Prof. Dr. Klara Kodra: Arta Kokalari, mbesa e Musine Kokalarit ka qenë shtysa e botimeve të mia

696
Sigal

Nuk mburrem për ndonjë trimëri të veçantë. Jam treguar e matur, veç nuk më ka munguar guximi krijues, intelektual, për të shprehur mendimet e mia në mënyrë eksplicite, qoftë dhe për veprat me probleme të mprehta ideore dhe estetike

– Jeni  një studiuese dhe shkrimtare  që ka jetuar në dy periudha, në  diktaturë  dhe në demokraci, çfarë mund të na thoni për këtë?

– E,  ç’të them? Në atë kohë gjithë krijuesit  kishin  një shpatë  Demokleu  mbi kokë, censurën, që për më tepër ishte e padukshme. Zyrtarisht nuk ekzistonte, po në të vërtetë ekzistonte  që ç’ke me të. Për shkak të saj më janë  cunguar disa vëllime me poezi dhe disa  të tjera  nuk kanë  parë dritë. Tani ka  më tepër liri  në dukje, po kjo liri është relative. Tani  vepron ekonomia e tregut. Dikur na financonte shteti, po duhet të respektonim rregullat e tij.

 – Kur  keni filluar  të shkruani?

Që fëmijë. Në atë kohë më dukej  si lodër; kam  qenë  fëmijë e parakohshme dhe që gjashtë vjeç shkruaja përralla dhe vjersha në fillim në disa  copëra letrash, pastaj  në fletore. Prindërit e  mi nuk e merrnin seriozisht prirjen  time.

 Nuk  ju kanë  inkurajuar?

Nuk më kanë  penguar. Pastaj jam rritur  në një  mjedis letrar,  të paktën  nga ana e mamasë që ishte italiane, ishte  kritike,  përkthyese dhe poete. Babai ishte mësues fizkulture, i dashuruar  me sportin, po  as ai  nuk  më ka  penguar të merrem me letërsi. Madje,  më kujtohet  një  rast kur  në moshën  nëntë vjeçe, si  fëmijë që isha, thashë që do të  shkruaja  një roman policor dhe  babai tha: “Roman policor?! Jo,  ti duhet të shkruash  gjëra  më të mira!” sepse  edhe ai  kishte  paragjykime  për zhanret “e ulëta” dhe “të  larta” që  në të  vërtetë nuk i pengojnë  shkrimtarët. Prindërit  prisnin nga unë  që të bëja  diçka  të bukur,  po nuk ishin të sigurt se do ta  bëja  në fushën e letërsisë. Më vonë mamaja,  kur e pa që nuk hiqja  dorë nga  të  shkruarit, më  këshilloi të botoja. Isha  vetëm  dymbëdhjetë vjeçe.

 Kur botuat për herë të parë?

Një vit më vonë.  Merita s’ka qenë e imja, po e shoqes sime të ngushtë që  çoi  pa lejen  time një fletore me vjershat e mia në  redaksinë e revistës “Nëntorit”.  Ajo ishte dy vjet  më e madhe se unë, po ishim në një klasë se unë  kisha kapërcyer  dy vjet  në shkollën fillore. Ishte Arta Kokalari, mbesa e Musine Kokalarit. Në atë  kohë isha në klasën e dytë të gjimnazit. Më  botuan  katër vjersha  në rubrikën “Miq të rinj”. Ç’është  e vërteta, redaktorët u  treguan  dashamirës, megjithatë,  nuk e harruan  aspektin  ideologjik, u shqetësuan  për ndonjë simbol  që mund të  keqkuptohej dhe që  mund të  vinte në dyshim  punët e partisë  me njerëzit. Ka qenë  një krahasim  midis luleshqerrës që  sfidon  stuhitë dhe  trëndafilave që rriten  në serë. Më kujtohet  se si  redaktori  më pyeti: “Partia  a  s’kujdeset  njësoj  për të gjithë?”  Mua s’më kishte vajtur  mendja për atë  ide, thjesht  doja  të himnizoja  thjeshtësinë  apo forcën  shpirtërore për  t’u ndeshur  me problemet e jetës.  Ja, kjo ishte  ndeshja ime e parë  me censurën, ndonëse  s’e  kuptoja. M’i shkurtuan  pak vjershat dhe i botuan.

