“Lajthit” ISSH, prej 5 vjetësh nuk zbaton ligjin për daljen 60 vjeç në pension, për minatorët

    456
    Sigal

    Skandali/ Minatori Adem Pengu “ngec” në rrjetën e anarkisë ligjore dhe papërgjegjshmërisë së Sigurimeve Shoqërore

    Instituti i Sigurimeve Shoqërore nuk zbaton që prej 5 vjetësh Ligjin nr. 10165, datë 15.10.2009 “Për përcaktimin e moshës së daljes në pension të punonjësve të nëntokës”. Sipas këtij ligji, punonjësit e nëntokës dalin në pension të plotë pleqërie në moshën 60 vjeç, nëse kanë periudhë të përgjithshme sigurimi 30 vjet, nga të cilat jo më pak se 15 vjet punë në nëntokë. Por, për Institutin e Sigurimeve Shoqërore ky ligj është inekzistent, edhe pse ka gati 5 vjet që është në fuqi. Këtë shqetësim e solli në gazetën “Telegraf” qytetari Adem Pengu, i cili që prej një viti ka bërë kërkesën e parakohshme për pension të plotë pleqërie pranë Sigurimeve Shoqërore Vlorë, të cilët e kanë deleguar çështjen në Institutin e Sigurimeve Shoqërore Tiranë. Por ISSH ka luajtur rolin e “bufonit”, duke e trajtuar ligjin si “pa zot”, pasi, sipas zv/Drejtorit të Përgjithshëm të saj, ky ligj “nuk ka ngarkuar Institutin e Sigurimeve Shoqërore për llogaritjen, caktimin dhe pagesën e përfitimeve”, ndërkohë që ISSH është i vetmi institucion në vend që merret me zbatimin e ligjshmërisë për pensionet. Kjo përgjigje institucionale e ISSH-së, tregon se deri më sot asnjë nga minatorët që plotësojnë kushtet, që ka përcaktuar ky ligj, nuk ka përfituar pension të plotë pleqërie në moshën 60 vjeç (edhe pse është e drejtë e fituar me ligj që prej 5 vjetësh). Ndërkohë, qytetari Pengu i ndodhur përpara kësaj papërgjegjshmëria institucionale dhe anarkie ligjore, i ka kërkuar ndihmë, nëpërmjet një letre, ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, z. Erion Veliaj, që të ndërhyjë për zgjidhjen e këtij problemi, por deri më tani nuk ka marrë asnjë përgjigje. Minatorët me të drejtë ndihen skeptikë nëse do të arrijnë të përfitojnë pension pleqërie kur të mbushin 55 vjeç (me draftin e ri), ndërkohë që ligji aktual në fuqi, për daljen në pension në moshën 60 vjeç, nuk zbatohet nga institucionet përkatëse.

     Letra, drejtuar ministrit Veliaj

     Republika e Shqipërisë

    Drejtuar: Ministrit Erjon Veliaj

    Jam një ish minator, lindur në Pogradec më 24/06/1954 dhe banues ne Vlorë.

    Kam punuar minator në nëntokë në minierë 16 vjet e 8 muaj dhe 10 vjet të tjera në sipërfaqe, bashkë me ushtrinë. Që nga Marsi i vitit 2001 marr trajtim pension të parakohshëm 8.100 lekë sot dhe kjo periudhë na quhet vjetërsi pune. (Sipas Ligjit 8685, datë 9.11.2000 për “Trajtimin e veçantë financiar të punonjësve që kanë punuar në nëntokë”, quhet vjetërsi punë për pension pleqërie, edhe periudha, kur punonjësit e nëntokës trajtohen financiarisht pa mbushur moshën e pensionit, kur: Ka gjithsej 23 vjet punë, përfshi edhe shërbimin e detyrueshëm ushtarak, dhe nga këto gjysma; 11 vjet e 6 muaj i ka në nëntokë. Kjo periudhë përfshihet në vitet e punës gjithsej, por jo në nëntokë).

    Më 24.6.2014 kam mbushur moshën 60 vjeç. Në bazë të Ligjit nr. 10165, të miratuar nga Kuvendi dhe me dekret te Presidentit nr. 6113 datë 29.10.2009, unë duhet të dal në pension të plotë. Por Sigurimet Shoqërore këtu në Vlorë dhe Instituti i Sigurimeve Shoqërore Tiranë më thonë nuk përfitoj, sepse ministri i Financës i atëhershëm nuk ka ngarkuar Sigurimet Shoqërore për zbatimin e këtij ligji. Prandaj, unë kërkoj që ky problem të më zgjidhet nga ju.

