Arvanitasit ura e parë lidhëse Greqi-Shqipëri

    587
    Sigal

    “Arvanitasit dhe origjina e grekëve” ndër librat më të lexuar në Greqi

    Fqinj shekullorë aq të afërt, siç janë shqiptarët me grekët, nuk mund të mos jepnin e merrnin nga njëri-tjetri. Përmendim bashkëjetesën shumë shekullore të përbashkët nën ombrellën e perandorive jashtëballkanore, por edhe emigrimet brenda njëri-tjetrit. Njihen tanimë historikisht kolonit helene të Dyrrahiumit (Epidamusit) apo të Apolonisë. Këto qytetërime korkyro-korinthase të shekujve IV para erës së re vazhduan shumë gjatë. Ndonëse ato, sipas Tuqididit, babait të historisë, ishin të ndara me mure rrethuese nga banorët “barbarë” ilirë, nuk mund të kishte një mënjanim total të bashkëjetesës së tyre me banorët vendas. Kështu që, shumë martesa do të kenë trazuar gjakun heleno-ilir të tyre në periudha, të ndryshme çka forcuan karakterin ballkanik të të dy popujve. Por pa u shtyrë aq thellë në histori le të vijmë në qindvjeçarin tonë që po mbaron. Zonat kufitare, ose Epiri, patën marrëdhënie tepër të ngushta jo vetëm tregtare, kulturore, por edhe martesa të shumta. Dihet tanimë trazimi martesor i grekëve të Shqipërisë me shqiptarët, sikundër dihen lidhjet e gjakut të tyre me grekët e Epirit të Jugut. “Una raca, una faca” thonë shpesh italianët për ngjashmërinë e tyre më evropianë të tjerë, por më shumë se sa shqiptarëve e grekëve, kjo nuk do t’u shkonte askujt…

    Ura e parë
    I kemi përmendur arvanitasit si emigrantët e parë të mëdhenj të Arbërisë mesjetare drejt Greqisë. Ata qenë ura e parë, thamë, që i lidhi kaq shumë këta popuj. Por dihen tani më shumë kontribute  të këtij etniteti në interes të vetvetes. Bibliotekat e Athinës janë mbushur me librat e tyre për shumë çështje të mëdha të këtij etniteti, por edhe të vetë historisë së Greqisë. Po të lemë të flasim në këtë ditë nëpërmjet një bisede të zhvilluar vite më parë (para vdekjes) me njërin nga personalitetet e brezit të mesëm të intelektualëve arvanitas, mik i madh i shqiptarëve e sidomos i intelektualëve, avokat, shkrimtar, publicist, por edhe botues të njohur. Ka qenë miku im Aristidh Kolja (vdekje e papritur), por edhe miku i gjithë atyre  që i bashkoi dikur në Greqi fjala e shkruar.
    E mbaj mend si sot, trup mesatar, i qeshur, një njeri me fizionomi tipike ballkanike, por më i kulturuar se aq, një botë shqiptare e lashtë, aspak e komplikuar nga trazimet e fundit të shpirtrave tanë, Aristidhi fliste një shqipe aq të pastër sa vetiu të lind dëshira që të gjithë sivëllezërit e tij ta dinin shqipen po aq bukur. Por me sa duket nuk është dhe kaq e lehtë të flasësh për arvanitasit me pak rreshta.. Ne folëm për “dembelizmin” e qeverive shqiptare, por nuk duhet të mohojmë se kjo çështje është tepër e ndjeshme edhe për qeveritë greke për problemin e arvanitasve. Ndoshta ka ardhur koha që probleme të konsideruara “tabu” nga të dy palët të hapen në diellin e së vërtetës. Nga kjo veç të mira do të kishim. Duke qenë një komunitet i madh arvanitasish në Greqi, askush nuk do të besonte se trojet ku banojnë  ato janë shqiptarë, sikundër edhe për ndonjë ngulim grek në thellësi të tokës shqiptare. Kjo plagë duhet shëruar. Por le ta lëmë fjalën zotit Kolja *nëpërmjet një bisede të zhvilluar në vitin 1996 në Athinë), sepse më mirë se ai nuk dimë të flasim për arvanitasit, të cilëve ai i ka kushtuar dy libra:

