Thoma Goga: “Sondazhi” më i saktë…“Kemi, s’kemi nga një dopio ta pimë”, Meqë punë s’ka, rrimë me gëzim në trotuar…”

147
Sigal

Po afrohen zgjedhjet dhe ne i themi pronarit të lokalit “shënoje në defter”.

– Disa nga burrat donin slloganin “Kemi, s’kemi në Europë do vemi”.

– Ca të tjerë e terezisnin ndryshe këtë; “Kemi, s’kemi nga një dopio ta hedhim…”.

-Kurse gratë votuan slloganin; “Ne e bëjmë më mirë, se e bëjmë ndryshe”

– Po s’rritën pensionin kërcet tenxherja dhe bishti fshesës

Fejton nga: Thoma Goga

Sa më shumë afrohen zgjedhjet, aq më shumë “lulëzojnë” sondazhet që ngjajnë si shashka tymse. Ca nxjerrin fitues “të djathtën”, ca “të majtën”. Se kush fiton, ndiqni meselenë tonë:

Bashkë më shokun tim Selim, çdo mëngjes pimë kafenë dhe ia fillojmë debatit tonë. Jemi si “kundërshtarë politikë”. Po aty në tavolinë vetëm muhabetin kemi bashkë, se filxhanët dhe llogarinë e kemi veç. Ai paguan të tijën, unë timen. Kur s’kam, i them pronarit “shënoje në defter”. Po dorën s’ia shtrij “kundërshtarit” tim Selim. Dje u grindëm aq keq, sa dhe ata që na dëgjonin, u çuditën. Jo për pagesën, po ndiqni meselenë:

– E kthyet tavolinën to idhjo si debatet në televizor, -tha njëri nga kamerierët dhe u gajas. Dhe për çfarë u grindëm? Vetëm për një pyetje; kush do t’i fitojë zgjedhjet?

– Në qoftë se ti Selim, do të ishe kandidat për kryetar bashkie, më thuaj pse do t‟i fitosh zgjedhjet?-pyeta unë.

– S’di gja, du pushtet!…

– Mirë, o mirë. Si do ua mbushësh mendjen njerëzve, që të fitosh pushtetin?

– S’di gja, du pushtet.

– Më thuaj programin, që unë të jap votën. Çfarë premton?

– S’di gja, du pushtet.

– Po votën time e do?

– Pse dhe ti nuk voton për shokun?!

– Atëherë paguaj kafetë, të paktën sot!…

– Ajo, quhet blerje vote. Unë du pushtet pa korrupsion…

E ja, kjo bisedë e thjeshtë u bë sebep e na polli mendja të bënim një si biçim sondazhi për zgjedhjet që po vijnë. Truri është si kokërr gruri. Po me një ndryshim “të vogël”; grurin e mbjell dhe “pjell” bukë, kurse truri “pjell” lloj-lloj partish, lloj-lloj sondazhe. Dëgjon “të majtët”, thua s’ka si këta. Dëgjon “të djathtët”, thua kanë të drejtë. Po ku fle ai dreq lepur, siç thotë populli? Kush do fitojë? Ndaj unë dhe Selimi katranosëm një si biçim sondazhi. Se nga ky sondazh “varet” fati i zgjedhjeve…Vetë i bëmë pyetjet, vetë dhe përgjigjet. Mos e beso, po deshe! Fillojmë pa humbur kohë:

– A do të shkoni në votime? – Përgjigjja; mos na çaj trapin.

– I njihni kandidatët që garojnë?- Përgjigjja; ëhë.

– Cili nga slloganet ju pëlqen më shumë?

Këtu u ndanë preferencat. Disa nga burrat donin slloganin “Kemi, s’kemi në Europë do vemi”. Ca të tjerë e terezisnin ndryshe këtë; “Kemi, s’kemi nga një dopio ta hedhim…”. Kurse gratë votuan slloganin; “Ne e bëjmë më mirë, se e bëjmë ndryshe”. (Kushedi ku u shkonte mendja! Mbase atje u rreh “çekani”…).

– I njihni programet elektorale? – Përgjigjja; “nnxëëq”…

– A ngjajnë premtimet me gënjeshtrat? – Përgjigjja: Fiks fare or ti, si dy pika raki…

– Qëndron krahasimi kur thonë se “politika është kurvë?”. Përgjigjja: një pasthirmë e zgjatur; ooohuuuu. Ca shtonin “prostitutë sallonesh” që ua fut të gjithëve…

– A shkoni me gëzim në punë? – Përgjigjja; heshtje dhe “nxëëq”. Shumica thonë: “Shkojmë me gëzim në punë, po të ketë punë. Meqë punë s’ka, rrimë me gëzim në trotuar…”

– Kemi nevojë ne për Europën, apo ka nevojë Europa për ne? Përgjigjja ishte e prerë; Ore, ne jemi si ai, me nder…

Nuk po vazhdojmë më poshtë, se sondazhi filloi të vinte erë…Dhe pa e sosur kafenë, hynë në lokal ca çupërlinka me defter në dorë. U ulën në tavolinën tonë.

– Ne punojmë për sondazhet. A mund të bëjmë ca pyetje?

– Mos e zgjat, e ke gati,- ia prita unë dhe i zgjata letrën që katranosëm.

– Na paguani këto mut kafe, se edhe përgjigjet gati i ke,- shtoi Selimi që kishte radhën për të paguar kafetë.

Në darkë, duke parë debatet në televizor, u shkriva nga brinjët. Plasi gallatë. Sondazhi ynë zuri vendin e parë nëpër ekrane. Hajde sondazhe, hajde! Dalkan “më të sakta” këto që katranosim ne nëpër mejhane.

Ja kështu, që thoni ju! Doni të dini kush fiton? Lexoni “sondazhin” tonë!