    Me respekt

    Adem Pengu

    Shkresa e ISSH-së, drejtuar DRSSH Vlorë

     Lënda: Kthim përgjigje

    Drejtuar: DREJTORIA RAJONALE E SIGURIMEVE SHOQËRORE VLORË

    Në përgjigje të shkresës suaj nr. 1882 prot, datë 22.08.2013, me të cilën kërkoni mendimin tonë mbi zbatimin e Ligjit nr. 10165, datë 15.10.2009 “Për përcaktimin e moshës së daljes në pension të punonjësve të nëntokës”, ju sqarojmë se:

    Subjektet përfituese të këtij ligji janë punonjësit e nëntokës, me periudhë pune të klasifikuar në kategorinë e parë, sipas dispozitave të kreut I të vendimit nr. 526, datë 20.12.1958 të Këshillit të Ministrave “Për ndarjen e punës në kategori, për efekt pensioni”, të ndryshuar, që kanë arritur moshën 60 vjeç dhe kanë periudhë të përgjithshme sigurimi 30 vjet, nga të cilat jo më pak se 15 vjet punë në nëntokë.

    Pensioni llogaritet sipas rregullave të përcaktuara për pensionet e pleqërisë në Ligjin nr. 7703, datë 11.5.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar dhe efektet financiare të këtij ligji, deri në mbushjen e moshës, sipas Nenit 92 të këtij Ligji përballohen nga Buxheti i Shtetit.

    Ligji nr. 10165, datë 15.10.2009 “Për përcaktimin e moshës së daljes në pension të punonjësve të nëntokës” nuk ka ngarkuar Institutin e Sigurimeve Shoqërore për llogaritjen, caktimin dhe pagesën e përfitimeve.

    Ju faleminderit për bashkëpunimin

    Ali Emini

    Zv/Drejtor i Përgjithshëm

     LIGJ Nr. 10 165, datë 15.10.2009

    PËR PËRCAKTIMIN E MOSHËS SË DALJES NË PENSION TË PUNONJËSVE

    TË NËNTOKËS

    Në mbështetje të neneve 78 e 83 pika 1 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, KUVENDI l REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË VENDOSI:

    Neni 1

    Punonjësit e nëntokës, me periudhë pune të klasifikuar në kategorinë e pare, sipas dispozitave të kreut I të vendimit nr. 526, datë 20.12.1958 të Këshillit të Ministrave “Për ndarjen e punës në kategori për efekt pensioni”, të ndryshuar, kanë të drejtë të kërkojnë pension pleqërie kur:

    a) arrijnë moshën 60 vjeç;

    b) kanë periudhë të përgjithshme sigurimi 30 vjet, nga të cilat jo më pak se 15 vjet punë në nëntokë.

    Neni 2

    Pensioni llogaritet sipas rregullave të përcaktuara për pensionet e pleqërisë në Ligjin nr.7703, datë 11.5.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.

    Neni 3

    Efektet financiare të këtij ligji, deri në mbushjen e moshës, sipas Nenit 92 të Ligjit nr. 7703, datë 11.5.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, përballohen nga Buxheti i Shtetit.

    Neni 4

    Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.

    Shpallur me dekretin nr.6313, datë 28.10.2009 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi

    Zgjidhja ligjore, Fadil Kepi: ISSH të zbatojë ligjin!

    Ligji 10165, datë 15.10 2009, botuar në Fletoren Zyrtare nr. 150 “Për përcaktimin e moshës së daljes në pension të punonjësve të nëntokës”, pas dekretimit me nr. 6313, datë 28,10.2009 nga Presidenti i Republikës, ka hyrë në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare. Pra, ka rreth 5 vjet që ky ligj është në fuqi dhe Instituti i Sigurimeve Shoqërore, në kundërshtim me Kushtetutën, nuk e zbaton. Sipas Nenit 3, efektet financiare për nxjerrjen e punonjësit të nëntokës në pension të plotë pleqërie 60 vjeç, sipas ligjit të sipërpërmendur, përballohen nga buxheti i shtetit. Kështu që, kërkesa e qytetarit rezulton të jetë e drejtë dhe Instituti i Sigurimeve Shoqërore, si i vetmi institucion që merret me zbatimin e ligjshmërisë së pensioneve, e ka detyrim ligjor zbatimin me përpikmëri të ligjit të mësipërm. Instituti i Sigurimeve Shoqërore të anulojë menjëherë shkresën e mësipërme dhe t’i caktojë pensionin qytetarit Adem Pengu, sipas ligjit!

     Shënim i redaksisë

    Lidhur me moszbatueshmërinë e Ligjit nr. 10165, datë 15.10 2009, që u jep të drejtën punonjësve të nëtokës të dalin në pension pleqërie në moshën 60 vjeç, presim reagimin publik të Institutit të Sigurimeve Shoqërore.