Agron KAJA/ Ushtarakët në qeverinë që u “vjel” qindarkat dhe letragjia e dy shoqatave të tyre!

    382
    Ka vite që në median e shkruar shqiptare shpesh publikohen lista të gjata me emra personash ish-të përndjekur politikë që duhet të marrin dëmshpërblimet e viteve të vuajtjeve të tyre në sistemin e kaluar, publikohen emra ish-pronarësh që bëhen pronarë trualli e banesash, publikohen lista të ndryshme me sipërfaqe hashashi dhe kultivuesit e tyre, apo edhe lista fituesish në institucione shtetërore e arsimore. Deri këtu nuk ka asgjë për t’u xhelozuar, pasi në sistemin të cilin po e jetojmë kjo formë është një e drejtë për tu sjellë e tillë, por kur në to mungojnë edhe lista për shtresa të tjera të popullsisë, reagimi është i natyrshëm. Ka një dukuri që nuk të bën të heshtësh kur në këto media asnjëherë nuk publikohet se çfarë fitojnë ish-ushtarakët, ndërsa publikimet për ta bëhen vetëm për kthimet që u mban Akti famëkeq Normativ i qeverisjes së shkuar, të cilin kjo qeveri në heshtje e ka zbatuar, përpos premtimit në fushatën elektorale se do ta zhdukte atë nga qarrkullimi. Natyrisht që ky rast nuk mund të kosniderohet si një faj profesional mediatik, sepse vetëm kjo media po zbardh padrejtësinë në fjalë dhe për të konsideratat janë nga më të mirat. Gjithë qytetarët e në veçanti gjithë ish-ushtarakët shqiptarë, vetëm nëpërmjet publikimeve të listave të shumta po shohin dita ditës padrejtësi mes të cilave edhe kjo në fjalë, sikur kjo shtresë nuk ekziston apo vegjeton nën hijen e listave të tjera. Me një reagim publik e kemi përcjellë dy muaj më parë intervistën e Drejtoreshës së Përfitimeve në ISSH, e cila deklaronte midis të tjerave se nga strukturat e këtij institucioni në katër vitet e fundit janë rrillogaritur rreth 17 mijë pensione suplementare dhe të parakohshme të ish-ushtarakëve, në zbatim të Ligjit Nr.10142 datë 15.05.2009 i ndryshuar. 
    Denoncimi i Aktit Normativ
    Këtu në gazetën “Telegraf” ky akt është denoncuar si një abuzim dhe padrejtësi që ju bëhet ish-ushtarakëve, padrejtësi e nisur nga qeveria Berisha dhe e vazhduar në heshtje nga qeveria Rama. Madje këtu mund të veçohet fakti se kryeministri i Shqipërisë pas vitit 2013, vetëm këtë Akt Normativ nuk e ka denoncuar publikisht, edhe pse kishte premtuar se do e rishikonte që në dyvjeçarin e mandatit të parë qeverisës. Nëse do ti qëndronim këtij premtimi sot dy vite pas zgjedhjeve të qershorit 2013, qartazi vërtetohet realiteti se ish-ushtarakët përdoren rëndom si votë paradhënie gjatë fushatave elektorale, ndërsa më tej me ta vetëm abuzohet. Të vjen keq me këtë abuzim, sepse personaliteti i ish-ushtarakut nuk është i vlefshëm vetëm për fushata elektorale, ndërsa vetë ish-ushtarakët duhet të jenë më të kthjellët në realizimin e kërkesave e të drejtave të tyre të mbrojtura me ligj. Nuk janë fushatat elektorale e vetmja kohë për të gjetur ish-ushtarakët zbatueshmërinë e kërkesave legjitime, aty ku ne si shqiptarë jemi ngopur nga premtimet që partitë kryesore politike bëjnë në to, ndërsa më pas vuajmë respektimin e tyre minimal. E kështu kjo padrejtësi që po u bëhet ish-ushtarakëve me shpërblimet që atyre ju takojnë bazuar në Statusin e Ushtarakut, po e degjeneron financiarisht dhe moralisht këtë shtresë duke ja hequr padrejtësisht bukën e gojës që për vite e vite e kishin merituar në stërvitje, në male e fusha, në ditë të ftohta e të nxehta, në alarme e gatishmëri luftarake, vetëm në respekt të mbrojtjes së Atdheut. Kjo nuk ka qenë tradhëti e nderuar Qeveri shqiptare, pasi për atë kohë ish-tradhëtarët po shpërblehen periodikisht nga ju duke e sfiduar historinë, e sikur t’i thonë atyre: “… shikojini targën shpërblimit…”. E rëndë kjo që ndodh dhe për ta rifituar këtë të drejtë legjitime është në dorën e vet ish-ushtarakëve, por me forma demokratike periodike jo me kërkesa e premtime fushatash. 
    Të zgjohen nga letargjia shoqatat e ushtarakëve
    Dhe së pari në këtë situatë të zgjohen nga letargjia e tyre drejtuesit e shoqatave të ish-ushtarakëve, apo edhe punonjës të ISSH-së. Edhe pa lëvizjen e tyre apo të qeverisë premtuese, vetë ish-ushtarakët brenda të drejtës që u jep ligji për të protestuar, të “bërtasin” në çdo stacion mediatik shqiptar jo vetëm për atë se çfarë nuk është bërë nga qeverisja e kaluar, por për korrigjimin e mangësive në kurriz të tyre në këtë periudhë ndryshe nga e shkuara. Ish-ushtarakët shqiptarë nuk e meritojnë trajtimin me Aktin Normativ të 10 nëntorit 2010, një akt brutal që bëri mijra prej tyre debitorë financiarë ndaj shtetit! Rrillogaritja e pensioneve të tyre duhet të ndalë “marshimin e zi” që bëri Berisha në kuadrin e urrejtjes patologjike që ai demonstronte ndaj kësaj shtrese.
    Sigal