Gjuha shqipe e sulmuar (2)

    328
    Sigal

     Kur panë se gjuhës

    S’i hodhën dot prangat,

     Lëshuan drejt saj

     Gjithfarë merimangash.

     Ismail Kadare

    (Vijon nga numri i kaluar)

    Kam vënë re se disa nga mërgimtarët tanë, sidomos ata politikë, që nuk kishin shkelur për vite e dekada në atdheun e tyre, kanë shfaqur gjatë këtyre viteve një mendësi të prapambetur dhe të kapërcyer prej kohësh në Shqipëri, pavarësisht se ishin arsimuar e edukuar në Perëndimin plot shkëlqim dhe në universitete të dëgjuara të botës. Këta njerëz nuk ishin plotësisht në dijeni të zhvillimeve dhe evoluimeve të brendshme që kishin ndodhur ndërkohë në dheun amë në shumë fusha, pavarësisht se nën një regjim që atyre nuk u pëlqen t’i përmendin as emrin.

    Mungesa e gjatë ka bërë punën e saj…

    Thuhet se edhe Arshi Pipa është tronditur kur ka parë dhe ka ndier se në hapësirat shqiptare Gjuha Letrare e Njësuar ishte bërë një realitet i pamohueshëm…

     ***

    Vizita e tij e parë në Shqipëri pas fitores së demokratëve, afro 40 vjet pas arratisjes, ngjalli sa kureshtje në fillim, aq edhe polemika dhe zemërim më pas për shkak të një deklarate të egër që Arshi Pipa bëri sapo vuri këmbën në Rinas. Atij iu bë një pritje mjaft e ngrohtë nga pushtetarët e rinj, ku, nga pamjet që u dhanë në TV, binte në sy prania e gazetarëve proqeveritarë, të cilët e cilësuan menjëherë si një ngjarje të rëndësishme kthimin në Atdhe të Profesor Pipës. Reporterët e TV dhe të radios shtetërore nxituan t’i merrnin përshtypjet e para. Dhe, Arshi Pipa, në kontrast të dukshëm me flokët e tij të bardhë, kërkoi… zi, hakmarrje! Komunistët duhet të dalin të gjithë në gjyq, ndryshe nuk bëhet Shqipëria Demokratike, tha pak a shumë ai në këtë prononcim të parë publik për bashkëkombasit e tij, me të cilët ishte ndarë prej katër dekadash. Deklaratë më e egër dhe më e zezë publikisht nuk ishte bërë ndonjëherë.

    Ka qenë ndoshta ky prononcim që e zbehu dukshëm figurën e këtij mërgimtari, i cili në qarqet intelektuale të kohës ishte quajtur poet, shkrimtar, dijetar etj. Ai erdhi disa herë në Shqipëri pas 1990-s, por mediat shtetërore tregoheshin paskëtaj të kujdesshëm me të. Pushtetarëve profesor Pipa tashmë më shumë u prishte se u ndreqte punë, ndërsa opozita, përveç ndonjë kritike që i bënte kohë pas kohe, më së shumti nuk e përfillte.

    Ky qëndrim, domethënë zhvlerësimi (politik) i Arshi Pipës ishte i kuptueshëm. Ai stononte ndieshëm ne mjedisin e ri shqiptar, ku së paku në dukje, verbalisht, tentohej drejt uljes së tensioneve, drejt mirëkuptimit. Asnjë forcë politike nuk kishte program ekstremist, hakmarrës, sepse këtë e ndalon ligji.

    Mirëpo respektimi i ligjit në Shqipëri vazhdon të jetë në nivele të ulëta, duke u lënë terren edhe shfaqjes së prirjeve të skajshme. Ndaj vazhdon, ndoshta si askund tjetër, dueli i gjatë i kundërshtarëve të mëdhenj të këtij shekulli… Pohimi se, edhe pas më shumë se gjysmë shekulli, Lufta e Dytë nuk ka mbaruar ende dhe se ballistët e komunistët mbeten kundërshtarë për vdekje me njëri-tjetrin, është një realitet sa absurd, aq edhe i vërtetë.

    Komunistët ngaherë ua kanë vënë fajin kapitalistëve për gjithë të këqijat e kësaj bote. Kapitalistët kanë bërë të njëjtën gjë në kah të kundërt, thotë Glen Tinder te Mendimi politik, duke sqaruar se kjo linjë mendimi është e kobshme në vetvete. Sepse na del që për të shpëtuar botën nga e keqja, i duhet hyrë një masakre kolektive, një hakmarrjeje të pakufishme. Domethënë, në emër të një pale, duhet shuar pala tjetër.

