dhe kam shkruar edhe një herë tjetër me nota dhe vlerësime maksimale për Altin Dumanin. Altin bëj dhe vendos drejtësi dhe ndëshkueshmëri se do të mbetesh në histori pasi do të kesh përkrahje dhe mbështetje nga çdo njeri në Shqipëri .Mbaje dhe orintoje drejt busullën e drejtësisë se qytetarët presin me pambarim që t’i jepet fund njëherë e përgjithmonë pandëshkueshmërisë e sidomos ndaj kujtdo që është përfshirë në afera korruptive, në pastrim parash, në trafikim armësh  dhe lëndësh narkotike e në veçanti ndaj atyre, që kanë minuar demokracinë, rendin dhe sigurinë qytetare. Theksoj dhe njëherazi nënvizoj forcërisht që organet ligjzbatuese , ato qëndrore dhe vendore të ushtrojnë me dorë të hekurt kompetencat, që u jep ligji dhe kushtetuta. U bëj apel qytetarëve baballarëve të kombit të mos lëshojnë e mbjellin pa kursim tymuese e flakadanë se po na trëmbin çiliminjtë dhe po çudisim dynjanë. Zotërinj deputetë, mos mbillni kaos , rrëmujë , gjullurdi dhe destabilitet, por maturi, vetëpërmbajtje, prosperitet  dhe dëshirë e vullnet për t’i trajtuar, menaxhuar dhe drejtuar me intelekt dhe profesionalizëm  gjithë problematikat që na preokupojnë e na shqetësojnë në jetën e përditshme. Zotërinj ju lutem mbillni dhe përçoni mes nesh jo ndasi dhe përçarje, por dashuri, vullnet dhe dakortësi. Mbillni dhe kultivoni qytetari dhe jo urrejtje, fyerje, shantazh, kritika të panumërta e destruktive.  Mos mbillni kashtë e tërshërë, por grurë e misër për të tërë. Reagoni me instikte dhe reflekse të shpejta në shërbim të shtresave në nevojë e sidomos ndaj pensionistëve dhe ndaj atyre që trajtohen me ndihmë sociale. Mblidhni, kultivoni dhe vendosni një jetë parlamentare normale. Ju lutem boll më me ç’je ti e ç’jam unë dhe cic mice e me make takmake. Mos mbillni kaos e fortunë se do të korrni pasojat dhe sovrani do t’u vërë drunë. Mbillni njerzillëk e qytetari që të kemi progres, përparim, prospreritet dhe zhvillime adekuate e të qëndrueshme në interes të qytetarëve e të mbarë shoqërisë. Mbillni e kultivoni atdhetari, patriotizëm, bashkim, dashuri dhe mirëkuptim pa dallime partiake, feje dhe bindje politike. Larg zhurmave mediatike e propagandistike që iu bëjnë apel që të rreshtoheni në këtë apo në atë krahë të politikës. Zgjidhni dhe vendosni vetë për preferencat tuaja politike. Mos ecni qorrazi dhe kuturu mbas thirrjeve retorike të poliikanëve pa dinë e pa imanë që thonë pas meje dhe le të bëhet hataja dhe qameti pasi ashtu ua do dhe ua kërkon interesi vetjak. Të nderuar qytetarë, bëhuni barrierë e fuqishme dhe e pa kapërcyeshme në luftën ndaj korrupsionit këtij balozi të zi, që i ka shtruar tentakulat e frikshme kanceroze në të gjitha fushat e veprimtarisë politike, sociale, ushtarake, ekonomike e financiare dhe denonconi me kurajo dhe guxim çdo veprimtari dhe aferë korruptive e që rëndon si shkëmb në shpatullat tuaja të lodhura e të sfilitura deri në ekstrem. Edhe një herë zotërinj deputetë, boll me tymuese e me flakadanë se lam nam e po çudisim dynjanë.