Mimoza EREBARA/ Prezantim dinjitoz i artistëve shqiptarë në Paris

877
Sigal

Poezitë e poetes Mimoza Erebara përzgjidhen në Akademinë Europiane të Artit në Paris

Në mesin e shumë prezantimeve të artistëve shqiptarë nëpër botë, padyshim që Parisi është një kryeqendër. Një “status” që, ky qytet e ka fituar prej shekujsh. Gjithnjë tek artistët Parisi ka qenë një pikë referimi për zhvillimet e reja në rrymat e ndryshme artistike dhe në zhvillimin e mendimit e filozofisë botërore. Një qytet pritës i shkëlqyer i trajtimeve të reja artistike dhe gjithashtu një mikpritës i kulturave të ndryshme nga nacionalitete nga e gjithë bota. Pjesë e këtij makroprocesi vizionar, i cili i paraprin që në atë kohë zhvillimeve të vrullshme të gjeoplitikës evropiane, është edhe ekzistenca e Akademisë Europiane të Artit, një organizëm internacional i themeluar që më 1920, koha kur Europa artistike diskutonte gjerësisht Manifestin e Futurizmit, shijonte një Modigliani, Dali, Picaso, Ernst, Kandisky, Miro, apo një Kodra e Gjoka shqiptar,etj., sikur habitej, protestonte e më në fund pranonte një Aragon, Apollinaire, Beckett, Kafka, Breht, Remark, Kamy, Bazen, Eluard, etj. Në këtë kohë piktori i njohur francez Alphons Crapin (i cili ndërroi jetë vitin e kaluar, më 2013), themeloi Akademinë Europiane të Artit. Që në fillesën e saj kjo Akademi u orientua drejt universialitetit të artit duke e pranuar, së pari, si të tillë dhe duke e realizuar edhe në praktikë, përmes statutit të saj në të cilin marrin pjesë seksione pothuaj nga të gjitha vendet e Europës. Duke i qëndruar besnik mendimit se arti nuk njeh kufij, se arti në thelbin e tij është human dhe falë këtij humaniteti ai ruan edhe ekzistencën e tij vetë. Që nga ky vit, 1920, e deri më sot është e tepërt të themi që numërohen shumë veprimtari ndërkombëtare, shumë ekspozita pikture e skulpture me pjesëmarrjen nga Seksionet anëtare të kësaj Akademie, të cilët ftohen në Sallonin e përvitshëm që organizohet në Paris. Dhe në këtë rast dua të theksoj se, kusht i vetëm është cilësia artistike, e cila në prezantim universializohet natyrshëm e ku nga ana tjetër, vetë artistët pavarësisht nacionalitetit që përkasin dhe rrymës që përfaqësojnë, ndjehen të barabartë, thjesht qenie njerëzore! Në vitin 1965 Selia qendrore e kësaj Akademie transferohet në Bruksel ku vazhdon aktivitetin deri më 2013 për t’u rikthyer më 2014 përsëri në Paris. Seksioni Kombëtar Shqiptar u bë pjesë e kësaj Akademie (AEA),  më 2002 me iniciativën e piktorit  të njohur shqiptar, Jetullah Haliti- Eti, Anëtar Aktiv i Akademisë Europiane të Artit që nga 1996, fitues i shumë çmimeve prestigjioze ndërkombëtare e kombëtare. Autor i shumë ekspozitave vetjake, mbi 90 të tilla e po ashtu iniciator, dhe realizues, i shumë ekspozitave kolektive si në trojet shqiptare në Kosovë, Shqipëri, po ashtu edhe në Europë, me synimin e përhershëm të promovimit të vlerave të artit shqiptar dhe të apelit për një paqe universale. Krijues i Institutit të Arteve Profondiste, Akademik dhe Ambasador i Paqes. Që nga viti i themelimit ky Seksion ka një aktivitet të përhershëm, i cili kurorëzohet me hapje ekspozitash e prezantim artistësh të të gjitha moshave e të të gjithë rrymave artistike e teknikave realizuese. Namur, Maubeuge në Belgjikë, Martigni në Zvicër, Hesperange në Luksemburg, janë disa prej ekspozitave kolektive. Katalogët e pllakatet e shumtë që kanë shoqëruar gjithnjë këto veprimtari e dëshmojnë këtë gjë fare bukur. Njëkohësisht, krahas arteve të bukura, pra pikturë, skulpturë, fotografi artistike, nëpër këto prezantime nuk kanë munguar as poetet. Poezitë e tyre janë prezantuar në dy gjuhë, shqip e frëngjisht dhe kjo padyshim që përbën një arritje për gjithsecilin pjesëmarrës, por edhe një arritje për artin tonë kombëtar. Fundi i marsit, e fillimi i prillit ishte koha kur u mbajt kompeticioni i radhës për këtë vit, ku të ftuar e pjesëmarrës ishin edhe artistët shqiptarë, anëtarë aktivë të Akademisë Europiane të Artit, pjesë të Seksionit Kombëtar Shqiptar. Këtë herë merrnin pjesë si piktorë duke u përfaqësuar me nga dy punime në teknika të ndryshme si nga Kosova ashtu edhe nga Shqipëria. Përmendim këtu autorë të njohur, fitues në shumë prezantime kombëtare e ndërkombëtare si Jetullah Haliti,-Kosovë, Lek Rrotani, Met Baci- Shqipëri, Kadrush Neziri- Kosovë, po ashtu edhe piktorë sikur Nuri Jaupllari -Shqipëri ,që merr pjesë për herë të parë, deri tek më të rinjtë, si Nelly Haliti –Kosovë e Bora File-Erebara -Shqipëri. Në gjininë e skulpturës mori pjesë skulptori i mirënjohur shqiptar, Idriz Balani, ndërsa në gjininë e fotografisë artistike Gazmend Jonuzi,- Kosovë.  