Vjedhja e Bankës së Shqipërisë, Gjykata pezullon kërkesën për kthimin e parave

572
TIRANË – Kërkesa e Bankës së Shqipërisë që Ardian Bitraj të rikthejë 713 milionë lekët e vjedhura në Departamentin e Emisionit të BSH-së është pezulluar nga Dhoma Civile e Gjykatës së Tiranës.
Ky pezullim gjykimi i cili rezulton të jetë pa afat, lehtëson Bitrajn nga detyrimi për të kthyer paratë e vjedhura dhe pse ai është dënuar për këtë vjedhje së bashku me kolegen e tij, Mimoza Bruzia.
Zyrtarisht në faqen e gjykatës, gjyqtarja Rezarta Balliu nuk ka dhënë asnjë shpjegim për pezullimin e kësaj padie apo se kur rifillon ky proces me anë të secilit pritet të rikuperohet shuma e parave të vjedhura, para të cilat rëndojnë mbi xhepat e shqiptarëve. 
Me anë të kësaj padie, banka kërkonte rikthimin e lekëve të vjedhura nga Ardian Bitraj, Klevis Bejtja dhe Mimoza Bruzia.
Ja çfarë thotë vendimi i Gjykatës së Tiranës:
“Në seancën e veprimeve përgatitore nga palët në gjykim u kërkua pezullimi i gjykimit, e për pasojë bazuar në nenin 297/a të kodit të procedurës civile gjykata vendosi pezullimin e gjykimit. Më 20 maj të këtij viti Gjykata Penale e Tiranës dënoi Ardian Bitrajn me 13 vite e 4 muaj burg dhe Mimoza Bruzian me 13 vite burg, ndërsa ky vendim është apeluar nga dy ish zyrtarët e bankës. 
Sigal