Flet Prof Vangjel Kici: Shkodra ka pasuri të rralla mbi dhe nëntokësore, por është lënë e varfër qëllimisht nga qeveria

221
Sigal

Flet Prof Vangjel Kici: Pasuritë minerale kryesore të rrethit të Shkodrës janë të rralla

Shkodra ka pasuri të ralla mbi dhe nëntokësore, por ende është e varfër

  • – Investimet kryesore në rrethin e Shkodrës duhen bërë tek nafta, gazi dhe alumini.
  • -Ka shumë mundësi që Malësia e Madhe të ketë boksite të bardha, të pasura me alumin
  • – Boksitet përmbajnë edhe metale të rralla (gallium, scandium…).
  • – Vlera e naftës në botë nuk bie kurrë, sepse nga nafta nuk nxirren vetëm karburante për makinat, por prodhohen edhe mbi 6000 nënprodukte të tjera.

Prof. Asoc. Dr. Vangjel Kici

Rrethi i Shkodrës i ka të gjitha të mirat dhe bukuritë e botës. Ai ka malet, kodrat, fushat, lumenjtë, liqenet, detin. Si gjeolog kam bindjen, se rrethi i Shkodrës është shumë i pasur me minerale, materiale ndërtimi, ujra etj, por ato më me perspektivë dhe kryesoret janë: NAFTA, GAZI dhe ALUMINI.

-Ju thoni se Rrethi i Shkodrës ka shumë pasuri. Çfarë sjellin për këtë zomë të Shqiëprisë pasuritëmbi dhe nëntokësore?

Këto pasuri mund t’a zhdukin shumë shpejt papunësinë, dhe t’a rrisin

mirëqënien e popullit. Në këto kushte, është gjynah i madh që të vuajë populli i Shkodrës dhe i gjithë rrethit nga papunësia dhe varfëria. Le të zhvillohen të gjithë sektorët e tjerë të ekonomisë, siç janë bujqësia, turizmi etj., por investimet kryesore duhen bërë tek nafta, gazi dhe alumini. Këto që shkruaj, do të mundohem shumë shkurt t’i argumentoj më poshtë.

Në hartën gjeologjike (Fig.1) përfshihet pjesa më e madhe e rrethit të Shkodrës. Me ngjyrë blu të errët, në juglindje dhe në lindje të qytetit të Shkodrës, shihen pjesërisht masivët gjigantë ultrabazikë diapirikë, që vijojnë: Në juglindje shihet masivi i Gomsiqes. Në lindje shihet masivi i Pukës dhe ai i Krrabit, dhe më në veri masivi i Tropojës. Poshtë këtyre masivëve gjigantë pritet të takohen strukturat gjigante të shpuarjes së gëlqerorëve potentë triasikë-jurasikë (vazhdimi i gëlqerorëve të Juban-Vaut të Dejës, që kanë trashësi rreth 4000 m). Këto struktura gjigante gëlqerore të shpuarjes pritet të jenë me naftë, dhe sidomos me gaz. Pra, pritet të zbulohen, në thellësinë rreth 2000-3000 m, vendburime gjigante nafte dhe gazi. Për këtë, argumentimi shkencor është dhënë në librin e autorit me titull: “Nafta dhe gazi në Shqipërinë Lindore”, 2021. Ky libër ndodhet në saitin Ari i Zi/facebook, dhe në Bibliotekën Kombëtare në Tiranë. Kjo naftë-gazmbajtje shumë e madhe e pritëshme do të zhvillonte të gjitha degët e tjera të ekonomisë. Do të zgjidhte problemin e punësimit. Do të rritej shumë shpejt mirëqënia e popullit. Të gjitha këto do të arriheshin vetëm me një kusht, që nafta dhe gazi të jenë pasuri strategjike kombëtare (pasuri e popullit, dhe jo e qeverisë!!). Ato të mos privatizohen.

