Bomba në Ambasadën Sovjetike, ja si u masakruan 22 intelektualë shqiptarë

    522
    Sigal

    Më 19 shkurt 1951, bomba që tronditi Shqipërinë dhe marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik

    Një ngjarje që dhe sot diskutohet sikur të ketë ndodhur dje. Një ngjarje që bëri bujë të jashtëzakonshme, saqë Tirana për ditë të tëra nuk e mblidhte veten nga makinat e sigurimit, arrestimet, kontrollet e befta nëpër shtëpi.

    Ç’kishte ndodhur vallë?

    Më 19 shkurt të vitit 1951, në orën 18:00 në pjesën e hyrjes së Ambasadës së Bashkimit Sovjetik në Tiranë, sot Ministria e Arsimit u hodh një lëndë eksplozive. Kush e hodhi atë “bombë” që nuk vrau dhe nuk plagosi asnjeri? Kush ishin ekzekutorët dhe organizatorët e atij “atentati”? Versionet janë të ndryshme, por ai më i besueshmi është se, “incidenti që ngjan si dy pika uji me vrasjen e Kirovit, më 1 dhjetor të vitit 1934, (ish-Sekretar i Partisë Bolshevike të Leningradit, sot Petërburgu), është organizuar nga Sigurimi i Shtetit shqiptar që u shfrytëzua për të shpërthyer një terror në masë ndaj intelektualëve dhe patriotëve kryeqytetas që shikoheshin me sy të shtrembër, nga pushteti komunist. Ato ditë kishte mbërritur në Tiranë një delegacion kulturor sovjetik, për të marrë pjesë në manifestimet që do të organizoheshin me rastin e 33-vjetorit të krijimit të Ushtrisë së Kuqe.

    Atë ditë

    Pikërisht, më 19 shkurt të vitit 1951, ditën që ndodhi hedhja e bombës, Ambasada Ruse do të jepte një pritje për delegacionin e ardhur nga Moska. As ministri i Brendshëm i asaj kohe, Mehmet Shehu, që raportoi në mbledhjen e Byrosë Politike të 20 shkurtit për këtë incident dhe asnjë anëtar tjetër i Byrosë Politike nuk përmendi me emër atentatorët dhe organizatorët e atij incidenti. Madje, Enver Hoxha propozoi në Byronë Politike, që mos të zihet në gojë hedhja e “bombës” në Ambasadën Sovjetike në telegramin që do t’i dërgohej Stalinit. Përse të ndodhte kështu? Në fjalimet e M. Shehut dhe të E. Hoxhës botuar në gazetën “Zëri i Popullit” në datat 2 dhe 3 mars 1951, justifikohet terrori dhe nuk përmendet aspak incidenti në ambasadën sovjetike. Sipas dëshmive të ish-të burgosurve politikë të asaj kohe dhe të ish-oficerëve të lartë të Sigurimit, që u dënuan më vonë nga diktatura, emrat që lakohen për hedhjen e eksplozivit janë: Hysen Llulla dhe Qazim Laçej.

    Hysen Llulla ishte një djalosh 20-vjeçar krutan, trim dhe antikomunist i vendosur, pjesëtar i Grupit të Rezistencës. Dihet se ky grupim, më vonë ra në duart e Sigurimit dhe u manipulua prej tij. Nuk është aspak çudi që Hysen Llulla të ketë vepruar në hedhjen e eksplozivit në mënyrë krejt individuale. Mbas disa ditësh, ai u vra në rrugën e “Shëngjergjit” (sot rruga “Ali Demi”) në përpjekje me agjentët e Sigurimit.

