Besim Bacellit: Gjithnjë ka për të ekzistuar ëndrra e lugës së florinjtë

956
Sigal

 Rrëfim për “Telegraf”, i Besim Bacellit: Punova për 4-5 vjet me radhë në tharjen e kënetës së Maliqit

Punoja me traktor bashkë me traktoristët e tjerë, gjithë jetën shpresuam se do të vinte një ditë që do të hanim me lugë prej floriri, kështu mendojmë edhe sot pas 24 vitesh demokraci

 Korçë-  Besim  Bacelli, tashmë 85 vjeç, trupmadh, gjë që tregon se dikur në rininë e tij,  ka qenë mjaft i fuqishëm, dëshiron të na rrëfejë jetën e tij si traktorist dhe të kolegëve të tij, të cilët patën fatin të punojnë në gjithë vendin nga jugu në veri, herë si traktoristë dhe herë si kombajnerë. “Gjithë jetën shpresuam,- na thotë Bacelli,- se do të vinte një ditë që do të hanim me lugë floriri, por kjo nuk ndodhi. Kështu mendojmë edhe sot, por përsëri kjo ëndërr duket shumë e largët. A do të ndodhë vallë ndonjëherë? Njerëzve u mbetet të ëndërrojnë, shpresa vdes e fundit,- shprehet ai,- dhe pasi qëndron një çast i heshtur si për të kujtuar vitet e ikura që nuk do të kthehen më kurrë, nis sërish nga rrëfimi, por fillimisht dëshiron të na thotë edhe diçka tjetër: “Kam mbetur paksa i habitur nga kërkesa juaj për të më  intervistuar,- sepse tashmë për njerëzit e thjeshtë shkruhet  shumë pak, ndërsa për traktoristët nuk i bie ndërmend kujt. Ndoshta gazetarët mendojnë se njerëzit e thjeshtë nuk kanë asgjë për të treguar. Por e vërteta është krejt ndryshe, gjithë hallet kalojnë mbi njerëzit e punës dhe e vërteta shkruhet në shpirtin e tyre. Të tjera histori shkruhen për njerëzit e mëdhenj. Shpesh historitë e tyre shkruhen siç dëshirojnë ata vetë.

Për një jetë ndryshe

Unë kam lindur në fshatin Bulgarec të Korçës, shtyn më tej rrëfimin e tij Besim Bacelli. Traktori kishte qenë ëndrra ime. Ndoshta kjo ëndërr u ngjis tek mua që kur pashë traktorin për herë të parë. Pata përshtypjen se me atë mjet mund të shembja edhe malet. Më vonë, kur hipa në traktor dhe ai nisi t’u bindej “urdhrave” të mia e ndjeva veten edhe më të fuqishëm. Nuk do të kursehesha për asgjë. Do të punoja shumë, ashtu si gjithë të tjerët dhe jeta jonë do të ndryshonte. Besoja gjithashtu se traktori me shpirtin prej çeliku nuk do të lodhej asnjëherë. Isha i ri atëherë. Ashtu si mua shpresonin edhe shumë të tjerë. Njerëzit e partisë gjithnjë na flisnin për jetën e re që duhej të ndërtonim, për lumturinë dhe për bukën që nuk do të na mungonte kurrë. Njerëzit nuk do të kishin më halle, varfëria nuk do të rikthehej më. Në të vërtetë, babai më thoshte që në kohën e tij kishin qenë disi më mirë, por unë nuk doja t’i merrja si të vërteta. Besoja vetëm te ëndrrat e mia: vetëm jeta që do të ndërtonim ne të rinjtë do të ishte më e bukura e të gjitha kohërave. Njerëzit e partisë na porosisnin vazhdimisht: T’i besojmë partisë, do të na duhet të kalojnë edhe disa vjet dhe pastaj gjithçka do të niste të ndryshojë vit pas viti. Vendi do të bëhet i begatë dhe nuk do të na mungojë asgjë. Ishte pikërisht kjo kohë kur nisëm të ëndërronim se do të hanim me lugë prej floriri.  Ëndrrat e mëdha lindin në skamje të mëdha. Unë kisha nisur punë se SMT-ën e Korçës. Për mjaft kohë punova nëpër arat e kooperativës.

