Anastas Nika:“Aktor më bëri këmbëngulja në qëllimin tim”

    629
    Sigal

    INTERVISTA/ Flet për “Telegraf”, aktori dhe regjisori sarandjot, Anastas Nika

    Kur dëgjon rrëfimin e aktorit dhe regjisorit sarandjot Anastas Nika, të duket se kalon në rreshta e tregimeve të fëmijërisë së Gorkit. Një rrëfim i veçantë që mban përbrenda një dhimbje dhe një sukses. Një vuajtje për shkollim, sa do ta kishin zili kushdo që do ta njihte suksesin e tij. Por me vetëmohim, përpjekje e sakrifica, me ulje e ngritje, deri në punët më të vështira për moshën, arriti jo vetëm formimin arsimor, por edhe qëllimin për t’u bërë artist i tillë që fama ka kapërcyer kufijtë shtetëror të Shqipërisë. Pas vlerësimit si aktori më i mirë i vitit nga akademia “Pegasi”, vjen vlerësimi i lartë me medaljen e art “Aleksandri i Madh” dhënë nga shoqata n/kombëtare “kafene e Ideve” me kryetar personazhin e njohur të teatrit, letërsisë dhe gazetarisë greke, Dinos Kubatis. Pas kësaj Anastasi përgatit së bashku me Dino Kubatis dhe pjesëmarrjen e ikonës së papërsëritshme të teatrit dhe filmit shqiptar, zonjën e madhe Margarita Xhepa, premierën e suksesshme “Art pa kufij” me recitime dhe interpretime nga krijimtaria e suksesshme e poetëve dhe dramaturgëve shqiptar e grekë, shfaqur në Sarandë dhe Salaminë të Greqisë. Mbas këtij suksesi të madh ne i morëm një intervistë aktorit Anastas Nika, ku fokuson se arritja më e madhe është forca e vullnetit dhe dashuria për teatrin, përsosja e personalitetit, aftësimit profesional dhe dashuria për jetën, për spektatorin. Ai tregon peripecitë e jetës, problemet e sotme të teatrit dhe rrugët e kapërcimit të tyre, takimi i befasishëm dhe i çuditshëm i Enver Hoxhës dhe supercioziteti i Ruzhdi Pulahës. Koha e djeshme dhe e sotme e teatrit dhe aktrimit shqiptar, vijnë në këtë intervistë interesante.

    -Përshëndetje z.Anastas! Besoj se është momenti që të flasim për lexuesit e “Telegraf”, pas marrjes së çmimit “Aleksandri i Madh” dhe suksesit të premierës poetike “Art pa kufij”shfaqur në Sarandë dhe Salaminë të Greqisë, qytet, ku dhe u vlerësuat me titullin e lartë artistik. Pra diçka mbi rrugën tuaj drejt këtij suksesi?

