Investimet strategjike/ Afati i ri i ligjit që grabiti pasuritë kombëtare zgjatet deri në dhjetor 2027, pritet të marrin status edhe 40 projekte

35
Sigal

 

Ligji për investimet strategjike i miratuar nga viti 2015 vazhdimisht ka marrë shtyrje duke u argumentuar me rritjen interesit për Shqipërinë, por së fundmi ky afat është kërkuar të jetë në fuqi deri në fund të vitit 2027.

Deputeti Eduard Shalsi njëkohësisht Kryetar i Komisionit për Ekonominë dhe Financave ka dorëzuar një propozim ku përveç afatit ka sugjeruar edhe ndryshime të tjera të lidhura me vlerat minimale të investimit dhe punësimit që duhet të përmbushin projektet që përfitojnë nga ky ligj.

Referuar relacionit që shoqëron projektin thuhet se në total nga viti 2016 e deri më sot të paktën 88 projekte investimi kanë kërkuar që të përfitojnë statusin e investimit apo investitorit strategjik. Nga këta 40 prej tyre e kanë përfituar atë ndërkohë që 14 projekte janë refuzuar dhe 34 janë në fazë vlerësimi.

“Pjesa me e madhe e këtyre projekteve janë në sektorin e turizmit ose turizëm i integruar. Duke qene se interesi i subjekteve është ende shumë i lartë për këtë paketë ligjore dhe fluksi dhe stoku i investimeve të huaja në vend janë në shifrat më të larta krahasuar me 10 vjeçarin e fundit, me qëllim shmangien e krijimit të këtij boshllëku ligjor, si dhe të pasojave që mund të krijohen prej tij, është menduar zgjatja e afatit të paraqitjes së kërkesave deri në datën 31 dhjetor 2027”- thuhet në relacion.

Ligji për investimet strategjike parashikon masa mbështetëse, nxitëse apo lehtësuese për projekte që parashikojnë vlera të konsiderueshme investimi apo sjellje të markave ndërkombëtare.

Sipas ligjit aktual vlera minimale e një projekti të propozuar për të marrë status potencial strategjik është 30 milionë euro ndërkohë që për procedurë të veçantë 50 milionë euro.

Propozimi i ri i ardhur nga deputeti i mazhorancës është që të rritet kjo vlerë investimi ku ajo minimale e një projekti të propozuar për t’u kualifikuar si investim potencial strategjik të jetë mbi 50 milionë euro, në sektor ose të krijoje minimalisht 300 vende pune.

Ndërkohë që nëse subjekti synon procedurën në sektor, vlera e investimit të jetë e barabartë ose më e madhe se 100 milionë euro ose investimi të krijoje minimalisht 500 (pesëqind) vende te reja pune.

Një tjetër element që synohet sipas relacionit është ajo sa i takon vlerësimit të projekteve dhe ndjekjes së zbatimit të tyre.

Njëkohësisht propozimi për ndryshime synon edhe rritjen e përgjegjshmërisë së vlerësimit të këtyre projekteve duke detajuar procedurën e vlerësimit, ndarjen e përgjegjësive, si dhe në ndryshimet e ligjit përcaktohen dhe kushtet për monitorim kontrate/marrëveshje dhe shfuqizim statusi në rast mosplotësimi të kushteve të dakordësuara më parë” thuhet në relacion.