Ja përpjekjet e dështuara të Qeverisë për të shtyrë afatin e Strasburgut për pronat

    410
    Sigal

    Tryeza për zgjidhjen e pronës, zbardhen debatet midis pronarëve dhe përfaqësuesve të institucioneve shtetërore

    Zbardhen debatet midis pronarëve dhe grupeve të tjera të interesit me përfaqësuesit e institucioneve shtetërore në pjesën e dytë të tryezës së rrumbullakët “Sugjerimet dhe kontributet e grupeve të interesit”, (e zhvilluar pa praninë e medias), të organizuar në 24 tetor nga AKKP dhe Ministria e Drejtësisë, në zbatim të planit të veprimit për zbatimin e vendimit pilot të GJEDNJ. Gazeta “Telegraf” ka në dorë transkriptimin e plotë të debateve të zhvilluara në tryezën “Reforma Ligjore dhe Institucionale e AKKP”. Pronarët, edhe mbas kësaj tryeze, vijojnë të jenë skeptikë, pasi për 23 vjetët e demokracisë, asgjë nuk është bërë për zgjidhjen e problemit të pronës si nga të majtë ashtu dhe nga të djathtë. Ata nuk janë të sigurt nëse e gjithë kjo reformë, e ndërmarrë nga Ministria e Drejtësisë dhe AKKP-ja, është vetëm një fasadë për t’i hedhur hi syve të huajve apo përpjekje për zgjidhjen përfundimtare të çështjes së pronës. Nga ana tjetër, Ministria e Drejtësisë deklaroi se përmbyllja e procesit të kthimit të pronës, si dhe krijimi i një mekanizmi efektiv kompensimi, është një nga prioritetet e qeverisë shqiptare dhe Agjencisë për Kthimin dhe Kompensimin e Pronës. “Grupet e interesit u ftuan në këtë tryezë për të qenë pjesë aktive e diskutimit, si dhe për të dhënë kontributin dhe sugjerimet e tyre, në një kohë që Agjencia për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave është në prag të realizimit të një reforme ligjore dhe institucionale”, thuhej në njoftimin e Ministrisë së Drejtësisë.

     Vendimi pilot i Gjykatës së Strasburgut

    Vendimi pilot i Gjykatës së Strasburgut ishte një nga temat e diskutuara në tryezën pa praninë e medias (përpara së cilës nuk thuhen të gjitha). Ishte znj. Evis Alimehmeti, pedagoge e Fakultetit të Drejtësisë, e cila kërkoi nga zv/ministri i Drejtësisë, z. Idlir Peçi, më shumë informacion në lidhje me vendimmarrjen, në raport me afatin, pra, nëse është përfituar afati i shtyrjes prej një viti siç është pretenduar nga Qeveria. Z. Peçi rrëfeu se qeveria i kishte lëvizur të gjithë gurët për ta përfituar një shtyrje afati të ekzekutimit të vendimeve të Gjykatës së Strasburgut, edhe për faktin se “me logjikën e Rumanisë e cila e kishte shtyrë dy herë afatin, në çështjen “Thanasiu kundër Rumanisë”, të njëjtën gjë donim të bënim edhe ne” është shprehur në përgjigjen e tij Peçi. Ndërsa pohon se ndërkohë “kishte dalë vendimi i Gjykatës së Strasburgut, i cili e hidhte poshtë praktikën e Thanasiut, pra, që nuk kishte shtyrje afati”.

     Debati midis znj Alimehmeti, z. Peçi dhe z. Toro:

