Drafti, ligji i ri për arsimin dhe formimin profesional

516
Sigal

Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë ka përfunduar procesin e ndryshimeve në ligjin “Për arsimin dhe formimin profesional në Republikën e Shqipërisë”, ku pasqyrohet kalimi i përgjegjësisë shtetërore për fushën e arsimit profesional nga Ministria e Arsimit dhe Sportit, drejt Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, qartësimi i funksioneve të secilës ministri, si dhe përcaktimi i kompetencave që do të ushtrohen në mënyrë të bashkërenduar nga këto institucione.

Bashkimi i fushës së AFP (Arsimi dhe Formimi Profesional) dhe kalimi i tyre nën përgjegjësinë e një institucioni është vlerësuar si domosdoshmëri për administrimin më të mirë të kompetencave, optimizmin e burimeve njerëzore dhe financiare e të infrastrukturës dhe mbi të gjitha për të orientuar ofertat e AFP në një qasje të njëjtë, cilësore dhe konkurruese drejt kërkesave të tregut të punës.

Projektligji në fjalë, parashikon që përgjegjësitë e MMSR do të lidhen me zhvillimin e politikave për reformimin dhe modernizimin e AFP, në përputhje me drejtimet europiane të zhvillimit të AFP, me përcaktimin e kritereve të përgjithshme të funksionimit të institucioneve që ofrojnë AFP, me krijimin, organizimin dhe mbylljen e institucioneve të AFP, me përcaktimin e statusit të institucioneve publike të AFP, me harmonizimin e sistemit të AFP në përputhje me perspektivën e zhvillimit ekonomik, kombëtar dhe rajonal me kërkesat e tregut të punës, etj.

Në projektligj ka ndryshuar edhe përbërja dhe numri i anëtarëve të Këshillit Kombëtar të AFP, ndryshime që do të ndikojnë në mënyrën e punës së këtij këshilli, duke e bërë atë më produkti. Qasja e re që ky ligj favorizon, krijon të gjitha premisat edhe për zbatimin e sistemit dual në arsimin profesional shqiptar, duke përfshirë në këtë sistem elemente të bashkëpunimit dhe lidhjes më të ngushtë me biznesin etj.