Adami ka pasur grua tjetër më parë, dhe ajo quhet Lilith

    749
    Sigal

    Nuk është më befasi që, Adami, ati i gjithësisë njerëzore, përfaqësuesi primar i gjinisë mashkullore të globit, të mos ketë grua të parë Evën

    Nuk është më befasi që, Adami, ati i gjithësisë njerëzore, përfaqësuesi primar i gjinisë mashkullore të globit, të mos ketë grua të parë Evën, por një tjetër pak apo aspak të njohur në jetën njerëzore të prurë njerëzisht gjer më sot. Adami ka pasur grua tjetër, më parë dhe ajo quhet Lilith. Nuk di sa njerëz e dinë këtë fakt, që unë vet e mësova rastësisht nga një predikues hebraizmi në Izrael kohë më parë. Bile, si do shihet, faktit i shtohen edhe studime, deduksione, bile edhe poemë si ajo me titull: “Udhëtim drejt fundit të botës”, poemë e publikuar dhe “thithur” plot interes nga lexuesit prej Luciano Violante. Është bibla hebraike ajo që na dokumenton martesën, e cila pavarësisht se u prish prej Adamit dhe u zëvendësua me Evën e mirënjohur, mbetet një kuriozitet i bukur për t’u mësuar, argëtuar. Si tek të gjitha prishjet martesore, martesa e Adamit me gruan e parë Lilith, nuk ka vazhduar gjatë…

    Nuk kanë lënë pasardhës, as dramë njerëzore,traumë të rëndë, tragjizëm. Ka qenë një ndarje e domosdoshme, me pak pikëllim dhe largim, me moskthim. E kam lexuar i befasuar në Izrael këtë fakt, më saktë e gjeta diku në një sinagogë, që si një thesar të fshehtë të Tel-Avivit, e mbante kyçur për t’ia treguar vetëm të interesuarve.

    Eva, e shumëquajtura gruaja e parë e botës, ajo që u gënjye dhe e “hëngri Mollën” e paprekshme në kopshtin Eden, për të na bërë të vdekshëm dhe bijë të përjetshëm të mëkatit, nuk qenka gjë tjetër veçse prova e dytë martesore e Adamit mitik, i cili gjithsesi mbetet i pari burrë i botës, krijuar si thotë feja, nga Zoti. Para se të tregojmë për Lilith, natyrshëm hamendësojmë e zbresim më në thellësi të jetës njerëzore, ku kemi mësuar se jeta e njeriut me shfaqjen e tij të parë, na fokusohet përherë në Afrikë. Kështu thotë shkenca që ka datuar jo vetëm me metodën C-14, moshën e njeriut, por, është vet shkenca dhe shkencëtaret e kësaj fushe që grinden dhe nuk e kanë përcaktuar ende, nëse Lilith, Eva dhe Adami janë të zinj a të bardhë, dhe tjetra, si mund të jetë e mundur që Afrika e sotme, kaq e varfër dhe e thatë, të ketë pasur kopshtin Eden. Megjithatë, e vërteta e Lilith, Evës dhe Adamit, pavarësisht nga shkenca, gjenden të shkruar me parësi njohje Evën dhe mbulesë pluhurosëse, Lilith. Dy gra që kanë ardhur ndritshëm e pandritshëm gjer tek ne. E thotë bibla hebraike. Në Izrael është tepër i njohur fakti.

    Kjo e thënë, e gdhendur në papiruse a mermerë të kohërave, nën nudizmin e përjetësisë, me gjethen e fikut mbuluar gjenitalet, e ka mbajtur botën për mijëra e mijëra vjet nën llafollogji, shkrime, të dhëna, profeci dhe gallatë të seriozeve, jo seriozëve, horrave dhe të dehurve…

    Lilith, gruaja e parë e Adamit. Apokalipsi i Lilith, më saktë është kumti që ajo përcjell edhe sot kur shfaqen martesat e gjinive te njëjta, poliseks, travestitë,gey, lesbike a beqarë të përjetshëm. Pa fyer aspak liritë personale të tyre, besohet se në gjenezë të këtyre gjendjeve rri, Lilith,gruaja e Adamit, e cila e braktisi atë përfundimisht për lirinë e saj personale. Po kush është Lilith?