Në atë hartë, në pjesën qendrore lindore (nga fshati Xhan drejt fshatit Lekbibaj në verilindje) është shënuar përhapja e depozitimeve të Permianit. Poshtë tyre, në thellësi të vogla, pritet të ketë naftë dhe gaz, sikurse edhe në sektorin e Thethit dhe të Luginës së Valbonës. Kjo naftë-gazmbajtje e mundëshme, në këto struktura të mëdha, mund të kontrollohet me nga një shpim të cekët (deri 1500 m), me anë të një autosonde. Në rastin pozitiv, ekonomistat tanë duhet të llogarisin se kush do të sillte më shumë të ardhura, turizmi apo nafta dhe gazi? Prap në atë hartë, në verilindje të Liqenit të Shkodrës shihet një brez me ngjyrë blu, që shtrihet ndërmjet fshatrave Gruemirë dhe Bajzë në jug, dhe vazhdon në veri, afërsisht ndërmjet majës së Malit të Jezercës dhe fshatit Selcë. Ky brez përfshin nënzonën e Alpeve Shqiptare Perëndimore (Malësinë e Madhe). Në tekstin Gjeologjia e Shqipërisë (2002), prej ku është marrë kjo figurë, depozitimet e Kretakut të poshtëm janë ndarë si vijon: Berriasian-Valanzhinian, Barremian-Aptian dhe Albian-Cenomanian. Më poshtë po japim disa të dhëna mbi stratigrafinë.

Berriasian-Valanzhinian. Gëlqerorët dhe dolomitet e Berriasian-Valanzhinianit shtrihen me vazhdimësi stratigrafike mbi gëlqerorët detarë me Cambeliella striata të Titonianit. Nga poshtë lartë veçohen këto pako litologjike:

  1. Pako dolomitike (trasësia 120-150 m). E ndërtuar kryesisht nga dolomite, që ndërthuren me gëlqerorë. Takohen këto fosile: Gastropoda (Nerineida), Salpingoporella annulate, Favreina salvensis etj. Këto fosile tregojnë për ujra të cekëta detare të dikurshme.
  2. Pako e gëlqerorve onkolitikë (trashësia 150-320 m). Ndërthurje e shtresave të gëlqerorve biomikritikë me shtresa gëlqerorësh onkobiomikritikë. Në gëlqerorë takohen këto fosile: Salpingoporella annulate, Favreina salvensis dhe, në shumë raste, Charophyta dhe Ostracoda shkëmbformuese. Këto fosile tregojnë ujra të ëmbla të dikurshme (liqenore-kënetore). Pra,

fillimi i gëlqerorve me Charophyta (harofita) tregon depozitime liqenore mbi ishull, me shtruarje diskordante mbi depozitimet detare të pakos dolomitike. Ndërmjet tyre, dhe në vetë “gëlqerorin” e parë me harofita, duhet të ketë boksite të bardha, sikurse ka në Mal të Zi. Në tekstin Gjeologjia e Shqipërisë (2002) shihet se ky pushim stratigrafik, dhe boksitet, nuk janë dalluar.

  1. Pako dolomitiko-gëlqerore (trashësia 120-180 m). Ndërthurje paketash gëlqerore dhe paketash dolomitike. Gëlqerorët janë biomikritikë shtresë mesëm, ngjyrë hiri dhe hiri të errët, në shumë raste harofitikë dhe ostrakodikë. Këto fosile tregojnë për ujra të ëmbla të dikurshme (liqenore-kënetore). Pra, liqeni ka vazhduar deri në fund të Berriasian-Valanzhinianit. Në tekstin Gjeologjia e Shqipërisë (2002) këto janë konsideruar padrejtësisht si ujra të cekëta detare të ëmbëlsuara, dhe jo ujra të ëmbla. Përveç harofitave, gëlqerorët përmbajnë Salpingoporella annulate dhe Textulariella sp, Kjo e fundit shfaqet në Hoterivian.

Në prerjen stratigrafike të Brigjës, dhe në atë të Veleçikut, trashësia e depozitimeve të Neokomianit është relativisht e vogël (Fig.7). Ky fakt tregon për ekzistencën e pushimeve stratigrafike dhe të diskordancave. Prandaj, edhe në këto prerje duhen kërkuar boksitet e bardha, të lidhura me pushimet stratigrafike (sikurse në Mal të Zi). Pushimi i poshtëm stratigrafik ndodhet ndërmjet pakos dolomitike dhe gëlqerorit të parë harofitik të moshës Berriasian-Valanzhinian (pushim relativisht i gjatë), kurse pushimet e tjera ndodhen brenda depozitimeve të Barremian-Aptianit.

