Abdulla Omuri: Ja pse kërkojmë rritje të pensioneve dhe përse jemi më të diskriminuarit në rajon

    461
    Sigal

    INTERVISTA/Flet Kryetari i Shoqatës së Invalidëve të Punës, Abdulla Omuri, për problemet e pensioneve

     Invalidët e Punës, kërkojnë që të rritet masa e pensionit, pasi theksojnë se janë më të diskriminuarit në rajon dhe marrin masën më të vogël të mundshme të pensionit. Për këtë problem ka folur në një intervistë për “Telegraf”, Kryetari i Shoqatës së Invalidëve të Shqipërisë, Abdulla Omuri. Ai shprehet se i ka dërguar kërkesë disa institucioneve në vend që kanë për detyrë të merren me këtë çështje, por nuk është dhënë asnjë përgjigje.

     -Zoti Omuri, para dy ditësh u zhvillua analiza vjetore për vitin 2012, cilat ishin problemet që u shtruan aty?

    -Po u zhvillua analiza vjetore për shërbimin social shtetëror për vitin 2012-të. Shërbimi social shtetëror, është një institucion me një gamë të gjerë, që mbulon ndihmën ekonomike, ndihmën e paaftësisë etj.. Ajo ishte organizuar në një mënyrë të mirë, pavarësisht se mund të kishte disa gjëra që mund të na shkonin shumë për shtat. Kishte përfaqësues të pushtetit vendor që merren direk me ndihmën ekonomike, kishte përfaqësues nga grupet e interesit etj..

     -Ju si përfaqësues i Shoqatës së Invalidëve të Punës, çfarë problemesh nxorët në pah?

    -Natyrisht që vërejtjet e mija konsistonin në vendimin 96 të muajit shkurt të vitit 2012, i cili ka varfëruar më shumë kategoritë e invalidëve të Punës. Kur them ka varfëruar kam parasysh faktin që ky vendim thelloi më shumë nivelin e varfërisë. Dhe ky vendim nuk pësoi rregullime edhe pse ka pasur kontestime nga ana jonë. Kur shikohet që në implementimin e tij në praktikë ai ligj nuk ecën, atëherë ai vendim duhet të pranojë rregullime dhe realisht duhet t’i bëheshin rregullime. Por invalidët e punës kanë mjaft probleme, ku një ndër to është dhe rritja e masës së pensionit, pasi ne jemi me një pension shumë të ulët.

     -Kategoria e Invalidëve të Punës, e kanë shprehur që duan një rritje të masës së pensionit. Por sa optimist jemi për një rritje të tillë?

    -Po, ky është një problem mjaft jetik për këtë kategori. Por pot ë kemi parasysh ne sot synojmë që të bëhemi pjesë e Bashkimit Evropian. Por nuk mund të shkohet me këtë masë të përfitimit të pensionit që marrin invalidët e punës. Invalidët e punës janë persona që kanë kontribuar, pra kanë qenë në skemë dhe kamë kontribuar. Por nuk mund të thotë që është i kënaqur një invalid pune, i cili ka punuar për 11 vjet në tokë dhe sot të marri një pension që nuk i shërben dot familjes së tij. Kuptohet që sot invalidët e punës sot janë në një numër prej 58000 vetash dhe mosha e tyre mesatare shkon deri në 49 vjeç dhe 78 % e tyre janë kryefamiljarë. Dhe ne jemi me pensionim më të vogël të invaliditetit në rajon. Po të shohësh sot një invalid punë në Maqedoni merr 392 euro, plus ndihmën e paaftësisë etj., po ashtu në Malin e Zi është 372 euro, e kështu dhe vende të tjera e kanë shumë herë më të lartë masën e pensionit.

     -A keni bërë kërkesë institucioneve për rritjen e pensioneve dhe çfarë përgjigje keni marrë?

    -Natyrisht ne u jemi drejtuar të gjitha institucioneve që merren me këtë punë, ku më e rëndësishmja është Ministria e Punës. Ne u kemi paraqitur kërkesat tona me shkrim, ku dhe u argumentojmë rritjen që kërkojmë. Është thënë që do të ketë një reformë pensionesh, por paraprakisht para reformës ne duhet të rregullojmë këtë njëherë, pasi nuk dihet se kur mund të bëhet reforma, pasi duhen 2/3 e parlamentit. Për këtë ne duhet të rregullojmë kategorinë e invalidëve të punës, e cila është më e diskriminuara. Por në Shqipëri ana burokratike është evidente në çdo rast, dhe është e vështirë që të merren në konsideratë kërkesat tona. Ne nuk kemi marrë përgjigje dhe kjo për ne është një neglizhencë.