Paraja dhe licenca e partisë, më e fortë se aftësia

477
Sigal

Kukës, falsiteti i testimit dhe sistemimit në punë të mësuesve fitues

Të gjitha strukturat shtetërore zhvilluan një fushatë të gjerë për ta bërë të njohur situatën e rëndë në sistemin arsimor. Dhe kjo për t’ia lënë fajin paraardhësit. Por, pas afro një viti e gjysmë po bëhet gjithnjë e më qartë se situata sa vjen e përkeqësohet, ndërsa korrupsioni, tashmë, zhvillohet i hapur.

Testimi i mësuesve në muajin dhjetor të vitit të kaluar vetëm sa evidentoi më qartë se shqetësimi nuk është rregullimi i situatës, por nxjerrja e sa më shumë përfitimeve nga personat që Partia i ka vënë në drejtim të arsimit. Pjesëmarrës në test ishin mësues që për arsye të ndryshme për një kohë ishin larguar nga sistemi, apo sapo kishin përfunduar studimet. Rezultatet evidentuan një fenomen të çuditshëm. Më shumë se gjysma e mësuesve nuk arritën të merrnin vlerësim pozitiv, bile shumë prej tyre u vlerësuan me notën zero. Vlerësimi me notën zero është një problem që evidenton nivelin skandaloz të arsimit në Shqipëri. Një nivel që duket se do të shkojë drejt përkeqësimit, edhe nga vetë drejtuesit e arsimit. Vetë Ministria e Arsimit ka evidentuar se në qarkun e Kukësit janë 236 vende të lira, kur pas testit të kryer fituan vetëm 29 mësues. Edhe pse situata në qarkun e Kukësit është mjaft e rënduar, aq sa për ndonjë lëndë tregohen edhe barsoleta si për lëndën e Informatikës, ku mësuesja që nuk di as të hapë kompjuterin, i drejtohet nxënësit për ndihmë.
Numri më i madh i mësuesve pa arsimin përkatës në shkallë vendi është në qarkun e Kukësit. Por deri tani asgjë nuk po bëhet për ndryshimin e situatës, edhe pse mësuesit fitues të testit kanë kërkuar të fillojnë punë. “Kam kërkuar të filloj punën, në atë vend ku vetë Drejtoria Arsimore ka vendosur, por më është thënë: “Fillimin e punës për ju e ka në dorë ministrja e Arsimit”, – thotë njëri prej kandidatëve fitues. Një tjetër shton se: “më kanë thënë se mjafton një herë të regjistrosh emrin në sistem”. Situatën e rëndë e njeh edhe ministrja e Arsimit, e cila ka preferuar të heshtë. E njeh, se ka patur të dërguarin e saj në Kukës, ndërsa hesht, ndoshta se kështu i pëlqen, apo kështu ia kërkon Partia.
Ndërkohë, shqetësimi më i madh është se drejtuesit e arsimit e kanë të vështirë largimin e mësuesve pa arsim. Kjo, pasi ata e kanë blerë vendin e punës. Një gjë e tillë tashmë është e njohur nga i gjithë komuniteti, pasi mësuesit që kanë fituar testin kanë punuar shumë vjet në arsim, por për arsye të ndryshme kanë punuar edhe në sektorë të tjerë. Por ata prej më shumë se një vit kërkojnë të rihyjnë në sistem, por gjithnjë u është thënë: Nuk ka vende të lira. Ndërsa tani evidentohet se numri i vendeve të lira është shumë i madh. Dhe në këto vende janë punësuar mësues pa arsimin përkatës. Nga komuniteti bëhet fjalë se një lloj punësimi i tillë kryhet përmes pagesës. Është kjo arsyeja që vështirësohet largimi i këtyre mësuesve për t’ua liruar vendin mësuesve fitues të testit.
Tashmë, për të gjithë është bërë e qartë se punësimi në arsim kryhet sa për të siguruar një pagë, ndërsa askush nuk pyet se kush po zë vend në armatën e mësuesve, mjafton të jesh militant i PS-së. Është kjo arsyeja që asnjëherë nuk janë bërë të ditura vendet e lira në shkollat pranë qytetit. Janë këto vende që mbahen vetëm për miqtë e drejtuesve, apo të deputetëve socialistë, ose vende për t’u shitur. Një gjë e tillë, tashmë është bërë e njohur për gjithë komunitetin.