    Falënderime stafit të “Telegraf”! Urimet më të përzemërta për suksese të mëtejshme. Është një rrugë e gjatë, plotë vuajtje, vendosmëri, realizime dhe suksese. Por dashuria për artin dhe besimi në vetvete më bëri të realizoj synimin tim dhe të vij tek spektatori i suksesshëm, t’i sjell atë që duhet në këtë kohë të zymtë tranzicioni, kohë që është e mbushur me strese dhe zbrazëti shpirtërore dhe pikërisht ky është misioni i artit dhe artistit të vërtet, të mbushë këtë boshllëk shpirtëror, të ngrejë në piedestal ndjenjën e fisnikërisë dhe besimit për jetën. Dhe vet jeta ime është një shembull i tillë. Pra jam Anastas Nika, i lindur në fshatin Sopik të Sarandës më 05 janar 1960. Dëshiroj të nënvizoj diçka për fshatin, pasi gjeografikisht ndodhet në mes të minoritetit dhe bën pjesë në komunën minoritare të Livadhjasë, por traditë është gjuha shqipe, me një kulturë zakonisht të madhe që vjen që nga lashtësia dhe njihet shumë mirë revolta e grave të fshatit kundër taksave të tanzimatit. E përmenda këtë se, sigurisht, hapat e tij njeriu i hedh në vendlindjen e tij në çdo fushë dhe lumë ai që di t’i dallojë hapat e fëmijërisë së tij. Dhe unë, ose falë fatit, ose prindërve e farefisit, shokëve dhe miqve, fillova të kuptoja se isha i prirur për t’u bërë artist. Si parantezë mund të them se nuk është punë dëshire në art, po je i paracaktuar për t’u bërë i tillë, pra ushqyerja e atij që ne i themi talent. Dhe kjo në të gjitha drejtimet e artit, ashtu si gazetari që shfaq interesin ndaj dukurive, shfaq prirje oratorie etj., pra shfaq shenjat e para qysh në fëmijëri se do të bëhesh i tillë, natyrisht në kohën e sotme janë më të realizueshme… Dhe unë mbaj mend, në atë moshë që fiksohen ngjarje, se shkonim me shokët në lëndinat e fshatit me keca dhe shelegë, sidomos në pranverë dhe aty me shokët ndërtonim skena me skeçe… pra kështu ka qenë… ndaj kam bindje që ç’do artistë, nëse ka një grup, një bërthamë, kjo është fëmijëria. Dhe unë duke pasur një fëmijëri të pasur me ngjarje, sot jam një aktor i mirë dhe i pëlqyeshëm edhe i vlerësuar. Por përveç kësaj, mësuesit vunë re që unë recitoja bukur dhe më angazhuan në festat dhe koncertet që organizoheshin, ku recitoja poezi, monolog, por edhe këndoja dhe kjo ishte një gjë e mirë. I mbaj mend se ishin gjëra të bukura aty në festën e grurit, përvjetorët dhe jubilaret e ndryshme, ishin gjëra shumë të bukura, pavarësisht se sot mungojnë…

    -Dhe Anastasi kapërcen pragun e fëmijërisë…por si eci udhëtimi drejt artit?

