Ismail H. Xhaferri: Ngrihuni dëshmorë një çikë…!

683
Sigal

Ngrihuni dëshmorë një çikë,

Mos u ndjeni si të huaj!

Ngrihuni t’ju numërojmë,

S’dimë sa është numri juaj!

 

Ngrihuni dëshmorë një çikë

Ngrihuni trima me fletë!

Tani do t’ju numërojnë

S’jeni mijë njëzetetetë!

 

Ngrihuni dëshmorë një çikë

Ngrihuni trima me fletë!

Që të bindemi sa jeni

Do t’ju numërojmë vetë.

Ngrihuni dëshmorë një çikë

Të ndeshemi si në ring!

70 vite ju gënjyet

Ndaj do t’ju bëjmë veting!

 

Ngrihuni dëshmorë një çikë

Me ju jemi zemëruar

Ngrihuni të na tregoni

Vendet ku keni luftuar!

 

Ngrihuni dëshmorë një çikë,

Ngrihuni si dritë rrufeje,

Armët që hodhët mbi supe,

Juve i kishit pa leje.

 

Ngrihuni dëshmorë një çikë,

S’ka më kohëra heroike,

Kur luftuat me pushtuesin,

Prishet qetësinë publike.

 

Ngrihuni dëshmorë një çikë,

S’ka më histori të vjetër,

Duam emrat e gjermanëve

Që çuat në botën tjetër!

 

Ngrihuni dëshmorë një çikë,

Se juve na bëtë hatanë,

Përse dolët nëpër male,

Përse qëlluat mbi gjermanë?!

 

Ngrihuni dëshmorë një çikë,

Ju trimat e maleve!

Se i vutë pushkën gjermanit,

Ndaj s’na qasin në BE,

 

Ngrihuni dëshmorë një çikë,

Tani erdhi koha jonë!

Me shollët që hidh inglizi,

Juve bënit korrupsion.

 

Ngrihuni dëshmorë një çikë,

Dhe shtrëngoni zemrekun!

Gjermani erdhi si mik,

Po juve i vutë dyfekun.

 

Ngrihuni dëshmorë një çikë,

S’ka ç’t’iu duhet istikami,

Dhe Borova u dogj vetë,

Kot thonë, e dogji gjermani!

 

Ngrihuni dëshmorë një çikë,

Jo ngadalë,por turravrap,

Asnjë fshat s’dogji gjermani,

Binte zjarr, se ishte vapë!

 

Ngrihuni dëshmorë një çikë,

Inati me ju na hipi,

Qindra që vdiqën në luftë,

U erdhi vdekja nga gripi.

 

Ngrihuni dëshmorë një çikë,

Qëndroni këtu me ne!

Të na jepni llogari

Pse dhatë jetën për atdhe?!

 

Ngrihuni dëshmorë një çikë,

Që u vratë për këtë vend,

Ngrihuni që të dëgjoni,

Po lehin, për ju si qentë!