Duro Mustafai: Komunisti që u bë hoxhë …

    430
    Sigal

    Ishte hera e parë që nga goja e një njeriu anti-perëndi, të dëgjoja të përmendte Perëndinë si shpëtimtarin e tij

    Kur vendosa që shkrimit ti vija titullin : “Komunisti që u bë hoxhë”, as më shkoj ndërmend se ky titull në kohën tonë, mund të tingëllonte si fejtonal, me doza humori. E vërteta është se qëllimi i shkrimit me përmbajtjen e tij, ashtu siç e mendoj unë, është tepër serioz…Po më mirë  le të flasim për disa ngjarje që zbulojnë të vërteta interesante të kësaj teme….

    I-“Shyqyr që Zoti u kujtua edhe për mua…”

    Ishte një prezantim krejt i pa pritur për mua takimi me atë burrin e “panjohur”. Shëtisja i shkujdesur në bulevardin kryesor të Elbasanit, kur para meje shfaqet një burrë i gjatë, me mjekër e mustaqe, veshur me petkun e një hoxhe..Më shikonte e buzëqeshte, ndërsa unë vrisja mendjen se ku i kisha parë tiparet e fytyrës së tij gati të fshehur. Hoxha mu afrua gjithnjë me buzëqeshje, pastaj pyeti: “Nuk më njeh, unë jam ai, shoferi i parkut..Dhe më hodhi të dy duart në qafë e më përqafoi. Atëherë unë u zgjova nga një ëndër e largët. Mu kujtua se ai ishte vërtetë shoferi i parkut automobilistik të Elbasanit, me të cilin kisha udhëtuar, drekuar, biseduar e ishim miqësuar. Çuditërisht kisha përball atë shoferin  komunist, që e doja dhe e vlerësoja për karakterin e tij të pa epur e burrëror dhe për tiparet e njeriut të dashur dhe të mirë..Pas kësaj, hoxha do më thoshte: “Me vështirësi, me vështirësi, po në fund e njohe mikun tënd të vjetër.”.

    -“E njoha, e njoha, por ashtu siç nuk e pata menduar..Ti, komunisti ateist, si dikur edhe unë, qenke bërë hoxhë ?

    -E po….Është koha, mor vëlla. Dhe, ç’të bëja, të rrija pa punë? Nashti, me moshën që kam nuk më punon as mëndja e as syri të ngas makinën.. Dhe shyqyr Zotit, se Zoti u kujtua edhe për mua….”. Ishte hera e parë që nga goja e një njeriu anti-perëndi, të dëgjoja të përmendte Perëndinë si shpëtimtarin e tij. Dikur ai thoshte se “Perëndia është këtu, te duart e mia”. Dhe tregonte duart e tij me kallo. E kisha njohur atë, aty nga fundi i viteve 6O-të shekullit që lamë prapa, në parkun automobilistik të Elbasanit. Dhe më kish hyrë në zëmër, nuk e fsheh se unë, si dhe të tjerët, na pëlqente ta kishim mik atë, që edhe pse nuk kishte ndonjë shkollë të madhe, na dukej njeri i veçantë e i përsosur. Si gazetar më kishin dërguar të bëja punën fizike njëmujore, atje, “në gjirin e klasës punëtore”, siç thuhej, midis shoferëve, teknikëve e punëtorëve. Dhe është e tepërt të them se sa kam mësuar unë, gazetari i ri dhe pa përvojë jete nga jeta e atyre njerëzve, që në kushte të vështira bënin sakrifica që të habisnin. Njeri prej tyre, personazhi i këtij reportazhi, ishte pikërisht ai, shoferi që atëherë e njihnin të gjithë, jo vetëm Elbasani, por edhe Shqipëria. Se për atë shoferin heroik, që me “Skodën” e tij fluturonte pyjeve të Bizës, flitej shpesh, kishte edhe një film dokumentar. Flitej edhe se ish propozuar për t’i dhënë titullin e lartë :“Hero i Punës Socialiste”. E mori apo nuk ja dhanë këtë titull nderi, kjo s’më kujtohet. Po atëherë ai meritonte çdo nderim. Se ngrihej pa zbardhur drita e mëngjesit e natën e kalonte në pyjet  për të mbërritur tek punëtorët e sharrave, pastaj  ngarkonte mbi kamion, trungje drurësh për t’ia çuar Kombinatit të Drurit në Elbasan, ose për eksport. Më kujtohet se me të bëra edhe unë një udhëtim në pyjet e Bizës, që më ka mbetur i paharruar.. Në fillim ai nguroi të më merrte në makinën e tij, se tha që isha djalë i ri e do ta kisha të vështirë të bëja atë që bënte shoferi, i cili flinte në kabinën e makinës edhe në netët e acarta …Megjithatë, më pranoi e unë “si shpërblim” të punës së tij të jashtëzakonshme pata shkruar atëherë një reportazh të gjatë me titullin: “Shoferi që e ka shtëpinë me vete”..Tani ky shofer hero, shtëpi të tij kish bërë “Shtëpinë e Zotit”. E kjo më befasoi, jo për atë që ndërroi “shtëpi” e bashkë me të edhe bindjet, veshjen e pamjen e fytyrës, por për faktin ku i mori studimet për tu bërë hoxhë aq shpejt. Pastaj, ai, siç thoshte vetë e siç thoshin të tjerët për të, ishte një komunist “i vendosur”, po ishte edhe i moshuar, e më dukej e vështirë të zëvendësonte sa hap e mbyll sytë mësimet e marksizmit me ato të Kuranit. Nëse ja ka arritur kësaj mrekullie aq shpejtë, hallall i qoftë..

