Dr. Nevret JAHOLLARI/ Krijimi i “Kadastrës Kombëtare”, kusht për zgjidhjen e problemeve me tokën

    495
    Sigal

    Kadastra është një sistem regjistrimi i pronës mbi tokën në të gjitha llojet e përdorimit të saj si pyll, kullotë, sipërfaqe bujqësore, terrene të urbanizuara, sipërfaqe të vijave të transportit, poligone etj. Ajo dokumenton, mbi bazën e sistemit të pronësisë në fuqi, jo vetëm sipërfaqen, por edhe cilësinë, sasinë dhe vlerën e tokës (në kuptimin e pjellorisë së saj), të pyllit, kullotës, etj. Nga kjo pikëpamje, sipas objektit të cilit i referohet, mund të bëhet fjalë për kadastër pyjore, bujqësore etj, të cilat të marra së bashku përbëjnë atë që shkurtimisht mund të quhet “Kadastra Kombëtare”. Realisht, Shqipëria është mbase i vetmi shtet në Europë, qe nuk disponon një sistem kadastral të integruar që ta meritojë me të vërtetë emërtimin Kadastër Kombëtare. Ekzistojnë në faza dhe nivele të ndryshme zhvillimi punime kadastrale për bujqësinë, pyjet, apo edhe ndonjë sektor tjetër, por ato janë jo vetëm të pasakta nga pikëpamja kartografike dhe e pronësisë, por edhe të paunifikuara e vështirësisht të integrueshme. Për këtë arsye lind nevoja e ristrukturimit të kadastrës në përgjithësi e asaj pyjore në veçanti, edhe në vendin tonë, problem për të cilin është punuar mjaft nga administrata pyjore e vendit.

    Por në fakt, kadastra është vepër e lodhshme, e mundimshme, me shpenzime dhe e përbërë, e cila kërkon studim e analizë në të gjitha dimensionet; politike, shoqërore, teknike, ekonomike, natyrore, morale, kulturore etj.. Kadastra e ristrukturuar duhet t’u japë zgjidhje të gjitha problemeve ekzistuese, lidhur me tokën dhe të përbëjë platformën shtetërore për një politikë të re të tokës dhe bazën për një zhvillim të mëtejshëm të vendit. Në veçanti, Kadastra Pyjore përbën një faktor determinant për ruajtjen e fondit pyjor, ajo është një platformë e nevojshme dhe një mjet rezultativ për organizimin dhe ushtrimin e Politikës Pyjore të Shtetit në pyje.

    Formulimi i një politike shkencore që ka si objekt pyjet dhe planifikimin e zhvillimit të tyre presupozon disponimin e të dhënave të sakta të hapësirave pyjore mbi bazën e të cilave pastaj hartohet një sistem kadastral preciz me shkallë të lartë vërtetësie dhe i shpejtë. Në fakt, në kadastër regjistrohen informacione teknike, por detyrimisht edhe juridike të cilat kanë për qëllim përcaktimin e saktë të kufijve të pasurive të paluajtshme dhe publikimin e dokumenteve në regjistrat kadastralë, në mënyrë të tillë që të sigurohet besim publik, njëherësh duke mbrojtur çdo konvertim të mirëbesueshëm që bazohet në regjistrimet kadastrale. Pa ekzistencën e një kadastre të tillë nuk mund të realizohen në cilësinë e duhur një sërë veprimtarish, të cilat shkurtimisht po i rendisim më poshtë:

    1-Trajtimi racional i pyjeve, të grupuar në njësi prodhimi, i cili presupozon bashkimin e tyre në hapësira më të mëdha gjeografike me bashkim dhe këmbim të pronësive;

    2-Shitblerjet e sipërfaqeve pyjore, duke mos siguruar vërtetësinë dhe unifikimin e emërtimeve, gjë që nuk lejon mbrojtjen nga përfitimet e padrejta;

    3-Vlera e madhe e terreneve pyjore, kur ato shtrihen përgjatë brigjeve detare, linjave të transportit dhe afër qendrave të banuara, krijon mundësi abuzimi dhe të drejta të paligjshme kur destinacioni i tyre tjetërsohet, gjë që shpesh bëhet shkaku i prerjeve abuzive apo zjarreve në pyje.

