Ilmi Qazimi: Virtytet e mësuesit dhe intelektualit Rrahman Celibashi

475
Sigal

 

Korrekt dhe i ndershëm-dy cilësitë kryesore në rrugën e sukseseve

E kishim bërë zakon  që në atë ditë t’i festonim datlindjen.Vajza e tij e dashur, Diana, ishte mësuar që pikërisht në atë datë të priste vetëm urime nga brenda dhe jashtë vendit, prej vëllezërve, motrës, nipërve, mbesave, kushërirave,nga Dashamiri, Berti prej Greqie, Veriu nga Italia, Leonardi prej Amerike, por edhe nga shumë miq, të afërm, të njohur. Ishte ditë e ftohtë dimri ajo e 8 janarit 2022, kur morëm lajmin e ndarjes nga jeta  të mësuesit veteran dhe kuadrit të mirënjohur të Skraparit, Rrahman Celibashi. Ditëlindjen e tij, ndoshta, ishte po ai që e ktheu edhe në ditë të largimit fizik prej jetës.Vallë a ka të bëjë kjo me shpirtin e pastër të atij njeriu aq të mirë? Vallë a mos ai donte që njerëzit t’i mblidhte për ta kujtuar vetëm një herë, në një ditë të vetme?

Nxënës i zellshëm dhe kuadër i përkushtuar

Rrahmani kish lindur më 8 janar të vitit 1936, në fshatin Therepel të Skraparit, në një familje të varfër, por mjaft arsimdashëse, punëtore, mikpritëse dhe shumë patriote. Pasi mbaroi shkollën fillore në vendlindjen e tij, ai vijoi shkollën 7- vjeçare në qytetin e Çorovodës dhe studimet i kryente me bursën e shtetit, ku i mbuloheshin të gjitha shpenzimet. Konvikti i shkollës u kthye në një shtëpi të dytë të Rrahmanit, por edhe atyre nxënësve të tjerë të ardhur edhe nga fshatrat e ndryshëm të rrethit. Vitet e para pas çlirimit ishin vërtet të vështira për vendin tonë, por pushteti popullor shtroi direktivën “na duhet më shumë bukë dhe kulturë”. E mbi këtë bazë u çelën shumë shkolla dhe krahas u përgatitën edhe kuadrot mësimdhënës. Rrahmani, nga që ishte me rezultate të larta dhe i talentuar, u përzgjodh të ishte njeri prej djemve që do të niste studimet në Shkollën Pedagogjike ose Normale siç vazhdonte të quhej asokohe në Elbasan.

Njëherazi , në atë shkollë ai kreu edhe kursin për gjuhën e huaj ruse dhe pas mbarimit të kësaj shkolle u emërua në zonën e Tomorricës në fshatin Gjerbës, në një shkollë ku kishte shumë pak mësues skraparllinj. Pjesa kryesore e kolegëve të tij ishin të ardhur nga rrethet e tjera, si Berat, Shkodër, Tiranë, Durrës dhe Gjirokastër. Puna e tij e mirë dhe cilësore si mësues dhe edukator ra shumë shpejt në sy dhe pas pak vitesh Rrahman Celibashi emërohet si inspektor në seksionin e arsimit të rrethit, ku punoi deri në vitin 1963. Gjithsesi në ato vite hedh shtat në Poliçan Uzina Mekanike me karakter ushtarak,( më vonë kombinat), vepër kjo që kishte shumë nevojë jo vetëm për fuqi punëtore, por edhe për kuadro drejtues e të shkolluar. Emërimi i tij si përgjegjës, apo e thënë ndryshe, shef i administratës së Uzinës, ishte një detyrë e re dhe një përzgjedhje që u bë prej nomenklaturave përkatëse mbi bazën e karakteristikës së tij të shkëlqyer. Jo rastësisht ishte zgjedhur ky kuadër i aftë, sepse kishte cilësi të larta njerëzore, ndjenjë përgjegjësie dhe ndërgjegje të pastër në punë si dhe një sërë aftësish profesionale në shërbim të detyrës dhe njerëzve. Ishin këto virtyte  që u bënë arsyeja kryesore e njohjes për mirë të Rrahmanit, nga tërë efektivi i ndërmarrjes, nëpunës, punëtorë dhe kuadro drejtues të këtij kombinati, të cilët krijuan respekt absolut për njeriun dhe kuadrin e duhur, në vendin e duhur, në një institucion të atillë të rëndësishëm të kohës.