    E, e pëlqej shumë atë periudhe dhe e kujtoj me nostalgji dhe nostalgjia është një dukuri reale, origjinale, për të cilën ka nevojë arti. Pra pas shkollës fillore shkova në arsimi 8 vjeçar në Livadhja, ku nuk mungoi angazhimi me koncertet e shkollës. Këtu njoha një person që dua ta përmend me shumë dashuri, Vasil Kromidha, i cili me dashuri më ka aktivizuar në aktivitete, e deri sa është zhvilluar edhe një festival filmi në Livadhja, një event i suksesshëm në vitet ’70. Dhe ky njeri arriti të më çojë në shkollën e mesme artistike në Tiranë, ku shkoja pas konkursit. Atje mësova me pedagogë yje të aktrimit, si gjigandi Prokop Mima, një nga aktorët më fisnik, më të saktë në shqiptim, gjuhën shqipe e flet kaq bukur e me tingëllimë dhe këtij artisti i pëlqeva dhe më afroi në degën e teatrit në Tiranë. Në teatrin kombëtar luajta në shumë vepra, por edhe më kostoi me largimin nga shkolla për shkak të mungesave të shumta, se duke mos pasur njeri të më mbante e të më orientonte se duhej edhe shkolla fluturova drejt ëndrrës, por e pësova. Nuk bëra asnjë gjë, përveçse desha teatrin, por ashtu ishin kohët, ashtu ishin ligjet dhe rregullat. Pas kësaj punova në fabrikën e qumështit, në ndërtim dhe sigurisht e quaja si dënim me riedukim nëpërmjet punës dhe shpirtërisht e quaja veten si ata të deklasuarit që partia i dha shansin, por ky se vlerësoi. Dhe kjo erdhi edhe se të quajturit të deklasuar mu afruan se më quanin një kategori dhe unë tek ata shihja një botë të shtrënguar, por të lirë. Ata mendonin ndryshe, flisnin ndryshe. Më pëlqeu kjo gjë, pa menduar se diku mund të fshihej një njeri që më ndiqte, e ku di unë… por falë që babain e kisha komunist dhe nuk pata ndonjë pasojë nga kjo shoqëri. Pas kësaj më çuan në shkollën e mesme të për të mbaruar shkollën, fillimisht dua të kujtoj, qe më çuan në Konispol, po më hoqën se menduan nga tipi im i shkathët, se mos ikja nga kufiri për në Greqi. Por babai u tregua i shkathët dhe më çoi në Delvinë, megjithëse unë nuk kisha ndërmend ta bëja veprimin e arratisjes. Këtu vura në skenë dramën “E fejuara ime” dhe kjo shkollë kishte shumë disiplinë dhe talente dhe nga këto talente do përmendja Kozeta Bogdo, që do kish ecur mjaft në aktrim, por mori drejtim tjetër. Këtu mora çmim inkurajues dhe mendo se isha 19 vjeç dhe të aktrosh së bashku me të bërit regji, ishte një mrekulli. Vura shumë pjesë teatrore në skenë, por për çudi përsëri më përjashtuan nga shkolla dhe shkoj përsëri në fshat në punët e rëndomta të bujqësisë, punëtor makine, gurthyes në gurore etj.. Pas kësaj shkoj ushtar në Shkallë-Konispol. Me mbështetjen e shtëpisë së kulturës së Konispolit, vura shumë pjesë në skenë brenda dy vjetëve dhe mora edhe vendin e parë në takimin me trupat e estradave nga Berati në Sarandë. Ajo kohë nxori shumë aktorë të mirë, se ishim të sinqertë, kjo është edhe kryesorja. Mbarova ushtrinë dhe shkollën e mesme të Livadhjasë. Pra e nisa shkollën me njerëz, vijova të studioja kafshët në Delvinë dhe bimët në Livadhja. Përsëri punët e rëndomta të bujqësisë nuk mu ndanë. Po, falë dy njerëzve të mirë, që këtu dua të përcjell mirënjohjen time, aktori i estradës Yllo Martiko dhe telekronisti i TV në atë kohë, Ismet Llanaj. Zbuluan aftësitë e mia të aktrimit. Më pyetën, po i gënjeva. Por u takuan me babain dhe më ofruan në estradën e Sarandës. Kështu fillova punë në furrat e pjekjes së fabrikës së tullave në Krekëz, turni i tretë, ndërsa në mëngjes bëja prova në estradë. Shumë e rëndë dhe sfilitëse, por u detyrova tek qëllimi im. Pra mund ta quaj feri im, në qoftë se do ta quaja kështu. Mund të kujtoj një natë në punë, ku nga lodhja më zuri gjumi në karrocë dhe do kisha vdekur nga asfiksia sikur mos të qe shoku i vëmendshëm. Pastaj më krijuan lehtësira në brigadën e arsimit. Brigadë që riparonte shkollat. Dhe më 1986 arrij të shkoj në një kur 9-mujor për regji. Që me këtë rast u afrova përsëri me miqtë e mi të vjetër të teatrit dhe në muajin shtator 1986, fillova akademinë e arteve. Tani isha i pjekur e me përvojë, i vuajtur e i stërmunduar. Atje pata fatin të më jepnin mësim aktorë të mëdhenj si: Timo Flloko, Viktor Zhusti, Minella Borova, Vladimir Prifti, Agim Qirjaqi, Vangjush Furxhiu, Mevlan Shanaj e shumë e shumë të tjerë, që jo vetëm i kisha pedagogë, por edhe bashkëpunuam për të vënë skenë premiera të shumta ato katër vite të shkollës së lartë. Dhe realizova mbi tetë figura artistike, mbi 12 role që të tjerët maksimale realizonin katër role, mos të flas për rolin tim në regji. Pas shkollës më emëruan në Elbasan sa erdhën vitet e demokracisë dhe familja, si djalë i vetëm më kërkoi të jem në Sarandë, ku edhe jam që nga viti 1990 pa lëvizur si regjisor dhe aktor, ku kam vendosur në skenë mbi 70 premiera të ndryshme. Ajo që vihet re në shfaqjet e mia dhe reflektohet tek mbushja e sallës dhe duartrokitjet e spektatorit, është cilësia, pa të cilën nuk ka art, por cilësia është edhe matësi i përgjegjësisë së artistit ndaj spektatorit. Por solla edhe një frymë të re të munguar nga akademia e arteve, këtu në Sarandë. Dhe kjo frymë reflektoi edhe tek shumë talente që ju drejtuan studimeve në akademi, si regjisori i talentuar Spiro Guma dhe plotë të tjerë. Dhe kështu eci rruga deri tek vlerësimet kombëtare e ndërkombëtare, ku spikat vlerësimi me titullin “Aleksandri i Madh” dhe certifikata e mirënjohjes për kontribut të shquar në 100- vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së shtetit shqiptar. Këtu mund të përmend me një mirënjohje të madhe Shefqet Bregun për mbështetjen e madhe dhe miqësinë 40-vjeçare. Suksesi sot është edhe i varur nga kushtet ekonomike, të cilat në shumë raste më kanë penguar të marr pjesë në garim, apo konkurrim. Me gjithë këto realizime, them se artist të bën vullneti, këmbëngulja, qëllimi dhe vendosmëria tek mbajtja gjallë e talentin që zoti bujar i ka falur shpirtit tënd.