     Znj. Evis Alimehmeti, pedagoge te Fakulteti i Drejtësisë:- Ju falënderojmë që pjesë të kësaj tryeze bëtë edhe pedagogë të Fakultetit të Drejtësisë. Marr shkas, edhe nga diskutimi i bërë nga z. Toro, ndoshta ju e dini me shumë se sa ne, në kuptimin e shumëllojshmërisë së kuadrit ligjor që është në fuqi dhe nuk ka asnjë ndryshim në fakt në konstatimet tona, në perceptimet që lidhen me studimin e së drejtës. Unë gjithashtu dhe, besoj edhe kolegët e mi, do të kishim dashur të kishim parë një zbërthim të përmbajtjes të vendimit “Manushaqe Puto etj. kundër Shqipërisë”, vendim i marrë në korrik 2012, hyrë në fuqi në dhjetor dhe skaduar afati 18 muajsh në qershor, në mos gaboj. Ne kemi dëgjuar shpesh dhe kjo do të ishte në fakt ajo që do donim të dëgjonim në mënyrë zyrtare nga ana juaj, një përpjekje për të shtyrë afatin, brenda të cilit Shqipëria duhet të përmbushte detyrat e shtëpisë të lëna nga Strasburgu, nëpërmjet këtij vendimi. Kemi dëgjuar për një afat 1-vjeçar që, në fakt, zyrtarisht nuk rezulton asgjëkundi dhe, të paktën, në njohuritë tona që kemi për mënyrën se si zhvillon dhe realizon vendimmarrjen Gjykata e Strasburgut, nuk duket mundësia për të bërë një shtyrje. Nëse mund të na jepni një informacion në lidhje me: Si jemi me afatin dhe me përmbushjen e detyrave që janë lënë nga Gjykata e Strasburgut për Shqipërinë, në lidhje me këtë vendimmarrje, është tejet e rëndësishme për të kuptuar edhe pasojat, sepse vendimi pilot ka pikërisht një qëllim të caktuar. Ka çështje që priten të zbardhen dhe nuk është vetëm çështja “Manushaqe Puto e të tjerë”, janë dhe çështje të tjera të cilat janë pezulluar deri në zgjidhjen e detyrave ose dhënien e zgjidhjeve nga ana e Shqipërisë dhe nëse zgjidhjet nuk do të jenë në nivelin e parashikimeve të vendimit, me siguri që këto vendime menjëherë do të “shkrihen”, ashtu siç është procedura dhe Strasburgu do marrë vendimin përkatës. Kështu që, një informacion në lidhje me vendimmarrjen, në raport me afatin, pra nëse është një vit, i përfituar siç është pretenduar, siç, në fakt, ju thashë se nuk rezulton të paktën sipas informacioneve zyrtare të Këshillit të Evropës. Gjithashtu një sugjerim tjetër: Flitet për vendimmarrjet e Gjykatës së Strasburgut të përkthyera në shqip, por, në fakt janë vetëm vendimmarrjet që lidhen me Shqipërinë. Ndoshta të përkthyerit në shqip të vendimmarrjeve të tjera mund të jetë, meqenëse e lidh këtu edhe me QPZ në varësi të Ministrisë së Drejtësisë, një masë e dëshirueshme në këtë drejtim, sepse vendimet e Strasburgut kanë një efekt detyrueshmërie përtej çështjeve që lidhen vetëm me kuadrin ligjor të një vendi përkatës.

     Përgjigja e Z. Idlir Peçi, Zv.Minister i Drejtësisë: – Ka një vendim të Gjykatës së Strasburgut kundër Kroacisë, Koza kundër Kroacisë. Deri para këtij vendimi në 2014 janë shtyrë afate, ku Rumania ka qenë një rast i tillë. Ka patur një vendim pilot kundër Rumanisë, ‘Thanasiu kundër Rumanisë’, i ngjashëm shumë me rastin shqiptar, është pothuajse identik rasti. Po jua them që jemi të vetmet vende në Ballkan, (Rumania dhe Shqipëria), që kanë marrë që në fillim zotimin se do të kthejnë dhe kompensojnë 100 % me vlerën e tregut pronarët. Asnjë vend tjetër në Ballkan dhe asnjë vend tjetër në Europën Lindore nuk e ka bërë të njëjtën gjë. Duke filluar që me Gjermaninë Lindore që ka qenë radikale: Nuk ka kthim dhe nuk ka kompensim. Shqipëria dhe Rumania kanë ndjekur këtë rrugë, ndaj duhet të përballen me këto pasoja, që ndoqi politika që në 1991. Kur na erdhi nga Komiteti i Këshillit të Evropës raportimi i radhës, deri në atë moment nuk ishte bërë absolutisht asgjë për përmbushjen e detyrimeve ndaj Manushaqe Putos, kemi patur më pak se tetë muaj kohë. Procedura që ndoqëm ishte e tillë, duke ndjekur rastin e Rumanisë, fillimisht hartuam planin e veprimit të cilin ia paraqitëm Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, i cili në mbledhjen e radhës në mars e përkrahu. Ishte hera e parë, ku vende shumë kritike ndaj Shqipërisë si: Danimarka, Suedia, Norvegjia apo Holanda etj., na përgëzuan. Ky plan veprimi më pas u përditësua, u publikua, u bë zyrtar dhe ne raportojmë vazhdimisht. Me logjikën e Rumanisë e cila e kishte shtyrë dy herë afatin, në çështjen “Thanasiu kundër Rumanisë”, të njëjtën gjë donim të bënim edhe ne. Ndërkohë kishte dalë vendim i Gjykatës së Strasburgut, i cili e hidhte poshtë praktikën e Thanasiut, që nuk kishte shtyrje afati. Kjo është përgjigja. Përgjigja gjendet në vendimet, juridiksionin e Gjykatës së Strasburgut, i cili nuk e ka më këtë praktikë.