     Një legjendë e vjetër hebraike tregon se, Adami kishte grua të parë femrën Lilith. Ajo shpejt nuk pranoi të ishte më nën vartësinë e tij duke shpallur barazinë mes burrit dhe gruas.(Mashkulli dhe femra u krijuan njëherësh). Nga kjo “kryengritje”, ajo u mallkua përgjithmonë nga Zoti. “Kjo figurë misterioze”, shkruhet në parathënien e poemës së Violante,”ka ndezur shekuj me radhë imagjinatën e popujve dhe kulturave të ndryshme duke marrë edhe veshje të ndryshme. Në këto tregime Lilith është një engjëll luftarak në krah të të Madhit; ajo këshillon Evën të lërë Edenin për të ndihmuar Zotin në luftën e tij kundër së keqes; nuk mund të qëndrohet në kopsht i pa korruptuar, nevojitet të delet dhe të shkohet mes njerëzve ku e keqja ka mbërritur”.

    Për ndërhyrjet e këshillat e saj si engjëll do të ndëshkohet nga Zoti të jetojë mbi tokë, si grua, por jashtë kohe, dhe në një tragjizëm të madh të së tanishmes. Në pelegrinimin e saj, Lilith do takojë krijesa të dhimbshme. Ajo do të ndodhet gjithmonë në krah të grave, duke ndarë lodhjet dhe vuajtjet, pranë grave të muruara edhe sot në Herat, vajzave të vogla të martuara edhe sot në Pashauar, pse jo, tek gratë e vrara nga Kanuni në Shqipërinë e sotme dhe tek ato që Kanuni u ka vrarë burrat…Lilith njeh fatet e të tjerëve, por nuk njeh fatin e vet. Nuk ka të ngjarë me Evën, pasardhësen e saj në shtrat me Adamin. Është përherë në rrugëtim, tek shfaqet e keqja. Ajo do të kthehet pranë Zotit, vetëm nëse, në përfundim të kohës e keqja nuk do të mbisundojë!

    Natyrisht ka e do të ketë që këto histori nuk i besojnë! Normale, përderisa nuk ka njohje.

    Në Gjenezat:1,27 është shkruar: “Zoti krijoi njeriun me imagjinatën e tij,/me imagjinatën e Zotit, mashkulli dhe femra u krijuan”.

    Por në versionin në kapitullin pasardhës, Gjenezat: 2,22-23 është ndryshe: “Zoti krijoi me brinjë, që ja kishte hequr burrit, një grua dhe ja bashkoi atij për jetën./Atëherë burri tha:/ Këtë herë ajo/ është mishi i mishit tim,/ dhe kockë e kockës time”.

    Po të vështrojmë me kujdes ç’ka shkruhet, duhet të pyesim:”Përse Adami thotë:”Këtë herë”? Thua rastësisht? Me pavullnet? Lapsus? Absolutisht jo, pasi kemi parasysh se çdo germë në Gjenezat është vendosur me precizon tepër të lartë: “Këtë herë!”

    Ka qenë dikur një kohë pararendëse dhe një grua paraardhëse e Evës? Dhe është ky shpjegimi për kontradiksionin e dy kalimeve në Gjenezat?

    Është kontradiksioni Lilith-Eva?

    Në parathënie të poemës së L.Violante, thuhet: “Lilith lindi në Mesopotami, hyn në sagën sumere të Gilgameshit, përhapet në traditën hebraike, në dorëshkrimet e Qumran…, jeton në letërsinë dhe historinë e artit duke marrë trajta të ndryshme: Hyjnesha nënë, demonia, shpirt i erës, shtriga që grabit meshkujt e vegjël, gruaja e parë e Adamit, provokatorja që nuk do të hajë Mollën e ndaluar, shoqja e demonit Asmodeo, e dënuara për të lindur shpirtrat e këqij, ose kufoma gri, shtytësja e njerëzve të mbetur vetëm, hëna e zezë, kundërhena e kësaj që shohim. Në një tjegull të portës së majtë tek Notre-Dame, gjendet me fytyre të qeshur, mes Adamit dhe Evës. Mikelanxhelo e ka pikturuar, me trup prej gjarpri, duke i dhënë Evës frutin e ndaluar. Në ikonografi ka flokë të gjatë dhe Mefistofeli i thotë tek Fausti: “Shikuar prej flokëve të saj të bukur, vetëm ornamenti mund ta nxjerr në publik…”Por Fausti nuk e shikon dhe vallëzon me të.

