Flamur Gjuzi: Qytetarët nuk shlyejnë detyrimet, 3 mijë dosje rrezikojnë legalizimin

    492
    Në një intervistë për gazetën “Telegraf” kreu i Aluizni-t për Durrësin, Flamur Gjuzi deklaron se janë rreth 3 mijë dosje që rrezikojnë të bllokohen në Hipotekë për shkak se qytetarët nuk janë paraqitur për të shlyer detyrimeve të truallit të ndërtimit, brenda afatit 6-mujor të përcaktuar me ligj. Ndërsa sa i përket pranimit të vetedeklarimeve, Gjuzi solli në vëmendje se afati i fundit është data 30 shtator 2015. I pyetur se si po veprohet me ndërtimet në zonat e bregdetit, ai tha se aktualisht nuk ka punime në këtë zonë. Aluizni Durrës nga muaji maj 2014 e deri tani ka kualifikuar rreth 10.000 dosje dhe ka pajisur me leje legalizimi rreth 7000 qytetarë, ku gjatë muajve të verës prioritet i veçantë
    në trajtim kohorë të dosjeve, i është dhënë emigrantëve për shkak të kohës se limituar të qëndrimit në Shqipëri. 
    1. z. Gjuzi si paraqitet situata aktuale në zyrën e Aluizni-t Durrës dhe si po ecën procesi i legalizimit? 
    Muajt e verë kanë qenë të ngarkuar me një fluks të jashtëzakonshëm qytetarësh për shkak edhe të ardhjes se emigranteve. Këtyre të fundit u është dhënë prioritet në trajtimin e dosjeve të tyre për shkak të kohës së limituar të qëndrimit në Shqipëri. Procesi i legalizimit po shkon shumë mirë dhe këtë e tregojnë rezultatet e arritura. Vetëm në muajin gusht nga ana e ALUIZNI-t Durrës janë mbledhur rreth 1 milionë euro të ardhura nga pagesa e parcelës ndërtimore nga qytetarët. 
    2. Sa objekte shpëtohen në qarkun që ju drejtoni, sipas vendimit të fundit të miratuar nga qeveria?
    Sipas vendimit të miratuar nga qeveria shpëtohet një numër i konsiderueshëm i ndërtimeve informale. Kështu u shpëtua një pjesë e mire e zonës se ish-kënetës e cila në vitet e kaluara ishte kategorizuar si zonë arkeologjike “B”. Me vendimin e fundit të qeverisë, për ndërtimet pa leje në zonat informate, zona arkeologjike “B” nuk përbën më kriter skualifikues. Kështu janë shpëtuar ndërtimet pa leje në të gjitha zonat informale. Njëkohësisht po punohet këto ditë për zgjerimin e kufirit të zonave informale ekzistuese dhe shpalljen e zonave të reja informale në të gjithë territorin e Qarkut Durrës. Kam bindjen e plotë se pas miratimit të zonave të reja informale, procesit të legalizimit do ti hapet drita jeshile edhe në ato zona ku momentalisht nuk mund të operojmë. Kështu mund të jetë një numër shumë i vogël ndërtimesh që mund të mbeten jashtë procesit si rezultat i disa specifikave të cilat as ligji i legalizimeve nuk mund ti anashkaloje si psh, monumentet e kulturës, momentalisht zona arkeologjike “A”, qendra historike apo zona të mbrojtura me ligj. Pra me ndryshimet e fundit ligjore në qarkun e Durrësit shpëtohen rreth 5 000 objekte në proces legalizimi në zonën e ish Kënetës Durrës.
    3. Në cilat zona informale janë përqendruar kryesisht? 
    Jemi duke punuar në të gjithë territorin e Qarkut Durrës si brenda në qytet ashtu edhe nëpër fshatrat që e rrethojnë. Zonës së ish kënetës i është dhëne shume përparësi sepse është edhe zona me shkallën më të lartë të informalitetit në Qarkun Durrës. Janë pajisur me leje legalizimi të gjithë qytetarët të cilët i janë përgjigjur detyrimeve financiare të parcelës ndërtimore që u kalon në pronësi. 
    4. Sa leje legalizimi ka lëshuar zyra e ALUIZNI-t, Durrës, me procedurat e reja, bazuar në ligjin e ri të legalizimeve? 
    ALUIZNI Durrës nga Maj 2014 e deri tani ka kualifikuar rreth 10.000 dosje dhe ka pajisur me leje legalizimi rreth 7000 qytetarë.