Barremian-Aptian (trashësia 120-320 m). Në bazë të prerjes takohet një pako gëlqerorësh biomikritikë, shtresëtrashë deri masivë (trashësia e pakos 25-30 m). Në këta gëlqerorë takohen pakiodonta të familjes Requienidae dhe Orbitolina. Këto fosile tregojnë për ujra të cekëta detare të dikurshme. Pra, ishulli me liqenin e mëparshëm u pushtua nga deti transgresiv i Barremianit. Ndërmjet depozitimeve të Berriasian-Valanzhinianit, dhe depozitimeve me shtruarje diskordante të Barremianit, ka pushim stratigrafik, dhe duhen kërkuar boksite të bardha. Më lartë në prerje takohen gëlqerorë mikritikë mergelorë me lëndë organike, shtresë hollë-mesëm, ngjyrë hiri-hiri të errët. Në pjesën e poshtme ata janë të pasur me harofita. Kjo tregon se prap u formua ishulli dhe liqeni me ujra të ëmbla. Ndërmjet depozitimeve detare të Barremianit, dhe gëlqerorit më të poshtëm me harofita dhe shtruarje diskordante, ka pushim stratigrafik, dhe duhen kërkuar prapë boksite të bardha. Më lartë në prerje takohen gëlerorë me rudiste dhe gastropoda. Këto fosile tregojnë ujra të cekëta detare transgresive të dikurshme. Gëlqerorët me rudiste shtrihen diskordant mbi gëlqerorët mergelorë me harofita. Ndërmjet tyre ka pushim stratigrafik, dhe duhen kërkuar prapë boksite të bardha.

Pra, ishulli i Kretakut të poshtëm disa herë kishte liqene-këneta, dhe disa herë të tjera ishte i mbuluar nga deti transgresiv. Kjo tregon se në nënzonën e Malësisë së Madhe ka pasur disa transgresione dhe regresione detare. Sikurse shihet në Fig. 1, Liqeni i Shkodrës përfaqëson një mbetje të trashëguar qysh nga liqeni i Kretakut më të hershëm!! (mosha rreth 145 milion vjet).

Për krahasim, më poshtë po japim disa të dhëna mbi boksitet e bardha të Malit të Zi. Këto të dhëna janë marrë nga studimi me titull: “Genesis and genetic types of karst bauxites”. Lutem, kërkojeni në Google këtë studim.

-Po në zonën që jemi kufitar me Malin e zi çfarë pasurish fshihen?

Në Mal të Zi veçohen boksitet e kuq dhe boksitet e bardhë.

Boksitet e kuq takohen në tre pushime stratigrafike: 1. Ndërmjet gëlqerorëve të Ladinianit dhe gëlqerorëve të Karnianit (boksitet triasike); 2. Ndërmjet gëlqerorëve të Triasikut të sipërm dhe gëlqerorëve të Jurasikut të sipërm (boksitet jurasike); 3. Ndërmjet gëlqerorëve paleogjenikë (boksitet paleogjenike).

Boksitet e bardha janë formime të Kretakut të poshtëm. Në Malin e Zi Perëndimor, në rajonin që mbulon rreth 1000 km2, takohen më shumë se 100 depozita të vogla dhe takime të boksiteve të bardha kretake. Depozitat e boksiteve të bardha janë të shtresëzuara, shtresa-linza dhe rrallë linza. Gjatësia e tyre zakonisht është më pak se 1 km, por në disa vende arrin deri 4 km. Trashësia maksimale e këtyre depozitave boksitike është deri 10 m, por mesatarja është 3-4 m. Sipërfaqja e sipërme e boksiteve të bardha është e rrafshët, kurse e poshtmja jo e rrafhët-në varësi të shkallës së karstifikimit.

Dyshemeja e boksiteve të bardha: Shkëmbinj karbonatë të karstifikuar të Liasikut, Doger-Oksfordian, Titonian, Neokomian dhe Barremian-Aptian.

Tavani i boksiteve të bardha: Gëlqerorë të Cenomanianit të sipërm-Turonianit.

Depozitat e boksiteve të bardha ndryshojnë në shtrirje dhe në rënie, dhe përbërja e tyre ndryshon në rajone të ndryshme.

Boksitet e bardha kanë këto ngjyra: të verdhë-bardhë, të bardhë, të kuqërremët, gri, dhe madje varietete të kuq. Argjilat boksitike ndërthuren (alternohen) anash dhe në vertikalitet. Shumica e autorëve janë të mendimit se boksitet e bardha të Malit të Zi janë formuar në këneta dhe liqene. Origjinën e kanë tek boksitet e kuq jurasikë, të shkatërruar dhe të ridepozituar disa herë, në një mjedis liqenor. Autori i studimit të lartëpërmendur (Marko Pajoviç) mendon se boksitet e bardha e kanë origjinën në një mjedis ujor, mbi gëlqerorët e karstifikuar të moshave të ndryshme, por tipi i materialit primar mbetet problematik. Era ka sjell pluhur nga hiri vullkanik mbi gëlqerorët e karstifikuar, i cili formoi argjila të papërshkueshme nga uji. Mbi ‘to u formuan liqene dhe këneta në ishujt e Kretakut të poshtëm. Materiali në liqen ka ardhur nga ridepozitimi i boksiteve të kuq, nga rajonet tokësore rreth liqenit.