    IIEdhe drejtor Nazmiu, qenka bërë  hoxhë?!..

    Është interesante që ato ditë, po në Elbasan, Qani. Z., një miku im, bashkënxënës në shkollën Normale, do më thoshte: “E takove Nazmiun?”. -Cilin Nazmi?, i thashë. -Atë mor atë, shokun tonë të klasës që kohët e fundit ishte drejtor shkolle në Bradashesh.

    – Pse, çfarë i ka ndodhur Nazmiut, e pyeta ..

    -Jo, mor jo, si ka ndodhur gjë, po është bërë hoxhë

    -Hoxhë? E pastaj, se mos është i vetmi ai. Nazmiu shqiptar është dhe çdo shqiptari nuk i ndalohet të bëhet edhe hoxhë, i thash pa fshehur buzëqeshjen..

     -Ashtu është vërtetë, po ai ishte antifetar, kështu i mësonte edhe fëmijët kur u jepte mësime në shkollë. Ç’është e vërteta, unë u çudita kur e pashë këto ditë në varreza tek lutej për shpirtin e një të vdekuri. Pas mbarimit të ceremonisë mortore, nuk mu durua dhe e pyeta: “O Nazmi vëllai, po çfarë shkolle tjetër përfundove, veç Normales, që të bëheshe “Hoxhë”? E ai do më përgjigjej: “Për çfarë shkolle tjetër e ke fjalën, se Medresenë e Tiranës do ndiqja unë, në këtë moshë? Ti e di vëlla atë që ka thënë Xhaxhi që “Shkolla më e madhe është jeta”. Këtë shkollë ndoqa.  – “Po ç’të bëja, më tha, nga hallet…Megjithatë, e shikoj që nuk po më del gjë. -Si nuk të del gjë, se nuk po të kuptoj, e pyeta përsëri -E ç’ta kuptosh, më tha i mërzitur. Se ja, nga kjo puna ime e hoxhllëkut nuk del paraja. Dhe a e di pse? Sepse, këtu në Elbasan, është shtuar numri i hoxhallarëve, sa s’të lënë radhë për shërbesa fetare, as për të gjallët e as për të vdekurit. Po edhe vdekjet janë pakësuar shumë” .. Kështu që ish bashkënxënësi ynë më fliste qartë se edhe nga puna e tij, nuk fitonte gjë, sado që mësuesi e ish drejtori i shkollës, ai “hallexhiu”, mundohej tu shërbente halleve të veta.. me atë punë që e quante profesionin e tij të ri…Po për mua të jesh hoxhë nuk është thjeshtë profesion, mbi të gjitha është mision. Hoxhallarët janë misionarë të fesë e Perëndisë. Mirëpo, çfarë misionarësh janë ata, që nga komunistë e ithtarë të ateizmit, pa studim e brenda natës, u bënë ithtarë të fesë… , Dhe predikojnë ato që nuk i kanë besuar e as që mund ti besojnë? Kjo është hipokrizi. Në ndonjë nga emisionet e shpeshta televizive, gjithkush mund të ketë tipa të ndryshëm “hoxhallarësh”, disa edhe që flasin sikur të jenë takuar me Perëndinë e të kenë marrë bekimin e tij, për të na e dhënë neve…. Madje, njëri prej tyre, në një debat televiziv të kohëve të fundit nuk e tregoi veten se çfarë kish qenë e çfarë kishte bërë në jetën e tij, veç i shpëtoi të thoshte se kish mbaruar shkollën fillore shumë vite më parë, e , “me praktikë” e me ndihmën e një “hoxhe” në fshat, të cilit i kish “vjedhur zanatin”, ai ish bërë hoxhë, ndonëse nuk e njihte njeri, madje nuk e njihte as një përfaqësues nga Myftinia që ndodhej përballë tij, në studio televizive. Megjithatë, i vetëshpalluri dhe i vetëemëruari “Hoxhë” thoshte se së shpejti,do të hynte në evidencat e Myftinisë. Se tashmë ai ishte pjesë e një “fakti të kryer”. Dhe këtu ndodh, ajo që nuk duhet të ndodhi: Se, për të ndërtuar një xhami kërkohet licencë e leje ndërtimi, për hoxhën, nuk u dashka një diplomë a certifikatë shkollimi e formimi? Ç’është e vërteta, po në emisione të veçanta televizive shpesh dalin për të predikuar mësimet e perëndisë djem të rinj, që kanë mbaruar mësimet e larta teologjike në Universitetet e Kajros, Stambollit e të Arabisë Saudite. Dhe ke qejf t’i dëgjosh, se ata janë bindës edhe për ateistët kur thonë që feja na mëson: ”Mos vrisni njeri, mos vidhni, mos rrëmbeni gjërat që nuk ju takojnë, ose ndihmoni të varfrit dhe ata që kanë nevojë për ndihmën tuaj…. Këto të vërteta të nevojshme, shpesh e me qëllim të keq i harrojnë edhe politikanët, që shikojnë jo hallet e njerëzve po interesat e tyre..’. Prandaj feja e ka karakterin e shpirtit njerëzor, ka natyrën pajtuese, qetësuese e jo konfliktuale. Pak ditë më parë, Axhemi, një miku im inxhinier gjeolog, kish qenë në një ceremoni mortore për një të moshuar në varrezat e Tiranës. Dhe do të na tregonte i çuditur: “Më la pa fjalë ai, hoxha, që dukej se ishte i arsimuar e i kulturuar, kur u tha  të pranishëmve  në varrezë: “Dëgjoni këtu, o robër të perëndisë..”. Të gjithë ne jemi të përkohshëm në këtë botë. Të shumtë kanë qenë ata që kanë dashur të jetojnë gjatë e të mos vdesin kurrë. Ka pasur prej tyre mbretër, perandorë, dijetarë, shkencëtarë të famshëm, e pasanikë të mëdhenj. Ata kanë shpenzuar flori e pasuri, që të mos vdesin, por vdekjes që është shkruar nga Allahu, nuk i kanë shpëtuar. Prandaj, o njerëz të mirë, sa të jeni gjallë, mos bëni krime, mos vidhni e mos bëni të këqija, ndihmoni nevojtarët dhe ata që kanë nevojë për ndihmën e kujdesin tuaj, që ta ndjeni veten më mirë”. Dhe, inxhinier Axhemi, që nuk e mohon ateizmin e tij, i habitur do më thoshte se: “Për herë të parë në jetën time, dëgjova një hoxhë që thoshte të vërtetën…”