Në kënetën e Maliqit  

Pavarësisht nga të gjitha  për mua mbetej e rëndësishme vetëm një gjë: isha bërë traktorist.  Ëndrra ime ishte realizuar. Kështu do të realizoheshin, njëra pas tjetrës edhe ëndrrat e tjera; nuk mund të vinin të gjitha njëherësh. Pastaj më dërguan në tharjen e kënetës së Maliqit. Punova atje për 4-5 vjet me radhë. Bashke me mua ishin edhe traktoristët Skënder Nexhipi, Guri Miçi Noti, Dake Leshnja, Skënder Tupe, Krati Vakëflliu, Jorgo Kaçauni, Sami Bakalli, Muhamet Bamllari etj.

 Puna ishte mjaft e vështirë. Njerëzit zhyteshin në baltë gjatë gjithë ditës. Kishin mbledhur aty gjithë të dënuarit, njerëzit që kishin qenë të pasur, ose siç i quanin në atë kohë, “borgjezë”. Aty ishin të gjithë: ish-tregtarët, priftërinj, hoxhallarë, njerëz që thuhej se kishin luftuar për këtë vend, por që për të gjithë thuhej se kishin qenë kriminelë. Të gjitha këto nuk më lanë ndonjë përshtypje të mirë, por atë kohë isha i ri dhe ende shpresoja te jeta që do të ndërtonim ne. Megjithatë, dëshiroja të ikja sa më parë nga këneta dhe të shkoja diku tjetër, ku të mos më zinte syri njerëz të përvuajtur, të dënuar e hallexhinj. Babai, që mesa duket më kuptonte në gjithçka që mendoja, vazhdonte të më thoshte se në kohën e tij jeta kishte qenë disi më tjetër, por unë qëndroja i heshtur dhe nuk i ktheja përgjigje. “Ndoshta do të na duhen edhe disa vjet që jeta të nis të ndryshojë”,- kujtoja fjalët që na thuheshin nëpër mbledhje.

Ndërtimi i stadiumit “Skënderbeu”

Më në fund më hoqën nga këneta e Maliqit dhe më dërguan në Korçë. Ikja nga këneta më çliroi nga ankthi që më kishte kapur. Atje kishte vetëm trishtim dhe vuajte të pafundme. Nuk kisha pasur asnjë dëshirë të përballesha me pamje të tilla. Me të tjera ëndrra dëshiroja ta mbushja shpirtin tim. . Gjithsesi nuk do të isha më në kënetë. Në Korçë do të ndërtohej stadiumi i “Skënderbeut”. Punuam aty gjatë viteve 1955-1957. Nuk isha vetëm, punoja së bashku me traktoristët e tjerë: Faik Shameti, Nazif Liço. Koço Orgocka etj. Ndërtimi i fushës së futbollit më kishte bërë më krahë. Atëherë nuk isha veçse 25 vjeç. Fal punës tonë, Korça do të kishte një stadium më të mirë, dhe kjo do të na jepte të drejtën të krenoheshim. Ekipi do të kishte mundësi të stërvitej më mirë dhe doemos fitoret do të ishin më të mëdha. Prisnim që “Skënderbeun” ta shihnim kampion, por kjo në të vërtetë nuk ndodhi, megjithatë ekipi kishte fituar një emër të mirë. Sa herë shkoja në stadium ndihesha mire; aty ishte edhe mundi im. Por, sigurisht, që jeta të ndryshonte duhej të kalonin edhe disa vjet. Deri atëherë, që nga dita e çlirimit, kishin kaluar më shumë se 10 vjet, por ne ende shpresonim të ndryshimi i madh që nuk do të vononte. Korça nuk kishte pasur stadium, kurse tani e kishte. Nesër do të kishte vepra të tjera edhe më të mëdha. Në të vërtetë shumë gjera  u ndërtuan, por çuditërisht jeta e njerëzve vazhdonte të mbetej “në vend numëro”.

