Perspektiva e Fakultetit të Mjekësisë për t’u kthyer në Universitet dhe arritjet e mëdha në 60 vjetorin e themelimit

541
Sigal

INTERVISTA/Flet për “Telegraf”, dekani i Fakultetit të Mjekësisë Prof. Dr. Bajram Hysa për sfidat e këtij fakulteti

 Viti 2012, përkrah shënimit të 100 -vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë shënoi edhe 60 -vjetorin e themelimit të Fakultetit të Mjekësisë. Ky 60- vjetor i  themelimit e gjeti Fakultetin e Mjekësisë, me ambiente moderne dhe kushte mjaft bashkëkohore për stafin dhe studentët që janë pjesë e tij. Në krijimin e kushteve moderne një ndihmesë të madhe ka dhënë edhe dekani i këtij fakulteti Prof. Dr. Bajram Hysa, i cili në ka më pak se një vit që e drejton këtë fakultet që ka bërë dhe ka mjaft projekte për të përmirësuar më tej infrastrukturën e tij. Një lajm i mirë për këtë fakultet është dhe premtimi i Kryeministrit Berisha i bërë në 60 -vjetorin e themelimit të këtij fakulteti, për ta kthyer atë në Universitetin e parë të Mjekësisë në Shqipëri. Në një intervistë për “Telegraf”, dekani i Fakultetit Prof.Dr. Bajram Hysa, është shprehur se do punojë për afrimin e këtij fakulteti me standardet europiane.

 -Zoti Hysa, cilat ishin risitë që erdhën në Fakultetin e Mjekësisë në kuadrin e 60 -vjetorit të themelimit të tij?

-Mund të them që Fakulteti i Mjekësisë ka një histori 60- vjeçare, është themeluar në vitin 1952. Atëherë quhet Instituti i Lartë mjekësor, themelimi i tij është bërë me ndihmën e 24 pedagogëve të ish-Bashkimit Sovjetik, por baza e fakultetit ishin pedagogët shqiptarë që ishin përgatitur në vendet perëndimore që para kohës së çlirimit dhe një pjesë e mjekëve kishin shërbyer tek spitali Mbreti Zogu i Parë që sot quhet “Nënë Tereza”. Fakulteti i Mjekësisë, fillimisht u përballë me një mungesë të theksuar ambientesh dhe tekstesh. Por me kalimin e kohës u bënë mjaft tekste, por vështirësitë më të mëdha u ndjen me prishjen e marrëdhënieve me ish-Bashkimin Sovjetik, ku pas viteve 60 pedagogët e Fakultetit të Mjekësisë, duhet të përgatisnin vetë tekstet. Deri në vitin 1974 u përgatitën mbi 40 tekste, pas kësaj periudhe ky fakultet filloi që të konsolidohej me tej edhe nga ana shkencore ky fakultet. Madje, në vitet 1970-1980 kanë studiuar edhe mjaft studentë të huaj, si: palestinezë, sirianë etj.. Sikurse edhe historia e këtij fakulteti është e tillë që megjithëse sistemi u impononte një izolim të madh, një pjesë e mirë për nevojat e fakultetit u përgatitën një pjesë e mirë jashtë vendit. Ata u përgatitën në vende si Franca, dhe vende të tjera perëndimore. Por Profesorati i Fakultetit të Mjekësisë, dhe studentë e tij natyrisht duke qenë se studiojnë trupin e njeriut dhe studiojnë sëmundjet ato kuptuan më shpejt se të tjerët se Shqipëria qe sëmur për shkak të izolimit dhe asfiksisë që kishte. Dhe ishin pikërisht ata që luftuan me protesta dhe peticione për ndryshimin e sistemit, aq sa mund të themi demokracia në Shqipëri erdhi me bluzë të bardhë. Por mund të themi që Fakulteti i Mjekësisë u ndodh në pararojë të ndryshimin të kurrikulave nëpërmjet angazhimit të një sërë projektesh ndërkombëtare siç ishin projekti “Tempus”etj..