Bashkëpunimi me vartësit, dëgjimi i zërit të punëtorëve, zbatimi me korrektësi i disiplinës ligjore, rregullave dhe normave shtetërore, por sidomos zgjidhja e problemeve, halleve dhe kërkesave të njerëzve, ishin treguesit më të dukshëm në punën e Rrahmanit që e bënë atë të kujtohet me respekt të veçantë prej aq shumë njerëzve që punuan në atë kombinat. Njëri prej atyre që pati fatin të njihte nga afër vlerat e tij, ishte Hysen Flamuri nga Gjerbësi i Skraparit, i cili përveç detyrës si drejtor shkolle, ishte i zgjedhur edhe kryetar i këshillit popullor të qytetit të Poliçanit. Hyseni ripërsëriste gjithnjë fjalinë e tij të dalë nga shpirti se “të gjitha problemet që lindnin aty, ne i  zgjidhnim me ish-mësuesin tonë të respektuar Rrahman Celibashi, të cilin e kisha patur në punë në vitet 1957-1958”.

Për nevojat e Kombinatit, në vitet 1969-1970, Rrahmani dërgohet për një specializim në Republikën Popullore të Kinës. Pas kthimit në atdhe, ai sërish punoi për pak kohë në zonën “C” të prodhimit, për t’u vendosur përsëri në drejtim të administratës e atij kombinati, detyrë të cilën e kreu me devotshmëri deri sa plotësoi moshën për të dalë në pension.

Shembull frymëzimi për shkollim edhe në familje

Tepër i veçantë është fakti që Rrahmani ka qenë mësues dhe frymëzues edhe i motrave dhe vëllezërve të tij, gjithësej gjashtë  vëllezër e dy motra. Një familje e tillë ishte kthyer realisht në një model arsimimi për gjithë atë trevë, duke përmendur faktin që Përparimi dhe Refideja mbaruan shkollën e lartë dhe u diplomuan po mësues  për matematikë. Ndërkaq  Përparimi vijoi të shërbente edhe si pedagog dhe shef katedre në shkollat ushtarake në Tiranë.  Zamiri mbaroi studimet në Universitetin Bujqesor Kamëz dhe u diplomua agronom, duke punuar për shumë vite mësues biologjie dhe kimie në shkollën e mesme bujqësore Vëndreshë dhe në atë nëntëvjeçare Therepel. Vëllai tjetër, Ajeti mbaroi Shkollën e Lartë  të Bashkuar të Oficerëve, duke shërbyer gjatë deri në ditët e sotme si ushtarak në struktura të ndryshme të ushtrisë dhe policisë.