    Arvanitasit, sa janë?
    -Është e vështirë të thuash  (thotë Aristidhi), se sa është numri i saktë i arvanitasve të Greqisë. Sot nuk është e mundur të bësh  një regjistrim të saktë dhe të thuash:”Kaq jemi”! Ajo që njihet më lehtë janë rajonet e fshatrave ku banojnë këta njerëz, apo që kanë banuar më parë, sipas dokumenteve tanimë të gjetura. Të habit përhapja e tyre dhe depërtimi mes popullsisë më të vjetër greke. Të shumta janë fshatrat e tyre  në Thiva, pranë Athinës, në Poloponez, por edhe në Dodekanez e ishujt si Argoaonikoi, Evia e Qikladhes, por edhe në Viotia, Arolidha, apo të shtyrë thellë ishullin e madh të Kretës, d.m.th. në qendrat historike të Greqisë së Vjetër. Aty është ruajtur gjuha e tyre deri më sot, si edhe në disa vende të Mesinias, Ahaia dhe të Arkadhies. Në disa zona të tjera gjuha humbi lashtë si në Etoloakarnania, Lakonia e në ishujt e Qikladhës.
    Gjuha shqipe
    Por gjuha shqipe flitet sot edhe në Epir e Thrakë, por ajo popullsi nuk hyn arvanitasit, d.m.th te ajo popullsi që u vendos në Greqinë Jugore në shekullin  e XIV-të. Rrënjët e grekëve janë tepër të trazuara e të lidhura me ato arvanitase. Akoma edhe ata që erdhën në Greqi, pas vitit 1992kur u krijua shteti Qemalist turk, nga Azia e Vogël, në një farë mase janë me rrënjë arvanitase, kryesisht ata që erdhën nga Izmiri, Stambolli, Brusa, etj.. Një shembull i vogël: në Stamboll ekziston një lagje që quhej “Arnautqoi” që do të thotë fshat arvanitas. Banorët e kësaj lagje arvanitas të krishterë, u zhvendosën në Greqi.  Por pak nga pasardhësit e tyre e njohin origjinën e vjetër të stërgjyshërve. Por për të bërë diçka konkrete për të gjitha këto, siç mund ta dini ne kemi krijuar shoqatën “Marko Boçari” të cilën e kam nderin ta kryesoj (kur ishte gjallë- shënimi im-a.zh). Në të marrin pjesë njerëz të artit dhe të kulturës, njerëz të shtypit, të cilët ngulmojnë të zbulojnë të gjithë rrënjët e tyre e për të cilat janë krenarë. Deri tani shoqata ka botuar disa kalendare-albume të cilat paraqesin, sipas viteve të javëve, korifejt e botës arvanitase. Kështu kalendari-ditar me 12 kryeministrat me origjinë arvanitase që i kanë shërbyer shtetit grek ka zgjuar interes të veçantë, por siç është e natyrshme, edhe polemika.

    Kalendarët
    Një kalendar tjetër është ai me 12 emrat e piktorëve më të shquar arvanitas, të vendosur kronologjikisht, e të ilustruar me ndonjë vepër të tyre dhe biografitë përkatëse. Një botim i tillë i është kushtuar gruas arvanitase duke e ilustruar  atë me veshjet  karakteristike, të cilat, ruhen ende sot në sepet e gjysheve, natyrisht me ndonjë trazim krahinor vendas. Zotëron në të figura e Roza Boçarit, (1818-1875) vajzës së trimit Marko Bocari. Një botim tjetër është “Veshja Popullore Arvanitase”, i cili është shoqëruar dhe me vargje të poezisë popullore që të kujtojnë nektarin e poezisë të De Radës së madh arbëresh.

    Në vresta
    Ne ni kuçar,
    Këndon ni zok
    E bukur.