-Ku konsistojnë këto ndryshime më konkretisht?

-Ndryshimet janë të dukshme si në infrastrukturë, në vizion të zhvillimit të fakultetit, ku një rëndësi të veçantë ka pasur ndryshimi i kurrikulave, përsosjes së aftësive pedagogjike dhe mësimi interaktiv. Në këtë kuadër ne jemi angazhuar në një sërë projektesh ndërkombëtare siç është projekti Web, etj., pra në kaq pak kohë sa thamë janë 17 studentë në vende të ndryshme të Evropës, që po trajnohen dhe po përgatisin doktoraturat.

 -Cilat janë disa nga prioritetet tuaja për të ardhmen për këtë fakultet dhe sa mbështetje keni gjetur nga qeveria dhe në veçanti nga Kryeministri Berisha?

-Prioritetet e Fakultetit të Mjekësisë në vendin tonë ecin me të njëjtin hap si fakultetet homologe në vendin tonë. Ne kemi një vizion të ri përsa i përket aftësive klinike të studentëve dhe për këtë do të ndërtojmë së shpejti një laborator të aftësive klinike, një sektor eksperimental. Nga ana tjetër do të krijojmë mundësitë për angazhimin e të gjithë pedagogëve në punë shkencore, kryesisht të të rinjve. Madje këtë do ta realizoj edhe nëpërmjet konferencave të shumta. Madje fakulteti do të përgjigjet edhe nga ana financiare për financimin e pedagogëve që do shkojnë jashtë shtetit për projekte të rëndësishme. Fakulteti i Mjekësisë për hir të së vërtetës e ka ndjerë mbështetjen dhe përkujdesjen e veçantë të kryeministrit Berisha në 60- vjetorin e themelimit të tij që u përurua në pallatin e kongreseve. Kryeministri Berisha duke parë stafin e veçantë të Fakultetit të Mjekësisë, shpalli vizionin e tij për ta kthyer atë në Universitet të mjekësisë, si të parin universitet mjekësie në vendin tonë. Ky vizion i kryeministrit i ka entuziazmuar shërbimet, departamentet dhe kemi ngritur grupet përkatëse për këtë qëllim. Shpresojmë që kjo së shpejti të realizohet me një vendim qeverie dhe Fakulteti i Mjekësisë të renditet në vendin që meriton si fakultetet homologe evropiane.

 -Në këtë 100 vjetor të Pavarësisë së Shqipërisë, a është në nivelin e duhur Fakulteti i Mjekësisë. Cilat janë objektivat tuaja për ta përafruar me fakultetet e tjera homologe ndërkombëtare?

-Natyrisht që 60 vjetori i themelimit të Fakultetit të Mjekësisë koiçidoi edhe me 100 -vjetorin e themelimit të shtetit shqiptar. Ky 100 -vjetor e gjeti Fakultetin e Mjekësisë në një nivel më të lartë shkencor, mjekësor dhe me arritje të mëdha në fushën klinike dhe të shërbimeve. Sot në Fakultetin e Mjekësisë, Profesorati kryen operacione të njëjta me ato të homologëve në vendet e tjera të zhvilluara. Madje ne jemi angazhuar seriozisht për të futur të rejat bashkëkohore dhe për krijimin e një Qendre Telemedicine, që Fakulteti i Mjekësisë dhe studentët të kenë mundësi që të lidhen direkt për çfarëdolloj problemi që ato mund të kenë në diagnostifikimin e një sëmundje me homologët e tyre ndërkombëtar. Por ky proces i aplikimit të Telemedicinës, ku ne shpresojmë që ta shtrijmë në çdo departament i shërben edhe mësimdhënies sepse, ne do të jemi pjesë aktive edhe pse në mënyrë virtuale në mjaft aktivitete dhe konferenca ndërkombëtare që do të ndiqen drejtpërdrejt on-line nga studentë dhe pedagogë. Në objektivat tona në këtë 100 -vjetor është edhe inicimi i rektoratit për të pasur një laborator eksperimental modern. Po ashtu në shpresojmë që të kemi një laborator të aftësive klinike që t’u shërbejë studentëve për të eksperimentuar para se të bëhen doktor dhe për të shëruar njerëzit. Pra ky laborator do të jetë një eksperiment i mirë, ku studentët të kenë mundësinë që të bëjnë eksperiment në lepujt, minjtë, para se të jenë në shërbim të njerëzve. Ndër prioritet tona është edhe formimi i mjekëve të rijë. Po ashtu do ti japim edhe një rëndësi punës shkencore në fakultet, pra ne do punojmë për kthimin e revistës shkencore mjekësore të Fakultetit të Mjekësisë në një tribunë të mendimit shkencor. Tashmë ne kemi buletin mjekësor i cili del i tëri në anglisht dhe shpresojmë që në bazë të një serioziteti që do të tregojnë ekipi që e drejton. Kjo bëhet në mënyrë që ai të ketë mundësinë që ai të pasqyrojë punimet shkencore të pedagogëve dhe studentëve.

