Dhoma Amerikane e Tregtisë mesazh qeverisë: Pastrimi i parave krijon imazhin e një tregu të pasigurt ku nuk duan të përfshihen investitorët serioz

107
Sigal

Amnistia fiskale dhe Pasaportat e Arta janë dy propozime të qeverisë, të cilat i ka kundërshtuar fort kreu i Dhomës Amerikane të Tregtisë, Enio Jaço gjatë një konference. Ai argumentoi se nëpërmjet tyre do të krijohet hapësirë për pastrimin e parave, duke prodhuar një imazh të pasigurt të tregut dhe klimës së biznesit, që do të frenonte investitorët t’i afroheshin Shqipërisë. Për këtë arsye, Jaço kërkoi që qeveria të dëgjojë Dhomat e Tregtisë dhe analizat e tyre ekonomiko-financiare për të kuptuar rrezikun real që paraqesin dy nismat dhe të tërhiqet nga miratimi i tyre.

“Sugjerojmë të frenohen politika, që bien ndesh me çështje si amnistia fiskale apo pasaportat e arta. Këto nuk ndihmojnë në situatën gri ku Shqipëria është. Në zonën e zezë janë Mianmari, Korea e Veriut dhe Irani dhe nuk besojmë se duhet të shkojmë në këtë rrugë. Duhet një luftë e jashtëzakonshme ndaj informalitetit”,-tha Jaço.

Duke e cilësuar Shqipërinë si një zonë gri të manivalit, Jaço theksoi se fenomeni i pastrimit të parave dëmton bizneset e ndershme në vend, frenon investitorët e huaj si dhe dëmton konsumatorin.

“Pastrimi i parave krijon imazhin e një tregu të pasigurt ku nuk duan të përfshihen investitorët serioz. Është jashtëzakonisht negative për investitorët e huaj. Nëse është një treg ku ndodh pastrimi i parave nuk është një treg i sigurt. Kemi tkurrjen e investimeve të huaja dhe rritjen e investimeve që kanë të bëjnë me pastrimin e parave. Ka një tendencë nga publiku që pastrimin e parave e ka parë si një krim të butë. Por pasojat e këtij krimi dëmtojnë biznesin duke i nxjerrë disa prej tyre jashtë loje. Ndikon dhe te konsumatori në mënyrë të drejtpërdrejtë”, deklaroi ai.

Ndër të tjera, Jaço mori shembullin e tregut imobiliar për të treguar se fenomeni i pastrimit të parave në ndërtim ka dëmtuar konsumatorin, duke bërë sipas tij që rritja e çmimit të apartamenteve të mos jetë në proporcion të drejtë me indeksin rritjes së pagave të qytetarëve.

“Unë do të doja që ta shikonit dhe nga aspekti i konsumatorit. Është e prekshme çfarë ndodh me sistemin imobiliar. Çmimet rriten me ritme tepër të larta nga rritja e indeksit të pagave dhe nuk do shumë që ta kuptosh që pas kësaj veprimtarie fshihet fenomeni i pastrimit të parave. Është një terren i favorshëm për grupet kriminale, që duan të pastrojnë paratë”, theksoi kreu i Dhomës Amerikane të Tregtisë.