    -Qartë z.Anastas! Po le të themi edhe dy fjalë për gjendjen e teatrit sot, në çfarë kushtesh ndodhet ai?

    Merakun më të madh e kam se teatri nuk është më i shenjtë. Këtu është një pikë që, unë dua ta theksosh fort. Nuk e di ç’mendon ti, po a mund të ngre unë moral për gruan në skenë, kur unë e rrah, a mund të ngre unë problemin e vjedhjes apo probleme kombëtare kur jam hajdut apo antikombëtar? Pra nuk kam të drejtën morale ta bëj këtë, sepse publiku nuk më lë. Largohu këtej hipokrit, do më thotë. Pra për mua aktori ndoshta kalon pak përmasat në ekstremitet, por ai është një njeri i shenjtë, me moral, me të gjitha, me të gjitha, me principe, familjar e tjera, pra një njeri i ndershëm me veten, shoqërinë dhe profesionin e tija. Përse? Në xhami shkojnë myslimanët, në kishë shkojnë kristianët, në teqe shkojnë bektashinjtë, në tempull shkojnë budistët dhe në teatër vijnë të gjithë. Shiko se çfarë fuqie ka teatri. U them artistëve të rinj, më thuaj miku im që mbarove shkollën e aktrimit se çfarë mësove nga teatri? Dhe përgjigjen jo ashtu, po kështu me ca standarde teorike. Kurrkund! Një qëllim ka teatri, miku im, “CILËSI NË ZBËRTHIM SHPIRTËROR”! Pra ashti si kultet fetare kanë qëllimin e pastrimit shpirtëror të njeriut, edhe teatri këtë mision ka. Pra misioni dhe qëllimi është i njëjtë me kultet fetare, po mendo se teatri i ka të gjithë nga të gjitha besimet. Shih se sa fuqi ka. Pra ka ardhur koha sot, që atë punë që s’e bën dot feja për arsye që dihen nga politika ateiste, këtë punë duhet ta bëjë teatri. Se ashtu si thotë Shekspiri “teatri është gracka, ku shpirti i njeriut spastrohet. Jam i sigurt se nëse teatri, nëse aktrimi, nëse ndërtimi i skenës flet për një ngjarje që njerëzit në sallë e kanë përjetuar, me siguri ata thonë që ky njeri jam unë”. Ai njeri e shikon veten në pasqyrë, teatri është pasqyrë.

    Talentin nuk ta jep shkolla, por puna

    Nuk mendoj se shkolla është ajo që të jep talentin, që të jem i ndershëm, por po them që shkolla të jep edukatën e punës. Ajo që e ka lënë mbrapa teatrin tonë, është niveli kulturor, jo arsimor se ka aktor që kanë dal shkëlqyeshëm dhe nuk shkëlqejnë. Nuk punojnë! Duhet të dish një gjë se kur kam punuar  Kreontin tek Antigona, çdo mëngjes do çohesha të bëja dy orë vrap, shkoja në teatër të bëja një orë teknik, do veja në shtëpi të punoja me frymëmarrjen, diafragmën e me ushtrime. Duhet të të dridhen këmbët në aktrim si peshëngritësit para shtangës. Por edhe dekorimet dhe vlerësimet që jepen ndaj artistëve, duhen marrë më seriozisht, të paktën flas për Sarandën që e njoh më mirë. Kryebashkiaku është njeri i vlerësueshëm ndaj artit, por në këtë drejtim duhet pak më shoshitje tek propozimet lokaliste të drejtuesve të kulturës, që vlerësimi t’i përgjigjet punës. Pra mendoj se disa prej tyre nuk e meritojnë. Jo si emra, se ka një gjë tek dekorimi si prim, që duhet të jesh njeri dhe artist. Se kur thua baba kupton që ky person ka fëmijë. Dhe tjetra duhet që ky intelektual i ka dhënë shoqërisë deri në sakrificë dhe jo ritme rehatisë, pra ka dhënë ndihmesë në teatër dhe jo pengesë e tij. Unë uroj që çdo njeri të jetë i vlerësuar në jetë, por vet opinioni është ndjerë keq nga dekorimet e propozuara nga drejtori, se ai vë paralelizëm me njeriun e punës të pa vlerësuar dhe të dekoruarin jashtë kontributit. Kjo në Sarandë është interesante. Dhe bota informative ka ecur para, ndaj kjo nuk duhet të ndodhë…