Fakti se nga Ministria bëhet e njohur se në shkallë qarku janë 236 vende të lira tregon situatën e rëndë në sektorin e arsimit. Ndërsa është e çuditshme heshtja dhe refuzimi për të punësuar mësuesit fitues të testit, të kryer në muajin dhjetor. Atëherë, pse për armatën e mësuesve do të kryhet testi në muajin maj? Për të larguar nga puna kundërshtarët? Sepse nuk ka arsye tjetër t’u kryhet testi mësuesve specialistë, kur mësuesit pa arsimin përkatës vazhdojnë të vegjetojnë, për të vetmen meritë se janë militantë të partisë në pushtet. “Në të vërtetë nuk është se i trembemi testit, apo provimit, por i trembemi largimit nga puna për t‘ua lënë vendin të afërmve të drejtuesve, apo militantëve të partisë, ashtu siç janë braktisur tashmë edhe kandidatët fitues të testit që njihen si specialistë të arsimit”, – thonë disa mësues.
Në të vërtetë, numri i mësuesve pa arsimin përkatës është thuajse i njëjtë prej vitesh në rajonin verilindor. Shifrat tregojnë se në rrethin e Kukësit rreth 12 për qind e mësuesve janë pa arsimin përkatës. Në rrethin e Tropojës rreth 10 për qind e mësuesve janë pa arsimin përkatës. Ky tregues në rrethin e Hasit është akoma më i lartë: rreth 22 për qind. Në rrethin e Hasit problemi është më shqetësues, edhe pse deri tani ka vetëm heshtje. Për lëndët e Matematikë-Fizikës, mësuesit specialistë mjaftojnë vetëm për dy shkollat e mesme, ndërsa në 18 shkollat 9-vjeçare të gjithë mësuesit janë pa arsimin përkatës.
Këto tregues, duhet ta bëjnë Ministrinë e Arsimit që të vejë duart në kokë. Por ajo hesht, madje tallet me mësuesit specialistë. Nuk mund të thuash gjë tjetër, pasi përfaqësuesi i Ministrisë ishte në veprimtarinë e organizuar për ndarjen e vendeve të lira të punës mësuesve fitues, ndërsa hesht kur asnjë prej mësuesve fitues nuk ka nisur punën. Edhe pse në zona të largëta, pasi vendet e lira pranë qytetit drejtuesit e arsimit i shesin me para.
Testimi dhe sistemimi i mësuesve fitues në vendet e lira, u krye vetëm sa për formë, pasi në realitet gjithçka u la në heshtje. Madje, edhe nga i ashtuquajturi G -5 që është bërë tashmë tmerri i të gjithë punonjësve të administratës shtetërore. Tashmë janë evidente interesat nepotike që janë kushti kryesor i emërimit në çdo vend pune. Kështu po ndodh edhe në sektorin e arsimit, ku mbahen të punësuar një numër i madh mësuesish pa arsim, ndërsa mësuesit specialistë mbahen jashtë sistemit. Ata që e drejtojnë sistemin vazhdojnë të tallen me komunitetin, por edhe me mësuesit, të cilëve u thonë: “futuni një herë në sistem, pastaj shohim e bëjmë”. Është e qartë: me mësuesit fitues, drejtuesit e arsimit kanë nisur të tallen, edhe pse situata në sektorin e arsimit është mjaft e rënduar. Po askush nuk do t’ia dijë për këtë, mjafton të nxjerrë përfitime për xhepin e tij. Duke nisur nga Ministria e Arsimit: Prej një viti nga dikasteri drejtues i arsimit janë ndërruar 5 drejtues rajonalë të arsimit. Mjafton ky fakt për të kuptuar llumin ku ka rënë arsimi, nivelin e lartë të korrupsionit dhe shpenzimet e mëdha që duhen për të hyrë në sistemin e arsimit nga specialistët. Gjë që nuk ndodh për mësuesit pa arsim që ia kanë marrë dorën që të punësohen vetëm duke paguar, paçka se çfarë i japin nxënësit. Dhe situatën e njohin mirë të gjithë strukturat shtetërore, edhe ministrja. Të gjithëve u leverdis të heshtin, edhe pse në dëm të komunitetit.
Artur Zeneli