Ndërtimi i parkut “Rinia”

Pas përfundimit të stadiumit “Skënderbeu”, nisëm të punonim për ndërtimin e parkut “Rinia” në Korçë. Deri në atë kohë kishin ekzistuar tri lulishte të bukura:  e “Themistokli Gërmenjit”, e princeshës “Sanije Zogu” dhe “Lëndina e lotëve”, por lulishtja që do të ndërtonim ne do të ishte më e madhja dhe më e bukura në gjithë qytetin e Korçës. Asgjë nuk mund të krahasohej me të, as me kohën e Zogut dhe as me periudhat e tjera të mëparshme. Koha e re që po lindte do të ishte krejt ndryshe me shumë shpresa e me shumë begati.  Dhe vërtet ne ndërtuam parkun më të madh e më modern të kohës. Do të ishte një vend i bukur ku të rinjtë mund të kalonin kohën e lirë. Tani edhe rinia nuk do ti ngjasonte më rinisë së dikurshme. Martesat nuk do të bëheshin si qëmoti me mblesëri, shoqen e jetës duhej ta gjeje vetë. Atë mund ta njihje në frontin e punës. Dashuria do të ishte baza e familjes që do të ndërtonim.

Ndërtimi i plantacionit të mollëve  

Gjatë viteve 1957-58, bashkë  me Kosta Spahon, Nazif Liçon, Faik Shametin, Shyqyri Bariun etj punuam për ngritjen e plantacionit të mollëve në fshatin Dvoran. Ishte vërtet një punë e madhe, por tashmë kisha filluar të kuptoja se jeta që kishim nisur të ndërtonim nuk do të ishte dhe aq e lehtë sa e kishim menduar. Punonim gjithë ditën, nga mëngjesi deri në mbrëmje, kur befas traktori ndalej dhe nuk lëvizte nga vendi. Herë pas herë pajisjet e konsumuara të tij nuk rezistonin më. Shpirti i tij prej çeliku “vdiste” herë pas herë. Në raste të tilla, të cilat ishin të shpeshta, pasi çmontonim pjesën e këmbimit, e merrnim atë në sup dhe niseshim më këmbë drejt SMT-së Korçës.  Prisnim atje deri sa të rregullohej, (në rast se mund të riparohej), dhe përsëri e hidhnim në sup për ta çuar te traktori. Nuk kalonin shumë ditë dhe diçka tjetër do t’i këputej traktorit. Shpesh nuk kishim kohë as të hanim një kafshore bukë. Pluhuri na mbulonte nga këmbët te koka, vaji dhe grasoja nuk na ndaheshin për asnjë çast. Nuk do t’i harroj kurrë përpjekjet e gruas time, e cila rrinte gjithë natën që të më lante rrobat e t’i thante, që në mëngjes unë t’i gjeja gati. Kështu vazhdoi jeta ime dhe e kolegëve të mi deri në vitet 90-ë. Shpesh, madje shumë shpesh, çoja në shtëpi fletëlavdërimi. Në fillim, gjithë njerëzit e familjes i prisnin këto “letra” si ngjarje të veçanta, por më pas ata u mësuan me to dhe askush nuk gëzohej më. Kishin të drejtë. Mund të kem çuar në shtëpi me qindra fletëlavdërimi. Sa herë më shihnin të ngarkuar me hekurat e traktorit më jepnin edhe nga një fletë nderi.

Tri herë i dekoruar

Po , edhe unë si shumë të tjerë u bëra anëtar i Partisë së Punës së Shqipërisë. Tashmë nuk kisha më të drejtë të ankohesha që pjesët e këmbimit të traktorit i çoja në SMT, duke i mbajtur në krah. Jeta që do të ndërtonim kërkonte sakrifica të mëdha. Fillimisht kaluan 10 vjet, pastaj edhe 10 të tjera, pastaj edhe 10 të tjera…  por ndryshimi i madh nuk po dukej. Babai vazhdonte si gjithnjë me shprehjen e tij: “Në kohën tonë jeta ishte disi më tjetër…”, por unë nuk mund t’i ktheja dot përgjigje. Kuvendi Popullor më kishte dekoruar tri herë me radhë me medalje pune.. Ne duhej të punonim më shumë që ëndrra e lugës së floririt të vazhdonte gjithnjë, të mos shuhej për asnjë çast dhe asnjëherë, sepse shpresa vdes e fundit. Kështu ndodh edhe sot e kësaj dite. Gjithnjë ka për të ekzistuar ëndrra e lugës së florinjtë”. Me këto fjalë e mbylli rrëfimin e tij Besim Bacelli.

Vepror Hasani