    5. Sa kohë kanë familjet për të paguar dhe cilat janë lehtësitë financiare, sipas afateve dhe kategorive?
    Familjet kanë kohë për likuidimin e faturave 6 muaj. Nëse ata, nuk do të likuidojnë detyrimet e tyre brenda 6 muajve nga data që kane marrë në dorëzim faturat, ata penalizohen me regjistrim në hipoteke në favor të ALUIZNI – t deri sa ata të shlyejnë plotësisht detyrimin i cili nuk do të jetë më me çmimet favorizuese. Ndërsa familjet të cilave u janë dhëne faturat 4 muaj më para kanë kohë edhe 2 muaj për likuidimin e tyre. I bëjmë thirrje qytetareve të paguajnë faturat brenda 45 ditëve nga marrja në dorëzim në mënyre që të përfitojnë zbritjet që ofron ligji i legalizimeve. Përtej afatit 45 ditor qytetarët nuk do të përfitojnë zbritje, por do ta paguajnë parcelën me një vlerë tjetër e cila është goxha më e lartë se e para. Po kështu i ofrohen lehtësira financiare familjeve të cilat kanë kryefamiljar aplikues që gëzon statusin e paraplegjik/tetraplegjik dhe të verbër. Këtyre u ofrohet çdo gjë falas përfshire edhe kalimi në pronësi i parcelës ndërtimore. Familjeve që kanë në përbërjen e tyre persona që gëzojnë ketë status, përfitojnë zbritje 50%. Po kështu ofrohet edhe një zbritje 10 % si garanci për shlyerjen e detyrimeve të energjisë elektrike.
    6. Po sa i përket vetdeklarimit të ndërtimeve informale, deri kur kanë afat qytetarët ?
    Procesi i vetedeklarimit i cili ka filluar qe ne muajin gusht, do të vazhdojë edhe gjatë muajit shtator. Afati i fundit për pranimin e vetedeklarimeve është data 30 shtator 2015. I bëjmë thirrje qytetareve te drejtohen urgjentisht pranë sporteleve tona në Fushë Kruje, Shijak dhe Durrës për të aplikuar për legalizim, në të kundërt nuk do të kenë më mundësi të përfshijnë objektet e tyre të padeklaruara në procesin e legalizimit.
    7. Si po veprohet me ndërtimet në zonën e bregdetit?
    Për momentin nuk po punojmë në këtë zonë.
    8. Sa është numri i dosjeve të cilat janë përfunduar, ndërsa qytetarët nuk janë paraqitur të shlyejnë detyrimet?
    Siç e thashë edhe më lart janë rreth 10.000 dosje të kualifikuara nga të cilat 7000 janë pajisur me leje legalizimi. Diferenca prej 3000 dosjesh të kualifikuara i përket qytetarëve të cilët ende nuk kanë shlyer detyrimet e parcelës ndërtimore.
    9. Si ka ecur procesi i pajisjes së emigrantëve me leje legalizimi gjatë këtyre muajve të fundit?
    Emigrantëve u është dhënë prioritet absolut në trajtim kohorë të dosjeve për shkak të kohës se limituar të qëndrimit në Shqipëri. Por ju them me bindje se çdo emigrant i paraqitur pranë ALUIZNI Durrës është pajisur me leje legalizimi në harkun kohorë të 3 ditëve. Gjate muajve korrik e gusht që janë muajt e emigrantëve nga ana jonë janë dhënë 945 leje legalizimi për emigrantët.
    10. Kush janë problematikat dhe sfidat kryesore të Aluizni-t Durrës, që pritet të marrin zgjidhje sa më shpejt?
    Problematikat tona janë zona arkeologjike “A” e qytetit Durrës dhe Krujë tek të cilat momentalisht e kemi të pamundur të ndërhyjmë për shkak të kuadrit ligjor në fuqi si dhe Zona arkeologjike “B” që rrethon qytetin e Durrësit që me ndërhyrjen e Drejtorisë së Përgjithshme të ALUIZNI-t do të gjej zgjidhje shumë shpejt. 
    11. Cilat janë problemet dhe penalitetet që sjell mospagimi i faturave të parcelës ndërtimore nga qytetarët ?
    Kush nuk paguan të vetmin detyrim financiar atë të parcelës ndërtimore banesa regjistrohet në favor të shtetit deri në likuidimin e faturës.
    Sigal