Engjëll MUSAI/ Vlerësim për kolonel Pogaçen, mikun e bashkëpunëtorin tonë

    460
    U mbush një vit, që shoku i dashur e miku i përhershëm i gazetës ‘Telegraf’, që është ndarë fizikisht, por duke na lënë kujtimet më të mira si njeri, si ushtarak profesionist, si intelektual dhe bashkëpunëtor i vazhdueshëm i gazetës sonë. Për koincidentë, atë ditë që Mehdiu ndërroi jetë, ne ishim në kulmin e punës, në redaksi po bëhej mbyllja e gazetës së ditës, ku mes materialeve kryesore, ishte dhe një shkrim i tij që lidhej me problemet e integrimit social e ekonomik të ushtarakëve në shoqëri, bie një zile telefoni. Nuk ishte një telefonatë e zakonshme nga ato që vijnë njëra pas tjetrës në redaksi, por një telefonatë e dhimbshme që na shokoi. Dikush na përcolli lajmin e dhimbshëm: Mehdi Pogaçe u nda nga jeta!… E në këtë situatë të trishtë, renditëm mbi tastierë fjalët e dhimbjes e më pas në print, së bashku me jetëshkrimin e të ndjerit. Humbëm kështu një nga miqtë dhe bashkëpunëtorët më të mirë, por që la pas një kontribut të denjë në shërbim të shtetit e shoqërisë në strukturat e mbrojtjes, në diplomaci, në shoqërinë civile e familje. Dhimbja për një shok e mik, është e madhe dhe mungesën e tij, nuk e zëvendëson asgjë. Teksa rikthehemi në kohë, kujtojmë takimet e bisedat e shumta me Mehdiun, ardhjet e tij të shumta në redaksi, ku në një farë mënyre ai ishte bërë si ‘i shtëpisë’, kolektivi i gazetarëve e kujton dhe do ta kujtoj atë me respekt dhe vlerësim të veçantë. Mehdiu ishte njeri me integritet, i formuar si intelektual, me fuqi e forcë bindëse të fjalës. Ishte i komunikueshëm e këmbëngulës, duke kërkuar e merituar mbështetje në media, veçanërisht për luftën e përpjekjet që bënte Shoqata e Ushtarakëve për kërkesat ligjore, morale dhe ekonomike që u nëpërkëmbeshin nga strukturat shtetërore. Falë intelektit, kulturës, ai dinte të kuptonte thelbin e problemit, të kërkonte e të gjente zgjidhjen më të mirë, duke ingranuar në këtë ndërmarrje masën e ushtarakëve, medien, shoqërinë civile si dhe faktorët e tjerë. Në këtë mënyrë, që në vendosjen e tij në krye të Shoqatës së Ushtarakëve, ai inicoi e udhëhoqi disa protesta të ushtarakëve në kryeqytet e rrethe të tjera të vendit, duke treguar qytetari e shembull të respektimit rigoroz të ligjit. Falë këtyre përpjekje, një sërë kërkesash u zgjidhën, ndonëse shumë të tjera ende janë pa zgjidhje. Njëkohësisht, Mehdi Pogaçe, duke qenë si drejtues i Shoqatës së Ushtarakëve, falë kulturës, eksperiencës si diplomat karriere(Atashe Ushtarak i Shqipërisë në ambasadën shqiptare në Italisë për disa vite), diti të përçojë denjësisht aktivitetin dhe problemet e shoqatës në CIOR, ku shoqata shqiptare është anëtare. Përmendëm disa drejtime nga aktiviteti i Kolonel Mehdi Pogaçes, pasi nëpërmjet pendës së të ndjerit, ata kanë mbërritur si shqetësim tek lexuesi nëpërmjet faqeve të gazetës ‘Telegraf’. Krahas problemeve që lidheshin me ushtarakët në lirim e në rezervë, shqetësimet e tyre, në shkrimet e kolonelit, kanë zënë vend dhe problemeve të reformës në Strukturat e Forcave të Armatosura, probleme të oficerëve aktiv në njësi e reparte, deri tek problemet që kishin familjarët e tyre. Njëkohësisht, si intelektual me dije e horizont, ai u bë pjesë e strukturave të shoqërisë civile, të Organizatës Kombëtare të Veteranëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, ku ishte dhe nënkryetar i këtij komiteti. Ndërsa për botuesin e drejtuesit e gazetës ‘Telegraf’, Mehdi Pogaçe ishte një shok i mirë, por dhe një bashkëpunëtorë i kualifikuar në rubrikat e kësaj gazete. Ndarja para kohe nga jeta e kolonel Pogaçes, ishte një humbje e madhe për familjen, shoqërinë, ushtarakët dhe për ne shokët e miqtë e tij. Por siç e theksuam dhe në fillim, ai pati një jetë aktive, duke lënë pas ‘gjurmë’ që flasin dhe do të flasin gjatë, për brezat e sotëm dhe të tjerë që do të vijnë më pas. Vetë jeta e tij qe jetë e një njeriu të përkushtuar në punë e shoqëri, dhe i tillë do të mbetet. Pikërisht, pse qe i tillë, meriton të kujtohet dhe vlerësohet. Ai, si shok, mik e koleg, e ka shkruar me dinjitet emrin e tij në faqet e gazetës ‘Telegraf’, duke ‘bashkëbiseduar’ përjetësisht me lexuesin e brezave që do të vijnë… Dhe sot në këtë përvjetor, ku promovohet dhe libri për ‘të, ne e ndjejmë përsëri pranë Mehdiun. Dhe kështu do e kemi përgjithmonë. Në këtë përvjetor, në emër të Agim Çirakut, botuesit të gazetës ‘Telegraf’, u përcjellim familjarëve, kolegëve, shokëve e miqve të Mehdiut, vlerësimet dhe konsideratat më të larta.

    Drejtor i gazetës ‘Telegraf’
    Sigal