 -Në Fakultetin e Mjekësisë janë krijuar ambiente moderne falë iniciativës tuaj.  A keni projekte të tjera për të realizuar në fakultet me qëllim afrimin me fakultetet e tjera homologe të vendeve të zhvilluara?

-Në Fakultetin e Mjekësisë janë bërë ndryshime kolosale në drejtim të digjitalizimit dhe sekretarive mësimore. Studentët arrijnë që të informohen drejtpërsëdrejti nëpërmjet futjes së matrikullës së tyre drejtpërdrejt në monitor për të marrë të gjithë informacionin që ato kanë për provimet, regjistrimet on-line, listën e notave apo edhe për komunikimin me pedagogët. Kjo është një risi për ta bërë më të manovrueshëm aktivitetin e sekretarisë ne kemi ndërtuar nja ambient të ri për t’u shërbyer studentëve. Përveç kësaj ne gjykojmë që në projektet tona të ndryshimit të infrastrukturës ne gjykojmë që do të zgjerohemi sërish me krijimin e universitetit të mjekësisë dhe synojmë që të marrim të gatshme tre godina që do na vihen në dispozicion nga Ministria e Shëndetësisë dhe nga Ministria e Mbrojtjes. Kjo do ta bëjë një kampus real Fakultetin e Mjekësisë dhe kjo do ta bëjë një kampus real Universitetin e Mjekësisë me ambiente të bollshme dhe bashkëkohore.

 -Profesor për ta mbyllur do donim një urim nga ana juaj për pedagogët dhe studentët për festat e fundvitit?

-Unë po gjej rastin që në këtë fundviti ti uroj stafit pedagogjik, stafit administrative, studentëve dhe specializantëve të Fakultetit të Mjekësisë një vit të mbarë. U uroj po ashtu shëndet dhe suksese në familjet e tyre dhe uroj që të jetë ky vit një sfidë reale për të gjithë punën e tyre. Por urimi më i sinqertë për të gjithë të lartpërmendurit, është që të kenë shëndet, begati në familjet e tyre.

Projektet më partnerë ndërkombëtarë

Në këto projekte mbi 200 pedagogë të Fakultetit të Mjekësisë bënë specializime, si në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanadasë etj. Ishte një proces që çoi në një vizion të ri për Fakultetin e Mjekësisë, por fakt është që mjekësia ecën shumë shpejt. Por duke qenë mjekësia është në një zhvillim të madh edhe në këtë mandate e kemi gjykuar që ti kushtojmë një vëmendje të veçantë angazhimit të Fakultetit të Mjekësisë në projekte ndërkombëtare, të cilët do të angazhojnë Profesoratin e mjekësisë në trajnime, në mënyrë që të ndjekin dhe të jenë me të njëjtin hap me vendet e tjera ndryshimet bashkëkohore në fushën e mjekësisë. Risi tjetër në këtë 60- vjetor për Fakultetin e Mjekësisë është se në më pak një vit që unë jam zgjedhur si dekan, janë bërë ndryshime rrënjësore.