Boksitet e bardha përmbajnë 55% deri 65% Al2O3.

Fragmentet (copat) e paleoflorës (harofitat etj.) takohen shumë shpesh në boksitet e bardha, dhe në argjilat boksitike, në pjesën e poshtme dhe të mesme të depozitave. Liqeni vazhdoi për një kohë të gjatë, deri në Cenomanian të vonë. Boksitet e bardha të Malit të Zi ne i konsiderojmë sedimentarë, pra in situ, të formuar në vend në liqen (kënetë).

Në këtë studim jepen 8 kolona të boksiteve të bardha të Malit të Zi Perëndimor. Në 5 kolona boksitet e bardha shtrihen mbi gëlqerorët e karstifikuar të Titonianit, kurse në 2 kolona shtrihen mbi gëlqerorët e karstifikuar të Liasikut. Vetëm në një kolonë shtrihen mbi gëlqerorët e Barremian-Aptianit, Sipër boksiteve të bardha kudo shtrihen gëlqerorët e Cenomanianit të sipërm. Boksitet e bardha dhe argjilat boksitike janë shtresore, dhe kanë trashësi të ndryshme (2,5-6 m). Ato lidhen me pushimin stratigrafik. Vetëm depozitat e boksiteve të bardha, së bashku me argjilat boksitike (trashësi deri 10 m) përfaqësojnë të gjitha depozitimet liqenore!!

Në Alpet Shqiptare Perëndimore (Malësia e Madhe), për dallim nga Mali i Zi, depozitimet liqenore përfaqësohen nga boksite të mundëshme dhe gëlqerorë me trashësi relativisht të madhe (të gjitha depozitimet me harofita, Fig.7). Sikurse është shkruar më sipër, në pushimet stratigrafike, brenda prerjes gëlqerore të Berriasian-Valanzhinianit dhe të Barremian-Aptianit, pritet të zbulohen boksite të bardha. Kjo është theksuar nga autori edhe në një libër të mëparshëm me titull: “Nafta dhe Gazi në Alpet Shqiptare dhe në Cukal”, (2019). Ky libër ndodhet në Bibliotekën Kombëtare në Tiranë.

Nuk përjashtohet se edhe brenda depozitimeve liqenore me Charophyta mund të ketë shtresa boksiti të bardhë sedimentar, sepse depozitimet liqenore (në Berriasian-Valanzhinian dhe në Barremian-Aptian), të marra së bashku, në Alpet Shqiptare kanë trashësi rreth 200-300 m. Sikurse është shkruar më sipër, boksitet e bardha në Malin e Zi Perëndimor janë sedimentare, domethënë shtresa të formuara në liqen, por me trashësi shumë të reduktuar, dhe të lidhur vetëm me pushimet stratigrafike.

-A mund të ketë edhe boksite të bardha, të palidhura me pushimet stratigrafike?

Deri tani nuk e dimë, por ne e dimë se ato janë sedimentare. Prandaj, duhen vrojtuar me kujdes, për boksite të bardha, të gjitha depozitimet liqenore me Charophyta. Prania shumë e mundëshme, e boksiteve të bardha, në nivelet stratigrafike të lartëpërmendura, nuk është dalluar nga gjeologët tanë stratigrafë. Kjo mund të ketë ndodhur, sepse boksitet e bardha, nga ngjyra ngjajnë me gëlqerorët e bardhë, dhe mund të jenë ngatërruar, megjithëse boksitet kanë këto cilësi tepër dalluese: Janë material i butë (fortësia 1-3), janë material i lehtë (pesha specifike 2,0-2,5), kanë strukturë pizolitike, nuk veprojnë me acidin HCl etj. Por shkaku kryesor, i mosgjetjes së boksiteve të bardha, ka qenë mos dallimi i pushimeve stratigrafike dhe diskordancave. Pse? Sepse gjeologët tanë stratigrafë nuk e kanë ditur, se harofitat tregojnë ujra të ëmbla liqenore të dikurshme. Ata i kanë konsideruar padrejtësisht si ujra të cekëta detare të dikurshme, të ëmbëlsuara, dhe jo ujra të ëmbla liqenore. Me këtë veprim ata kanë mohuar pushimet stratigrafike, praninë e mundëshme të boksiteve të bardha dhe diskordancat. Ky fakt tregon se gjeologët, që kryejnë studime stratigrafike, duhet të jenë gjeologë të specializuar në paleontologji!!

