Durrës/ Porto-Romano po merr çdo ditë jetë njerëzish

    406
    Sigal

    Ndotja ka arritur nivele alarmante, lindani dhe fekalet mbulojnë fushat e oborret

    Zona e Porto-Romanos në Durrës, e ndodhur vetëm 4 km larg qytetit, po merr qindra jetë njerëzore çdo vit. Ndotja ka arritur nivelet alarmante, duke tejkaluar çdo parashikim të ambientalistëve dhe infeksionistëve. Mbi 25 mijë banorët e Porto-Romanos, po jetojnë mes ferrit dhe mbijetesës, pasi prej disa muajsh në fusha dhe deri në oborret e shtëpive, përhapet era e keqe e lindanit kinez, ardhur qysh në vitin 1974 për nevojat bujqësore të asaj periudhe. Banorët e Porto-Romanos, shprehen të indinjuar  pasi deri sot nuk kanë parë asgjë të re nga shteti. Asnjë ndërhyrje për eliminimin e mbeturinave të helmeve 45 vjeçare madje të magazinuara prej vitit 2008, por të derdhura edhe në vende publike. Banorët e asaj zone, pothuajse çdo javë mbushin pavionet e spitalit Rajonal të Durrësit, pas problemeve me infeksionet  bronkite, dermatologjike, dhe infeksionet e çuditshme të  cilat  nuk po  kursejnë nga fëmijët e sapo lindur deri tek pleqtë e moçëm. Bujar  Musaku  mjek  infeksionist në  Spitalin Rajonal Durrës tha për  “Telegraf” se “ndotja e madhe e zonës së Porto-Romanos duhet të kthehet në problem  kombëtar, kemi të regjistruar mbi 11 mijë vizita në vit vetëm nga banorët e asaj zone të kontaminuar, kemi  mbi  5 mijë  pacientë me sëmundje kronike dhe qindra të tjerë që marrin kurim ambulator  pasi pas analizave u është konstatuar  nivel i lartë i helmeve në gjak”. Porto-Romano u quajt si “Çernobili shqiptar” në vitin 2010 pas vizitës së një grupi mjekësh nga OBSH në Durrës, ku ata vunë alarmin kur panë  dhe konstatuan  kushtet çnjerëzore me të cilat jetonin dhe përballeshin  banorët atje. Por pavarësisht se qeveria e asaj kohe mori masat  “urgjente”  duke vendosur sasinë më të madhe të lindanit kinez  në  bunkerë dhe magazine të braktisura, duket se një dorë  vrastare po nxjerr jashtë gjithçka. Prej afro 2 muajsh  banorët e zonës së Porto-Romanos po ngrenë zërin e tyre të protestës  për  ti kujtuar  qeverisë  premtimin  për eliminimin e helmeve, dhe jo groposjen e tyre. Kjo pasi groposja e lindanit do të thotë të helmosh për 100 vjet të gjitha burimet ujore të asaj zone. Statistikat spitalore flasin për rreth 400 vdekje në vit vetëm nga lindani  në zonën e Porto-Romanos, dhe sërish heshtje dhe vetëm neglizhencë nga autoritetet vendore dhe qendrore. Por sikur të mos mjaftonte  kjo situate e tmerrshme, prej afro 1 muaji  në Porto-Romano  nuk shkon asnjë automjet për largimin e mbeturinave të cilat çdo ditë  derdhen  nga banorët  rrugëve dhe rrugicave të lagjes. Kjo pasi firma e cila merret me pastrimin e qytetit (pasi Porto-Romano futet brenda vijës së verdhë)  ka “harruar” të dërgojë atje mjetet e saj. Banorët  paralajmërojnë  protesta dhe bllokimin e rrugës nacionale, në rast se nuk merren masa urgjente. Ata shprehen të indinjuar se “veç erës së tmerrshme të lindanit, tani na u shtua edhe era e keqe e plehrave të cilat janë  bërë si male në çdo cep të lagjeve, na  sëmurën, po na  marrin jetën , kjo është  e padurueshme”. Porto-Romano  kërkon  masa  urgjente, ndërhyrje  me investime dhe eliminimin  e plotë  dhe përfundimtar  të ndotjes nga lënda më e tmerrshme kimike lindani, i cili duhej të ishte dhe duhet të jetë këmbana  e një epidemie e cila mund të përhapet dhe pse jo, edhe në qytetin e Durrësit.

    Artur  AJAZI