Rrahmani i martuar me Gjyrxhi Hasanaj nga Zabërzani, kanë lindur e rritur pesë fëmijë, katër djem dhe një vajzë, që të gjithë të shkolluar dhe edukuar në nivelet e kohës. Leonardi, përveç studimeve në shkollën e mesme të ndërtimit në Tiranë, vijoi studimet edhe në shkollën e kuadrove rezervistë në Zall Herr të Tiranës, si dhe Shkollën e Bashkuar të Oficerëve në kryeqytet. Për vite me radhë punoi në Përmet dhe Skrapar si oficer, dhe tani jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Djali tjetër, Dashamiri u diplomua ekonomist i lartë dhe kryen detyrën e shefit të transportit në Bashkinë e Elbasanit. Ndërsa tre fëmijët e tjerë Berti, Veriu e Djana, vazhduan studimet në shkollën mekanike të Poliçanit dhe punuan për shumë vite aty ku punoi babai i tyre i dashur, në Kombinatin mekanik të Poliçanit. E gjithë familja Celibashi, e gjerë dhe me shumë anëtarë, e ka konsideruar Rrahmanin si mësuesin dhe krenarinë e saj, sepse ai ishte frymëzues dhe ndjekës i kujdesshëm i përparimit në shkollë të të gjithëve. Ai e kishte kuptuar dhe përjetuar vetë se sa rëndësi ka shkollimi dhe edukimi i brezit pasardhës për të vijuar ngjitjen më lart të ekonomisë, jetës familjare dhe tërë shoqërisë. Prandaj ai sherbeu për ata si model jo vetëm në rrugën e arsimimit, por edhe të një jete sa më të virtytshme e sa më të vlefshme për interesat e atdheut, shoqërisë, familjes.

Dasmë në futboll

Në librin e botuar së fundmi “Qyteti i 5 shtatorit”, autori Ilir J.Hoxha zbulon detaje nga aktiviteti i njeriut të respektuar Rrahman Celibashi, në moshën e rinisë së tij, përsa i përket sportit të dashur të futbollit. Rrahmani ishte themeluesi dhe anëtari i formacionit të parë të ekipit “5 Shtatori”, krahas emrave të tillë të mësuesve dhe kuadrove aq të respektuar e të paharruar Emir Qafa, Myslim Hotova, Hektor Bregasi, Syrja Carçani, Muharrem Memollari, Bardhyl Dardha, Enver Kahremani, Zenel Dyrmishi, Zihni Hasanaj, si dhe Xhevdet Shallari. Duke iu referuar shkrimit “Dasmë në futboll”, autori shkruan se 31 korriku 1960 solli takimin “5 Shtatori” me  “Tirana rreth”. Kjo ditë ishte dy herë e rëndësishme për mësuesin nga Therepeli, Rrahman Celibashi, mbrojtësin e ekipit që ishte njëherazi edhe mësues. Pikërisht atë ditë, ai do të zyrtarizonte edhe martesën e tij me zonjën e nderuar Gjyrxhie Hasanaj. Karvani i dasmorëve pasi do të përshëndeste shokët e skuadrës, do ta vijonte rrugën për ta pritur dhëndrrin në pasdite vonë. Një histori vërtet interesante, por që u vlerësua nga drejtuesit kryesorë të partisë dhe pushtetit në rreth, të cilët i vendosën në dispozicion një makinë të vogël “Gaz 69”, më e mira e kohës, për ta dërguar dhëndrrin në Therepel pas ndeshjes, për ta vazhduar dasmën sipas traditës. Kjo histori, që mbeti e tillë deri në ditët e sotme, tregonte jo vetëm se sa vlerë kishte futbolli atëkohë kur ai nuk konsiderohej  biznes, por veçanërist se sa shumë çmohej  profesioni i mësuesit si edukatori gjithanshëm i brezit të ri. Është ky fakt që flet se sa respekt gëzonte Rrahmani në qytetin e Çorovodës dhe në tërë ato anë ku ai kishte lënë gjurmë të pashlyera mirësie, atdhetarie dhe njerëzore. Më pas ai, natyrshëm zgjodhi të mos mbetej  futbollist, por roli i tij ishte si përgjegjës ekipi dhe organizator i futbollit të skuadrës “5 Shtatori”.