Në fushën e letërsisë pati vetëm një përfaqësuese, poetja Mimoza Erebara nga Shqipëria, e përzgjedhur mes disa konkurruesve paraprakisht nga Akademia Europiane e Artit, e cila u prezantua me tre poezi të përkthyera në gjuhën frënge. Në ceremoninë e hapjes, e cila u zhvillua në Salon UVA, 9, Rue Duc,75018, Paris, Kryetari i saj zoti Robert Finot, uroi pjesëmarrësit për praninë e tyre, por në mënyrë të veçantë u ndal tek prania e artistëve shqiptarë në këtë Salon, për të cilët nuk harroi të përmendte faktin se ata kishin udhëtuar rreth 3000 km për të qenë pjesë e këtij kompeticioni. Gjithashtu ai uroi garim të ndershëm në konkursin e shpallur me këtë rast. Në këtë ceremoni fjala përshëndetëse iu dha edhe kryetarit të Seksionit Kombëtar Shqiptar, zotit Jetullah Haliti-Eti. Gjithashtu fjalën e morën edhe kuratoret, zonjat e nderuara Eliane Hurtado e Michele Morisi- Viotte, të cilat u ndalën në detajet teknike, qoftë për artet pamore, qoftë për letërsinë. Ekspozita qëndroi e hapur deri më 6 prill, ditë në të cilën u shpallën edhe fituesit e konkurseve të arteve pamore e letërsisë. E përmenda që artistët shqiptarë merrnin pjesë me nga dy punime. Kështu, Jetullah Haliti-Eti mori pjesë me “Pëllumbat e Paqes”, vaj në kanavacë dhe me “Acari Kosovar”, bojë kineze. Lek Rrotani me “Syri kozmik”, teknika e monotip dhe grafikë në bojë kineze. Met Baci “Portret” dhe “Kompozicion”, monotip. Kadrush Neziri “Portret”, teknika e dheut dhe “Kompozicion”, vaj në kanavacë. Nuri Jaupllari u paraqit me dy kompozicione, vaj në kanavacë. Nelly Haliti “Portret”, vaj në kanavacë, Bora File Erebara me “Portret”, bojë kineze dhe “Puthja” teknike mix. E vetmja punë në skulpturë e artistit Idriz Balani ishte bust në bronz i një prej figurave të njohura të artit shqiptar, piktorit Omer Kaleshi. Gazmend Jonuzi u paraqit me fotografinë artistike “Pëllumbat”. Në përfundim të kompeticionit në mesin e  57 konkurruesve nga Franca, Maroku, Italia, Belgjika, Portugalia, Zvicra, Luksemburgu, piktori shqiptar Lek Rrotani me punën e tij “Syri kozmik”, teknika e monotipit mori çmimin për këtë teknikë. Ndërsa në letërsi ky nder i takoi poetes Mimoza Erebara, Shqipëri, anëtare aktive e AEA, e njëkohësisht Nën/Kryetare e kësaj Akademie, Seksioni Kombëtar Shqiptar, e cila mori pjesë me tre poezi: “Ku je?”, “Burri që nuk është”, “Jam njeri i vetmuar”, ku  poezia “Ku je?” u përzgjodh të lexohej si një nga poezitë më të mira të paraqitura në këtë kompeticion. Në këtë prezantim të artistëve shqiptarë ra në sy serioziteti me të cilën ata kishin respektuar cilësinë artistike gjë që u vu re në përballjen me vlerat e paraqitura nga pjesëmarrësit e tjerë. Vizitorët e ndryshëm, që përcollën ekspozitën, ndaleshin gjatë pranë punëve dhe kur mësonin se vinin nga Shqipëria, kënaqësia estetike vishej edhe me interesimin e tyre për këtë vend që pak e njihnin. Mbështetja morale, e cila erdhi përmes prezencës së tyre në ceremoni, të ish ambasadorit shqiptar në Francë, zotit Luan Rama dhe gazetares së njohur Seferina Serani Selenica, vetëm sa e nderoi edhe më shumë artin dhe artistët shqiptarë. Në përfundim nuk mund të lemë pa përmendur edhe gatishmërinë nën cilësinë sponsorizuese të Ministrisë së Kulturës në Prishtinë dhe interesimin personal të Ministrit zotit Memli Krasniqi, të Aleancës Franceze Prishtinë, të Kryetarit të Komunës së Gjilanit zotit Lutfi Haziri dhe Kompanisë së Sigurimeve Sigal, Dega Durrës, Shqipëri.