    I përfoluri i dytë për kryerjen e atentatit ishte oficeri i Policisë Rrugore, Qazim Laçej. Ai në mbrëmjen e 19 shkurtit, ishte caktuar me detyrë në afërsi të ambasadës. Flitet se Qazimi e hodhi bombën i shtyrë nga motive anarkiste, për të parë pështjellimin që do të shkaktonte në dikasterin e tij hedhja e bombës. Më 20 shkurt, Qazim Laçej, arrestohet për mosvigjilencë në kryerjen e detyrës, por kur mësoi në qeli se ai ishte bërë shkaktar për një terror masiv, mori përsipër vullnetarisht hedhjen e bombës. U dënua me vdekje dhe brenda ditës u ekzekutua. Nuk dihet me siguri, nëse Qazim Laçaj u sakrifikua për hir të “Nënës Parti”, apo zbatoi urdhrat e dikasterit të tij kobzi, apo ishte një veprim individual i tij. Enigmën e atij atentati e kanë marrë me vete në varr ata që e përgatitën dhe ai që e kreu.

    22 të pushkatuar

    Kjo ngjarje solli dhe arrestimin dhe pushkatimin e 22 intelektualëve. Për parapërgatitjen e vrasjes së 22 viktimave, më 27 shkurt të vitit 1951, ekzistojnë fakte të pakundërshtueshme. Po përmendim vetëm dy prej tyre. 1. Hapja para atentatit, e gropës ku do të groposeshin kufomat. 2. Hartimi i listave në fillim të muajit shkurt nga Ministria e Punëve të Brendshme për ata që do të arrestoheshin, do të dënoheshin dhe do të pushkatoheshin. Listat ishin të firmosura. Dëshmitarët okularë deklaruan se në datat 18 dhe 19 shkurt 1951, një togë policësh kanë hapur një gropë në afërsi të Urës së Beshirit me dimensione 8 x 8 x 1.5m. Vendi është ruajtur me policë deri në mesnatën e 26 shkurtit, kur janë pushkatuar 22 viktimat e të ashtuquajturit komplot i “atentatit” për hedhjen e “bombës” në Ambasadën Sovjetike. Fshatarët kishin dëgjuar atë natë, batare pushkësh dhe automatikësh dhe ulërimat e një gruaje nga vendi ku ishte hapur gropa, disa ditë përpara. Ata fshatarë, pas vitit 1990 ndihmuan familjet e viktimave për të gjetur vendin ku ishin pushkatuar të afërmit e tyre, para katër dekadash. Nga ana tjetër, ish-Gjenerali i Sigurimit të Shtetit, Halim Xhelo, i asgjësuar misteriozisht në Spitalin burg të Tiranës, në vititn 1974, u ka deklaruar bashkëvuajtësve të tij se, listat për arrestimin e personave për incidentin e 19 shkurtit në ambasadën sovjetike, ishin hartuar në fillim të shkurtit në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe ishin miratuar nga diktatori Hoxha. S’ka asnjë dyshim se masakra e shkurtit të vitit 1951, kishte edhe dorën e këshilltarëve sovjetikë pranë Sigurimit shqiptar.

    Dekreti 1223

    Dekreti 1223 i aprovuar me nxitim në datën e 26 shkurtit kishte vetëm 6 nene dhe parashikonte që brenda 10 ditësh, për akte terroriste, të bëhej arrestimi, hetimi, gjykimi dhe ekzekutimi i vendimit, pa të drejtë apelimi. Dekreti ishte një kopjim fjalë për fjalë i dekretit stalinian të 10 dhjetorit 1934, mbas vrasjes së Kirovit, më 1 dhjetor të atij viti. Me atë dekret, filloi në Bashkimin Sovjetik, terrori i madh që brenda katër vjetëve (1934-1938) sipas historianit francez, Robert Konkuest, u arrestuan 6 milionë vetë, u ekzekutuan 3 milionë prej tyre dhe vdiqën nëpër kampet e punës 2 milionë vetë. (Libri i zi i komunizmit) Shefi i GPU-së sovjetike, shkurtabiqi Jezhov, thotë se, brenda 3 ditëve mbas vrasjes së Kirovit u arrestuan 15 098 veta, gjysma e të cilëve mbas 10 dhjetorit u ekzekutuan.