    Prandaj, nuk duhet nxituar për t’i quajtur gjithë njerëzit të këqinj, shprehet politologu amerikan.

    Ndërsa Pipa predikoi të kundërtën e kësaj. Ndaj dhe nuk ia vunëfortveshin.

     ***

    Në përgjithësi roli i diasporës shqiptare në zhvillimet dhe ndryshimet e mëdha politike të viteve të fundit ka qënë gati i pandieshëm, në raste të veçanta edhe negativ. Kjo shpjegohet, përveçse me potencën e tyre të pamjaftueshme intelektuale dhe financiare, me mllefet politike dhe një dëshirë të ethshme për hakmarrje, duke patur këtu parasysh edhe emra konkretë të arratisurish nga Shqipëria pas Luftës së Dytë Botërore, për shkak të përndjekjes nga regjimi komunist.

    Por, padyshim, ajo që ka ndikuar më tepër në këtë zbehje të rolit të diasporës, mendoj se ka qenë mungesa e një uniteti apo mendimi unik të të ikurve në raport me Shqipërinë, përkatësisht me regjimin e Tiranës. Në të vërtetë, regjimi komunist kishte investuar në mënyrë të veçantë për ta përçarë diasporën e vonë ballisto – zogiste, duke parë tek ajo një rrezik potencial për pushtetin edhe në kushtet e izolimit të thellë të vendit. Dhe, sikurse është pohuar qysh në atë kohë, pushteti komunist ia kishte arritur këtij qëllimi, sidomos me mërgimtarët shqiptarë në Europë. Për këtë shkrimtari Nasho Jorgaqi pati shkruar romanin e suksesshëm Mërgata e Qyqeve. Ndoshta për këtë arsye kam vënë re se Nasho Jorgaqi ishte një emër i papëlqyer (për të mos thënë më tepër) në një pjesë të konsiderueshme të kësaj diaspore.

     (Në mars të vitit 1995 u përkujtua 30-vjetori i vdekjes së Fan Nolit dhe unë, për emisionin që do të jepej me këtë rast në Zërin e Amerikës, bashkë me kryetarin e Akademisë së Shkencave, Prof. Shaban Demirajn, intervistova edhe Prof. Nasho Jorgaqin, një nga njohësit më të mirë të veprës së Nolit, i cili edhe mbajti referatin kryesor në mbledhjen përkujtimore. Në atë kohëE. Biberaj ishte me pushime…

    Megjithatë, tre muaj më vonë, në qershor, mua do të më tërhiqej vëmendja për atë emision.

    – Është e vërtetë se ke intervistuar Nasho Jorgaqin?

    – Po, me rastin e…

    – Dhe e ke pyetur për Mërgatën e Qyqeve?

    Unë buzëqesha dhe tregova pse nuk e kisha pyetur shkrimtarin për Mërgatën…

    Me kaq u duk se u mbyll ajo çështje.

    Por, sikurse mësova rastësisht pak më vonë, në arkivin e Radios në Uashington ishte nxjerrë me ngut kaseta me intervistën e Nasho Jorgaqit. Domethënë për të verifikuar saktësinë e atyre që kisha thënë unë…).

     Mllefi antikomunist te disa prej anëtarëve të diasporës nuk ishte fashitur pikërisht për këtë arsye. Dhe ishte ky mllef, kjo dëshirë për hakmarrje, që i pengonte ata të kuptonin thelbin e ndryshimeve që kishin ndodhur në atdheun e tyre, në mungesë të tyre dhe, natyrisht, pa rolin e tyre.

    Ndaj dhe stononin shpesh gjatë kontakteve me bashkatdhetarët e tyre në Shqipërinë e viteve ’90.

    Një pjesë e këtyre mërgimtarëve mezi e kishin pritur momentin e rikthimit në Atdhe me shpresë se, me kulturën dhe dukjen e tyre oksidentale, do ta mahnisnin këtë popull të vobekët dhe do të bënin emër. Por, pasi qëndronin një periudhë të shkurtër dhe e preknin këtë realitet, kuptonin se kishin dalë nga “loja”, se pesha e fjalës dhe e ndikimit të tyre në dheun amë ishte e papërfillshme. Kjo natyrisht i dëshpëronte, ndaj dhe largoheshin andej nga kishin ardhur, për t’u zhytur sërish në… anonimat.