     Znj. Evis Alimehmeti: –Në fakt u reklamua një vendim mbi një afat një vjeçar i fituar, i marrë.

     Z. Idlir Peçi: – Nuk e di nga ka dalë ky informacion, nuk ka dalë nga ne.

     Z. Agim Toro:Po të jap unë një përgjigje të thjeshtë, meqë më përmende. Në Vendimin Pilot, te Fletorja Zyrtare extra 86, e vitit 2013, ndodhet vendimi “Manushaqe Puto kundër Shqipërisë”. Në pikën 120 apo 121, thuhet që çështjet e ardhura para vendimit pilot nuk do të shtyhen. Është taksative dhe është vendim i Dhomës së Lartë të gjyqësorit, i cili nuk mund të ndryshojë me asnjë lloj vendimi tjetër politik apo si të jetë. Kështu që ishte e pamundur që të shtyhej.

     Znj. Evis Alimehmeti: – D.m.th nuk është shtyrë, pra, jemi përtej çdo afati?

     Z. Idlir Peçi: – Në gjykatë jo, pra, nuk është kërkuar. Ideja është që ai vendim i Gjykatës së Strasburgut ne na ndalonte, kjo është e gjitha. Ajo që ka thënë Kryeministri është Komiteti i Ministrave. (vijon)

     

    Ledjana Saliu

     Vendimi pilot i Strasburgut, Avokati i Popullit: Të premten në Vlorë, tryeza me pronarët

     Avokati i Popullit njofton se tryeza e radhës për zgjidhje të çështjes së kthimit dhe kompensimit të pronave, do të mbahet të premten, në 5 dhjetor, në qytetin bregdetar të Vlorës. Në këtë tryezë, të iniciuar nga Avokati i Popullit, janë të ftuar grupet e interesit (pronarët), si dhe ministrat e linjës si ai i Drejtësisë, apo ai i Bujqësisë dhe drejtuesve të AKKP-së, ZRPP-së, etj., (mosardhja e të cilëve solli dhe dështimin e tryezës me pronarët në 14 nëntor). Të kontaktuar nga “Telegraf”, pronarët vlerësojnë përpjekjet e vazhdueshme të Avokatit të Popullit, si institucionin e vetëm në vend që ka ngritur zërin për shkeljen e së drejtës së pronës në analizat dhe raportet e herëpashershme për problematikat e legjislacionit të pronave. Avokati i Popullit në raportet e tij është shprehur se kthimi i pronës tek pronari i ligjshëm i saj dhe krijimi i të gjithë kushteve që ai të bëjë gëzimin e plotë të saj, ka qenë dhe mbetet një detyrim moral dhe ligjor i shoqërisë dhe shtetit shqiptar. Ndërsa pohojnë, për gazetën, se qeveria dhe krerët e institucioneve shtetërore kanë dëshmuar, se nuk kanë vullnetin e duhur, duke vijuar kështu, sipas pronarëve, në rrugën e paraardhësve të tyre. Bregdetasit i bëjnë thirrje qeverisë të respektojë afatet e zbatimit të vendimit pilot të Gjykatës së Strasburgut, ndërsa ritheksojnë se ata me kohë e kanë bërë publike zgjidhjen e tyre, në respekt të Kushtetutës së Shqipërisë. “Kur Kushtetuta dhe ligjet e shtetit nuk zbatohen, vendi futet në krizë dhe në anarki”, thonë bregdetasit.