    Dante Gabriel Rosseti (piktor italian) më 1863 pikturon një “Lady Lilith”, fatale dhe e pëlqyeshme. John Collier, piktor anglez pararafelliano, e pikturon nudo më 1892, shumë të bukur, me një gjarpër që i mblidhet trupit me një përkëdheli të gjatë. Primo Levi e transformon në protagoniste në një histori tregimtare…Jose Saramago, në Kaini, e bën të dashurën potente në vrasjen e Abelit, zonjë të një qyteti përrallor. Joumana Haddad, poeteshë libaneze, ka treguar shpirtin e saj me vargje vështirë të harrohen, në librin: “Rikthimi i Lilith”.

    Shumë thonë, tashme pas 21 Dhjetorit, Lilith triumfoi. E keqja me e madhe, përmbytja a rrënimi i botës u ndërpre dhe cikli diellor ka nisur një kalendar të ri. Lilith, tanimë do të jetë e pranishme me përkushtueshmërinë femërore, tepër më lartë, më e shkëlqyer në paraqitje, më autonome në jetën e përditshme. Do të jetë një krijesë asnjëherë në bllokim, asnjëherë e kënaqur, e qetë dhe e palëvizshme, si janë ndonjëherë ëndrrat dhe ankthet. Është frut i një imagjinate të re mashkullore, që duke u trembur nga ambiciet femërore do kërkojë me çdo kusht t’i ngjajë. Lilith nuk ka të shkuar dhe të ardhme, për atë gjithccka rrjedh në një të tashme të madhe tragjike. Lilith, engjëll i luftës, këshillon Evën të ndihmoj Zotin në luftën kundër së keqes, ndaj Eva duhet ta lërë Edenin, ku e keqja nuk ekziston dhe të shkojë mes burrave, ku e keqja do të rritet. Për këtë Lilith është dënuar të rrijë në tokë, në hapësirë ndërkaq, por do të vazhdojë të jetë jashtë kohës, sepse është një engjëll. Ajo do vazhdojë edhe pas 21 dhjetorit 2012 të jetë pranë njerëzve që vuajnë dhe që të keqen ja tregojnë. Ajo u thotë njerëzve: “E keqja nuk të heq kurrë nga sytë e saj!” Lilith udhëton në të gjitha tokat, përgjatë deteve, referon dhimbjen tek ata persona që takon. “Tregon fundin e Perëndimit, shkruhet në librin në fjalë,” që koincidon me fundin e historisë. Njeh fatin e të tjerëve, duke injoruar të vetin. Do kthehet tek Zoti, vetëm nëse, me mbarimin e kohës, e keqja do jetë zhdukur!” Nuk është aspak e panjohur! Pas fundit të së keqes tronditëse që e jetuam me të thënat “jo…nuk përmbyset, jeta” dhe, “po…rrezikon të përmbyset”, Lilith vazhdon të jetojë mbi tokë… Gruaja e parë e Adamit, ajo që për barazinë shkatërroi martesën….

    Pjesa V

    Unë, Lilith,

    dua te flas,

    për të vërtetën

    drejtësinë

    dhe për kujdesin

    ndaj të tjerëve.

    Dua të flas

    për luftën që së bashku

    me Zotin

    është e nevojshme,

    të luftosh

    kundër së keqes,

    dhe kundër indiferencës

    që i ndan njerëzit

    nga humanizmi i tyre

    për të mos u dhënë

    në fundin

    e kohës.

    Luciano Volante

    Përgatiti dhe përktheu Luan Shmilli