    Në një vend si ky i yni me shtrirje të sipërfaqes pyjore dhe kullosore në 51% të gjithë territorit të vendit, është e domosdoshme të sqarohet problemi i pronës që krijuan luftërat, pushtimi, çlirimi, socializmi, periudha e tranzicionit, etj. Ky është një kusht paraprak i paneglizhueshëm për të bërë të mundur që vendi të inkuadrohet, në të ardhmen, në rrjedhën normale të zhvillimit sipas ligjeve të ekonomisë së tregut.

    Institucioni i Kadastrës bazohet në parimin e publikimit, që do të thotë në parimin që na jep mundësinë e ofrimit të shërbimeve për çdo të interesuar për mbajtjen e rendit juridik, ekonomik dhe teknik të pronë,s me bindjen që këto informacione janë të sakta dhe të mirëbesueshme. Për shkak të rolit social-ekonomik të pyllit dhe të rëndësisë së veçantë që fiton gjithnjë e më shumë ai për mbijetesën e njeriut në mjedisin natyror, rishikimi i kuadrit juridik në lidhje me krijimin e një kadastre moderne është një hipotezë sa efikase aq dhe e domosdoshme për materializimin e rolit social-ekonomik të tij dhe zgjidhjen e gjithë problemeve që ekzistojnë. Përmirësimi i kuadrit legjislativ duhet të synojë në përfundimin e kadastrës pyjore për një periudhë sa më të shkurtër kohe, në mënyrë të tillë që t’i jepen sektorit të pyjeve të dhënat teknike të domosdoshme për mbështetjen e opinioneve dhe marrjen e vendimeve. Reagimi i botës juridike në një rregullim të tillë që pakëson dyshimet është në të vërtetë mjaft i pritshëm dhe i domosdoshëm.

    Sistemi i deritanishëm i kadastrës pyjore në vendin tonë ka qenë bazuar në të dhënat e planeve të vjetra të mbarështrimit dhe inventarizimit që i përkisnin viteve 1980-1985. Nga ana tjetër, përdorimi i manualit të ri për planet e mbarështrimit të pyjeve shtetërore ndryshoi tërësisht praktikën e punës. Për rrjedhim tentativat për krahasimin e të dhënave nga plane të ndryshme të mbarështrimit dhe inventarizimit, për të njohur e paraqitur gjendjen reale, bëhet shpesh i pamundur. Po kështu kadastra pyjore nuk përputhet me kadastrën e pronësisë së komunave e të bashkive.

    Këto dhe të tjera probleme kërkojnë zgjidhjen e disa objektivave kryesorë që janë:

    1. Rivlerësimi i situatës aktuale të Kadastrës së Pyjeve dhe Kullotave në vendin tonë, përfshirë dhe risitë e përgatitura nga Drejtoria e Politikave të Pyjeve e Kullotave.

    2. Njohja e nivelit bashkëkohor të shkencës në fushën e kadastrës në përgjithësi e asaj pyjore në veçanti, duke u bazuar në sistemet kadastrale më të përparuara që ekzistojnë si ai Francez, Gjerman, Australian, Anglez, shumëdimensional (SHBA) dhe Suedez, si kusht për zgjedhjen e rrugëve më të mira të mundshme për përmirësimin e gjendjes në vendin tonë.

    3. Zhvillimi dhe futja e një sistemi GIS të bazuar në eksperiencën e BE-së,  për përmirësimin e Kadastrës së Pyjeve dhe Kullotave në të gjitha nivelet operative për të përmbushur më mirë objektivat përkatëse, si dhe për t’u përballur me vlerësimin e vazhdueshëm të zonave pyjore dhe kullotave sipas njësive menaxhuese më të vogla, vlerësimi i vazhdueshëm i karakteristikave cilësore dhe sasiore të pyjeve dhe kullotave (pronësia, zona, volumi, prodhimi, rritja, mbulimi, kapaciteti i kullotjes, etj.), monitorimi i vazhdueshëm i pyjeve dhe kullotave sipas njësive më të vogla menaxhuese, etj.

    4. Krijimi i një database  për Kadastrën e Pyjeve dhe Kullotave për të gjitha nivelet. Kjo do të na çojë në marrjen e masave të cilat do të na drejtojnë drejt një mënyre të organizuar dhe të kontrolluar të përdorimeve të tokës pyjore, në shkallë vendi dhe në plan global.