180 ditët e Bora Muzhaqit si Ministre e Rinisë dhe Fëmijëve: Ikin 10 mijë të rinj, shtohen të miturit lypsarë e të trafikuar

Kanë kaluar 6 muaj nga mandati i tretë i pushtetit “Rilindja”, por asnjë prej ministrave nuk ka bërë bilanc punësh, sepse në fakt nuk kanë bërë asnjë punë në shërbim të qytetarëve, por vetëm premtime, mashtrime, spërdredhje e gallatë nga kryeministri, ndërsa nga ministrat vetëm privatizime, koncesione, tenderë, luks zyrash e udhëtime nëpër botë.Një nga ministritë që i matet puna, është ajo e Rinisë dhe Fëmijëve, sajuar qëllimisht nga Edi Rama, për të bërë ministre Bora Muzhaqin, nusen e djalit të Adriana Berberit të Konkurrencës. Ditën që shpalli Ministrinë për Rininë e Fëmijët, Rama tha se nuk do jetë thjeshtë një dikaster më tepër, por një qendër me program integrimi për të rinjtë me qëllim ndalimin e largimit, rikthimin e atyre që kanë ikur dhe krijimin e një baze integrimi; ndërsa Muzhaqin e quajti: “Ekselentja që do  konkretizojë platformën e qeverisë me të rinjtë e fëmijët”.

Çfarë problemesh të rinisë janë zgjidhur në këto 180 ditë drejtimit të Bora Muzhaqit, që të rinjtë të besojnë, se e ardhmja e tyre është në Shqipëri? Çfarë është bërë me mbrojtjen, jetesën dhe bllokimin e hapësirave, që fëmijët të mos bëhen kontigjent shfrytëzimi nga grupet kriminale?

NOA

Përgjigjen e japin këto 5 fakte:

– Dy herë në ditë, nga 2 pika në qendër të Tiranës, nisen drejt Gjermanisë nga 2 autobusë me të rinj, të cilët braktisin vendin, për punësim që nuk e kanë në zonat e tyre dhe për punë me paga 10 herë më të mëdha se në bizneset brenda Shqipërisë.

– Nga muaji tetor 2021 e deri sot, sipas sistemit TIMS, nga Shqipëria janë larguar 10 mijë të rinj të moshave 18-35 vjeç.

– Nga 2100 të rinj, që në korrik 2021 përfunduan studimet e larta dhe kualifikimet pas-universitare jashtë Shqipërisë, u kthyen vetëm 63 prej tyre.

– Në muajt janar-shkurt 2022, policia ka prangosur dhe ka skeduar 720 adoleshentë e të rinj, të përfshirë në krime të ndryshme deri grabitje e vrasje, për shkak të varfërisë e papunësisë.

– Sipas të dhënave nga OJF-të e lidhura me qeverinë dhe nga INSTAT, është shtuar me 30% numri i fëmijëve që lypin, dhe me 20% numri i fëmijëve të trafikuar.

Ky është bilanci i ministres për Rininë e Fëmijët, Bora Muzhaqi, vizioni dhe platforma e të cilës, është e mbushur me një “paradë suksesesh”, që nuk e kanë frenuar largimin e të rinjve, papunësinë e tyre dhe zhfrytëzim-trafikimin e fëmijëve.

Mbase 180 ditë nuk janë shumë, por shqetësues është fakti, se për rininë dhe fëmijët nuk ka asnjë projekt konkret nga qeveria, ndërsa ministresha Bora Muzhaqi, gjatë një takimi në Korçë, deklaroi se platforma e saj është për rininë dhe fëmijët viteve 2040-2050.

Dhe me të drejtë, sepse dhe kryeministri Rama, thotë që po ideon projekte për energjinë, punësimin, strehimin, mirëqenien, ndalimin e emigracionit dhe integrimin e shqiptarëve pas vitit 2030; ndërsa deri këtë vit do vazhdojë “projektin” e pasurimit të tij e ministrave.