Korrekt dhe i ndershëm-dy cilësitë kryesore në rrugën e sukseseve

Mirësia dhe edukata e tij, ishin tipar dallies, që e kanë gdhëndur në memorien e tyre shumë nga nxënësit për ish-mësuesin e dashur dhe të respektuar Rrahman Celibashi. Puna e tij këmbëngulëse, sfidonte edhe vështirësitë e kohës dhe në tërësi ai nuk lejonte që nga duart e tij të delnin asnjëherë nxënës të papërgatitur. Ishte njeri me edukatë, urtësi dhe të ushqente shpresë, durim e guxim me fjalët dhe veprimet si edukator. Novrus Naska,një punonjës i hershëm i arsimit në Skrapar, vlerëson lart aftësitë profesionale, virtytet dhe cilësitë e mira të Rr.Celibashit, si mësues por edhe si inspektor arsimi. Nga kujtimet e tij ai risjell në vëmendje punën që bënte në makinën e shkrimit, si tematikën e dokumenteve të zyrës dhe sqarimet e detajuara që iu jepte çdo vartësi apo qytetari për problemet që delnin gjatë punës. Zonja Liri Naska ruan të njëjtën konsideratë pozitive si ish-nxënëse, duke treguar se sa bukur shpjegonte mësues Rrahmani në orën e mësimit të gjuhës ruse, duke e bërë atë një gjuhë të dashur falë mënyrës se si e përcillte materialin mësimor te nxënësit.

Novruz Zaimi ish-punonjës i kinoklubit të qytetit të Poliçanit përmes kujtimeve të tij vjen në dy këndvështrime. Së pari ish-qytetarë të të njëjtës qendër banimi, por punësuar në sektorë të ndryshëm, e së dyti, si mik, ngaqë u martua më pas me Refidenë, motrën e Rrahmanit. “Korrektesa, rigoroziteti, ndershmëria në punë dhe ndihma, që iu jepte të tjerëve, ishin tiparet e atij njeriu që tani nuk e kemi më midis nesh. Mbasi u bëmë miq unë mësova se shpirti i kunatit tim ishte gjithnjë i prirur për të vendosur e forcuar ura sa më të shëndosha miqësie duke ruajtur traditat më të mira të krahinës,”- thekson Novruzi. Edhe për inxhinier Zenel Çeçon, Rrahmani përfaqësonte një vlerë të shtuar shoqërore e shtetërore të atyre anëve. “Tek Rrahmani shikoje njeriun e mirë dhe zyrtarin korrekt, që gjithnjë shpaloste kulturë dhe komunikim të veçantë njerëzor. Problemet i zgjidhte pa nerva, pa ngritur zërin dhe gjithçka shkonte  konformë normave e rregullave në administratën ku ai drejtonte. Ishim fqinjë shumë të respektuar me njëri-tjetrin dhe kujtoj se ai qe edhe një kryefamiljar shembullor,”-tregon me tronditje shpirtërore inxhinieri.

Zenel Myslimi, ish-sekretar ambasade në Suedi, duke iu rikthyer kujtimeve të rreth vitit 1967 kur ishte në Kombinatin Mekanik Ushtarak të Poliçanit, rrëfen se asokohe kishin ardhur shumë punëtorë e kuadro nga Gjerbësi, Çorovoda e tërë Skrapari, të cilët pohonin se drejtues i administratës ishte një burrë zotëri, një ish-mësues, që quhej Rrahman Celibashi. “Puna më lidhi edhe mua me të. Cilësitë e tij aq të larta i kam edhe sot parasysh. Njeri tepër korrekt, shumë i kujdesshëm dhe mjaft i vëmendshëm. Pas shkollimit dhe kualifkimit tim, m’u dha mundësia të punoj në disa ambasada të Shqipërisë, si në Danimarkë, Finlandë, Islandë, Suedi. Kudo ndoqa ato porosi dhe rregulla që më mësoi mësuesi im i jetës, njeriu që  gjeneronte kurdoherë pozitivitet dhe marrëdhënie të ndershme njerëzore.” Dhe në të vërtetë Rrahman Celibashi, me ato të mira që ka bërë e me ato gjurmë mbresëlënëse, do të mbetet i gjallë edhe pas vdekjes. Njerëz të tillë mbeten vetëm të lindur.