    Po njerëzit që predikojnë fenë, janë të gjithë ata që duhen? Kjo është çështja, e me të ka edhe institucione fetare që duhet të merren..

     III- Të besosh tek ata që nuk besojnë?!…

     Këto ditë, Vangjel Loli, një miku im, arkitekt i njohur nga Vlora, më tregonte se në autobusin që nisej nga Vlora për në Fier, si pasagjerë, gjendej edhe një dervish. Befas autobusi, për shkak të një defekti, ndaloi udhëtimin në mes të rrugës. Shoferi u mundua të ndreqte defektin, por më kot. E, meqë kaloi shumë kohë e pasagjerët u mërzitën, u ngrit nga sedilja dervishi. Ai pasi e kontrolloi makinën, pa se diku, pranë motorit, ishte shkëputur një fije teli, e lidhi atë e i tha Shoferit: Pa ndize tani makinën? Makina u ndez e morri rrugë. Dhe ndërsa shoferi mendonte i gëzuar se ishte ai, dervishi, që me fuqinë e Perëndisë i rregulloi makinën, dervishi u thoshte  pasagjerëve se para se të bëhej hoxhë për 3O vjet me radhë kish qenë edhe ai shofer.Profesioni nga kushdo, edhe mund të ndryshohet. Po cilat janë kriteret, aq më tepër se të qenurit hoxhë nuk është profesion, e s’mund të jetë rruga  “në kërkim të bukës së përditshme”, por është mision, madje një mision i shenjtë, se ka të bëjë me predikimet që lidhen me emrin e Perëndisë, që adhurohet, e mësimeve të tij u besojnë e pakta një miliardë myslimanë.

     Prandaj kjo është një çështje morali, por është e lidhur edhe me praninë e rolin e institucioneve fetare që nuk duhet të lënë predikues që as vetë nuk besojnë në ato që thonë. Se kjo është edhe fyerje për besimtarët e vërtetë.