Kontroll urgjent të PPP-ve, koncesionet të dyshimta dhe pa monitorim. Tjetër njollë për Ahmetaj, kërkohet transparencë urgjente për fondet e rindërtimit

162
Sigal

Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) në vijimësi të raporteve edhe kësaj here vuri alarmin e kuq për nivelin e lartë të rrezikut që paraqesin kontratat koncesionare (PPP) në ekonominë shqiptare dhe kryesisht në stabilitetin fiskal. Menaxhimi i investimeve publike (PIM) ka nevojë për fuqizim. Një numër i madh rekomandimesh nga Vlerësimi i Menaxhimit të investimeve Publike 2016 (PIMA) ende nuk janë zbatuar nga qeveria e Shqipërisë, -vuri në dukje Fondi.

1-Tjetër njollë për Ahmetajn, kërkohet transparencë urgjente për fondet e rindërtimit

Fondi Monetar Ndërkombëtar në deklaratën e fundit të Bordit të Drejtorëve i bëri thirrje autoriteteve shqiptare që të publikojnë kontratat e prokurimit publik që kanë të bëjnë me pandeminë dhe shpenzimet për rikuperimin e tërmetit, emrat e kompanive që kanë fituar kontratat dhe pronarët e tyre përfitues.

Fondi gjithashtu vuri në dukje se qeveria duhet të minimizojë ndryshimin e buxhetit me akt normativ në mënyrë që të ruajë besueshmërinë fiskale. Që kur ndodhi ngjarja e tërmetit dhe më pas ajo e pandemisë, Fondi Monetar Ndërkombëtar i ka kërkuar qeverisë shqiptare në të gjitha misionet që të bëjë transparentë përdorimin e fondeve për këto dy ngjarje.

Kjo është një tjetër njollë, që mbulon ish-ministrin, që pasi “ndriti” ekonominë shqiptare, mori në dorë të gjitha fondet e Rindërtimit.

FMN gjithashtu nxiti Kontrollin e Lartë të Shtetit dhe ente të tjera audituese të ushtronin inspektime mbi përdorimin e fondeve të tërmetit dhe më pas raportet t’i bënin transparente. Mungesa e vazhdueshme e kapaciteteve për vlerësimin dhe menaxhimin e rreziqeve fiskale është shndërruar në shqetësim për Fondin.

Raportet e rreziqeve fiskale, duke përfshirë ato që kanë të bëjnë me detyrimet e Ndërmarrjeve Shtetërore duhet të pasurohen më tej dhe të bëhen më largpamëse. Fondi rekomandoi krijimin e një mekanizmi për të siguruar monitorim sistematik në lidhje me ecurinë e huave të vazhdueshme të qeverisë ndaj Ndërmarrjeve Shtetërore.

Në vazhdim, kushtet për dhënien e huave dhe garancive për Ndërmarrjet Shtetërore dhe komunat duhet të bëhen më të rrepta për të menaxhuar më mirë rreziqet, rekomandoi FMN.

“Pavarësisht reduktimeve në stokun e përgjithshëm, detyrimet e prapambetura vazhdojnë, veçanërisht lidhur me projektet e investimeve dhe çështje gjyqësore dhe gjithashtu puna për përmirësimin e të dhënave për detyrimet e prapambetura duhet të vazhdojë, veçanërisht në lidhje me gjurmueshmërinë dhe automatizimin e të dhënave”, cilësoi Fondi.
Strategjia e re që do të finalizohet më 2023, duhet të adresojë reformat e paplota për parandalimin e detyrimeve të prapambetura,- rekomandoi Fondi.

2- Alarmi për koncesionet: Kontrata të dyshimta, të hartuara keq dhe pa monitorim

Fondi Monetar Ndërkombëtar ka ngritur alarmin për kontratat koncensionare, pasi sipas tyre kanë nivel të lartë rreziku në ekonominë shqiptare dhe kryesisht në stabilitetin fiskal.

Në deklaratën e Bordit të Drejtorëve të FMN, thuhet se projektet e keq-hartuara të PPP-ve për investime në infrastrukturë, mund të pengojnë efikasitetin e investimeve publike dhe të bëhen shkak për të krijuar detyrime të mëdha, të cilat mund të dëmtojnë qëndrueshmërinë e borxhit.

FMN shprehet se asnjë ndryshim domethënës nuk është bërë në kuadrin ligjor, mbi PPP-të. Këto kontrata ishin sa 40% të Prodhimit të Brendshëm Bruto në vitin 2022, por vlerat e projekteve ekzistuese dhe atyre në proces, vazhdojnë të hartohen jashtë procesit buxhetor.

FMN i bën thirrje qeverisë që të dyfishojë përpjekjet për të forcuar kapacitetin e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë që të ketë një rol më efikas në përzgjedhjen e projekteve dhe që të vlerësojë dhe monitorojë kontratat.

Ndërkohë Ministria e Financave në raportin e përvitshëm të koncesioneve ,u shpreh se situata kishte dalë nga kontrolli dhe për shumicën e kontratave, nuk kishte asnjë informacion. Edhe për kontratat që u raportua informacion, ai ishte shumë i cunguar dhe nuk tregoi në asnjë rast se si po ecën zbatimi i tyre.

Pavarësisht paralajmërimeve të FMN, qeveria vijon të shtojë PPP-të. Më i fundit u prezantua ditën e hënë, 12 dhjetor, dhe është për Portin e ri të Durrësit, i cili do të kushtojë 390 milionë euro, ku 46% do të financohet nga buxheti i shtetit, dhe 54% do të investohet nga privatë.