    Tër vresstat
    I skova, rruss
    Si buza
    Jote ss’t
    Tshova….(të pashë)
    ………………………..
    Kurt ë shoh pleksidhet (gërshetat)
    Zëmëra më dridhet.

    Një kalendar-album i kushtohet figurës madhore të Marko Boçarit, këtij arvanitasi të madh që bëri aq shumë edhe për gjuhën tonë. Pa dyshim kontributi i luftëtarëve arvanitas në revolucionin grek të vitit 1821 është shumë i madh dhe një kalendar-ditari tij u është kushtuar 12 figura më të spikatura. Emrat njihen botërisht: Konstandino Kanaris, Andrea Aiaulis, Theodhoro Grivas, Laskarina Bubulina, (Bubullima do ta shqiptonte menjëherë çdo shqiptar), Dhimitrio Andrucos, Athanasios Skurtaniotis, Jeorjos Karaiskaqis, Kiço Xhavella dhe Marko Bocari, (Pocari do ta shqiptonin përsëri menjëherë). Janë lavdia e kombit grek e dimë. Ne duam vetëm pjesën e lavdisë sonë. Por ne e kemi botuar edhe revistën “Besa”, një periodik i cili synonte të hapte hapësira më të mëdha për kulturën popullore arvanitase, personalitetet e tjerë më të vegjël të vet, por edhe të mbështesin emigracionin shqiptar të viteve të para. Sepse edhe emra të mëdhenj bashkëkohës janë po aq të vlera tona si paraardhësit. Emrat e Melina Mërkurit, Eli Lambetit, Odisea Elitit 9origjina nga nëna e tij), Grigori Bithikikoci, Dhimo Muçi, Jani Argjiri, etj., etj..

    Libri “Arvanitasit dhe origjina e grekëve”

    Libri im i parë “Arvanitasit dhe origjina e grekëve” u botua në vitin 1983. Ai ka dy pika referimi bazë: pellazgët në lashtësi dhe arvanitasit në periudhën bashkëkohore. Besoj pa masë se kam transmetuar tek shumë historianë bashkëkohorë grekë se… “historia greke që nuk ka parasysh pellazgët dhe arvanitasit, as greke dhe as histori nuk është”. Në vitin 1991 përfundova veprën tjetër “Gjuha e perëndive”, një studim ky për fenë e lashtë greke dhe idhujt e saj, për emrat e perëndive e të idhujve me lidhjet e tyre me emërtime vendesh. Fjalët, emrat dhe toponimet fshehin një histori të tërë e cila del në dritë përmes interpretimit të origjinës së tyre. Libri im tjetër i botuar së fundi e ka  titullin “1991-1994,Greqia në grackën e serbëve të Millosheviçit”, që është një denoncim i politikës së jashtme të atëhershëm greke, e cila e tërhequr nga premtimet e rreme serbe për gjoja zgjidhjen e çështjes së Maqedonisë, dhe gjithçka për të ndihmuar synimet e mëdhatë Millosheviçit, Karaxhiçit, e pasuesve të tyre, duke arritur deri aty, sa të izolohen publikisht shtete të tjera dhe më e keqja, duke tronditur marrëdhëniet e saj me Shqipërinë fqinje.

    KËSHILLA  ARVANITASE 

    -Njeriu që harron Atdheun, ka harruar veten e tij.
    -Gruaja e mirë është themeli i shtëpisë.
    -Njeriu që flet keq për këdo, largoju si murtajës.
    -Llafazanin vështroje në sy, ndërsa me mend zgjidh punët e tua.

    Burri nuk duhet të hyjë në mes kur zihen dy gra me fjalë

    -Ruaji prej lakmisë së parasë siç ruhesh nga shiu në dimër.
    -Njeriut që qesh mos ia vë re edhe një fjalë të tepërt.
    -Në dasmë ngopu me këngë e gëzim e jo me ushqim.
    -Në punë ec me vrap vetëm me këmbë dhe me hap  me mend.