Ambasadori Cannon pro ligjit për arsimin e Lartë, investimi duhet të merret mbrapsht

    399
    Ndërsa miratimi në Kuvend i ligjit për arsimin e lartë vijon të jetë tema e nxehtë mes dy kampeve politike, Ambasada britanike në Shqipëri shpreh mbështetjen ndaj kësaj refrome që sipas saj duhet të ishte ndërmarrë kohë më parë.
    Duke folur në ceremoninë e diplomimit 2015 të një universiteti, Ambasadori britanik, Nicholas Cannon, theksoi se është e rëndësishme që dëshira e studentëve për të nxënë dije të respektohet dhe që familjet të marrin mbrapsht investimin e parave të fituara me mund.
    Cannon: “Dua të them disa fjalë mbi reformën në arsim, e cila lypsej të ndërmerrej kohë më parë. Ky vend ka një përparësi të madhe; shqiptarët e respektojnë shumë arsimin, çka nuk ndodh gjithnjë në shtetet e Evropës perëndimore. Në këtë vend ka uri të madhe për arsim. Studentët janë të gatshëm të studiojnë shumë. Familjet janë të përgatitura të sakrifikojnë për të gjetur paratë për të dërguar fëmijët në universitete. Është e rëndësishme që dëshira e studentëve për të nxënë dije të respektohet dhe që familjet të marrin mbrapsht investimin e parave të fituara me mund. Prandaj qeveria ime i mbështet fort përpjekjet e Ministres aktuale të Arsimit për të reformuar sistemin universitar, për t’i njxerrë jashtë biznesit elementët e korruptuar e të papergjegjshëm si dhe të garantojë standarde të larta ndërkombëtare në qeverisjen e universiteteve”.
    I bindur se asnjë reformë nuk është e përkryer, Ambasadori britanik vlerëson se reforma e arsimit të lartë në Shqipëri është në rrugë të mbarë.
    Dhe këtë nuk e ka vetëm bindje personale, por të mbështetur në gjykim ekspertësh.
    Cannon: “Asnjë reformë nuk është e përkryer. Por në këndvështrimin tim dhe më e rëndësishmja në këndvështrimin e ekspertëve tanë britanikë të politikave të arsimit, reforma e arsimit të lartë në Shqipëri është në rrugë të mbarë. Ajo duhet të ndihmojë në krijimin e një force pune të arsimuar dhe të aftë për t’u përballur me sfidat e një ekonomie globale në ndryshim. Mbi të gjitha ajo do t’i përgjigjet kërkesës së vetë studentëve për një arsim modern, të besueshëm dhe me një raport të drejtë cilësi-çmim. Ajo çka nevojitet janë aftësi të përnjëmendta që përçohen nga profesionistë të përnjëmendtë dhe kualifikime të përnjëmendta të respektuara nga të tërë”.
    Sigal