    Më hoqën nga shkolla se imitoja Enver Hoxhën

    Për ta mbyllur këtë bisedë, po them edhe një ndodhi, që për atëherë klasifikohej e rrallë. Kam takuar fare rastësisht Enver Hoxhën. Po kaloja në bulevardin qendror fare i vetmuar. Qe pasdite. Nuk e di, po më duket se brenda qe shoqëruesi i tij që ishte nga zona ime. Ai ndaloi, zbriti dhe unë u stepa. Nuk e besoja që para meje qe Enver Hoxha. Atje ku qe busti i Stalinit. Shastisa! Ai më përkëdheli flokët dhe iku. Qe një qetësi absolute. Ky ishte kontakti i vetëm, por kur isha në shkollën e mesme dhe i madhi Ruzhdi Pulaha, atëherë më tha që t’i një ditë do të luash figurën e Enver Hoxhës dhe fillova të imitoja Enver Hoxhën, jo për keq dhe kjo qe edhe një nga arsyet që më përjashtuan nga shkolla. Të më besosh me sinqeritet që doja t’i ngjaja atij, po nuk më falën. Interesante është se supersticioziteti i Ruzhdiut doli. Kur vendosa Enver Hoxhën në Sarandë nuk e loza me të keq, si dhe tregova… E kështu kam qenë në shkollë me Preç Zogaj, Arben Imamin, Edi Ramën, Zef Bushatin si kujdestar të diplomës, këta janë politikanët artistë që kam njohur. Ajo kohë qe më e interesuar për teatrin, të jem i ndershëm. Sot, megjithëse arti quhet i lirë, po kjo liri sjell edhe shumë pisllëqe sociale. Sot primar shihet kapitali, ndërsa në atë kohë njeriu vlerësohej më shumë, çdo moshë artisti. Artisti qe me studio, ndërsa sot nuk kanë as shtëpi, si unë, pale rroga pastaj. Artisti qe më i vlerësuar në atë kohë…

     Skeçi i parë nudist në Shqipëri është bërë në Sarandë

    Njëherë ishim në një skeç për Enver Hoxhën dhe unë interpretova pa fyerje të personalitetit, realisht si qe, ndërsa Agroni interpretoi me servilizma dhe tjetërsim dhe pas shfaqjes mua nuk më nganë, ndërsa Agronin, ndonëse memaliot, e goditën me sende dhe fruta. Pra kjo është forca e teatrit. Origjinalitet, cilësi dhe realizëm, pra nuk do denigrim dhe pas kësaj ndodhie në Memaliaj, në Përmet na larguan pa shfaqur, se nuk donin përtej asaj që njerëzit kishin jetuar. Dhe skeçi i parë nudist, në Shqipëri se bota e kish bërë me kohë, është bërë në Sarandë me “Shakaja” e Milan Kundera me skenografi 5 x 2.5 me një femër nudo, po të bëra me shumë finesë nga skenografi Qirjako Shqevi dhe vërtet që ishte një vlerë e madhe. Pra këtij ishin disa nga risitë që sollëm në teatrin e Sarandës. Pra nëse në Tiranë e Shqipëri më 1992 e më pas, bëheshin trazira e hajdutëria, këtu në Sarandë bëhej teatër… Do doja shumë të ringjallej teatri dhe ky është parimi dhe qëllimi im që pas Çehovit, premierave të Shën Valentinit, solla edhe poezinë greke në shqip dhe poezinë shqipe në greqisht, që publiku të dalë i emocionuar, i kënaqur, i qeshur dhe i menduar, kjo më pëlqen më shumë kur ikin të menduar sesa të qeshësh kot, e ky nuk është teatër nëse ndodh kështu. Kur buzëqesh shpirti, ai është teatri, pra kjo është gracka, ku shpirti kapet si laraska.