Ka shumë mundësi që Malësia e Madhe të ketë boksite të bardha, të pasura me alumin. Boksitet përmbajnë edhe metale të rralla (gallium, scandium…). Kështu pritet të jenë edhe në Malësi të Madhe. Pra, në rast zbulimi do të hapeshin shumë miniera dhe fronte të përhershme pune, për banorët e Malësisë së Madhe (nga Shkodër- Bajza drejt Tamarë-Selcës në veri). Çfarë duhet bërë për gjetjen e boksiteve të bardha? Vetëm duhet kontrolluar nga gjeologët, me vrojtime të hollësishme në terren, dhe marrje kampionesh për analiza kimike (për përcaktimin e aluminit), poshtë dyshemesë së “gëlqerorit” të parë harofitikë, dhe në vetë këtë “gëlqeror” (ndërmjet diskordancës). Për shembull, pak më sipër argjilave të kuqe boksitike të Tamarës (ndërmjet tavanit të pakos dolomitike, përfshirë vetë “gëlqerorin” e parë me harofita, në prerjen stratigrafike të Luginës së Cemit etj.).

Në tekstin Gjeologjia e Shqipërisë (2002) shkruhet: “Afër Zogajt dhe Vajushit ka vendosje transgressive të gëlqerorëve konglomeratikë të Senonianit mbi gëlqerorët triasikë”. Kjo lë të kuptohet, se deti i Senonianit ka qenë shumë energjik, dhe boksitet e mundshëm, para transgresionit, mund t’i ketë shpëlarë. Mendoj se ky pushim i madh stratigrafik duhet kontrolluar me shumë kujdes, sepse poshtë gëlqerorëve konglomeratikë të Senonianit mund të ketë boksite të bardha, të konsideruara gabimisht si gëlqerorë të bardhë të Triasikut.

-Po rrethet e tjera të Shqiëprisë a kanë pasuri të tilla?

Edhe rrethet e tjera të Shqipërisë kanë burimet e tyre natyrore, për zhvillimin ekonomik, punësimin dhe rritjen e mirëqënies së popullit. Ekonomistat tanë të mos bëjnë sehir papunësinë dhe varfërinë e popullit, por të tregojnë rrugët për zhvillimin ekonomik. Orientimi nga qeveria, për zhvillimin e vendit kryesisht nëpërmjet zhvillimit të turizmit, nuk është aspak i drejtë. Për këtë orientim të gabuar ekonomistat tanë të mos heshtin. Populli të mos shpresojë kot tek zhvillimi i turizmit, që është i rëndësishëm, por nuk mund t’i zgjidhë problemet tona ekonomike, papunësinë dhe varfërinë ekonomike të popullit.

Të mos harrojmë: Vlera e naftës në botë nuk bie kurrë, sepse nga nafta nuk nxirren vetëm karburante për makinat, por prodhohen edhe mbi 6000 nënprodukte të tjera (goma makine, lëndë plastike për qeska, shishe, enë…, plehra kimike, insekticide, sapun, parfume, tekstile (rroba), tapete, qilima, kolltuqe, etj. etj.).

Naftën, gazin dhe mineralet e tjerë i zbulojnë gjeologët. Kush i bëri të pasura Vendet Arabe, Norvegjinë etj.? I bëri nafta dhe gazi. Kush e forcoi Rusinë, pas vitit 1990? E forcoi nafta dhe gazi. Edhe Shqipëri-Kosova ka perspektiva shumë të mëdha për naftë dhe gaz. Prandaj, të forcojmë studimet dhe kërkimet gjeologjike në Shqipëri nga vet shqiptarët, të cilat janë mbyllur padrejtësisht nga qeveria. Justifikimi i kësaj mbyllje, se studimi gjeologjik i Shqipërisë ka përfunduar, është krejt i padrejtë. Këtë e tregojnë edhe shembujt e mësipërm, për naftën dhe boksitet.

Fig. 1. Harta gjeologjike e rajonit kufitar Shqipëri-Mali i Zi (sipas Hartës

Gjeologjike të Shqipërisë në shkallën 1:200 000, 2002, me disa plotësime nga V.

Kici, dhe Hartës Gjeologjike të Malit të Zi në shkallën 1:200 000, 1985. (Përpiloi

  1. Kici)