 Kur botuat librin  tuaj të parë?

Më 1968. Në kohën e revolucionarizimit,  prandaj  vëllimi më doli i cunguar, më hoqën  shumë vjersha që  i quanin  si tepër  intime dhe  melankolike. Edhe  titullin  që kishte qenë  “Shkëndija  rinie” ma  bënë  “Era e revolucionit”, sipas  titullit të një poeme.

 Po më vonë?

Më vonë  botova  tri vëllime  të tjera me vjersha  “Buzëqeshje” (1970), “Ne rendim” (1974), “Bisedë me vëllezërit” (1984) po në luftë  të rreptë  me redaktorët, të  cilët  – duket  e pabesueshme –  po arrinin gjer aty sa thoshin se  edhe “puthjet  duhet  të  mbajnë  erë benzinë”.

 T’i kthehemi  veprimtarisë suaj si studiuese. Kur e filluat ?

Shumë herët,  në moshën  njëzet  vjeçe  kur më  morën  nga bankat  e Fakultetit Histori-Filologji në Institutin e Gjuhësisë  dhe Letërsisë. Pata  fat  se më morën  aty  në saje  të  temës sime  të diplomës për Zef  Seremben dhe  të dashamirësisë së  udhëheqësit tim, profesor  Ziaudin  Kodrës.  Për fat të keq, ai vdiq  kur sapo  kisha filluar  punën në Institut. S’e  kisha pasur ndërmend  të bëhesha studiuesi, megjithëse e kisha  mamanë kritike letrare. E kam pasur  peng  se ajo  nuk pa as suksesin e temës sime të  parë  studimore për  Seremben  kur  isha studente dhe  fitova një  çmim, as suksesin  e temës  së diplomës, as  fillimet e  mia  në Institut. Kur  fillova  punë babai im  qau nga  gëzimi dhe tha: “Sikur  të ishte gjallë  mamaja!”

 Po censura  ideologjike  ju  pengoi në studime ?

Relativisht. Në kohën  e diktaturës  kam botuar dy monografi  për  Zef Seremben  dhe De Radën që janë shkruar  në bazë  të  metodës  sociologjike  marksiste,  e vetmja  që  pranohej atëherë, po  këto vepra  s’do t’i  mohoja  as sot,  vetëm  se do t’i  thelloja dhe t’i pasuroja. U mundova  të mos  bija në  sociologjizëm  vulgar  dhe futa  fshehurazi  në ato  vepra elemente  të  impresionizmit, analizës  tekstuale, madje  edhe të  kritikës  psikanalitike, po  veç, e përsërit, në  mënyrë  klandestine se ato  metoda  zyrtarisht  dënoheshin.

Në periudhën  e pasdiktaturës  kam  botuar  tri monografi  të tjera  për letërsinë  arbëreshe “Tipologjia e poemës  arbëreshe” (2001), “Dramaturgjia  e arbëreshëve të  Italisë” (2004) dhe tani  së  fundmi  më 2011, një  monografi  për Jul Varibobën dhe një vëllim me studime  për  letërsinë e Rilindjes që  ma botoi  Shtëpia Botuese Uegen, madje  edhe një studim  të krahasuar  për letërsinë për  fëmijë te  Shtëpia Botuese «Elite».

Bëtë një hop krijues në  periudhën e dytë?

S’e them dot një gjë  të tillë. Thellova ato  elemente që  ishin të fshehta, thellova analizën e formës. Nuk  u shkëputa  nga analiza sipas  metodës  sociologjike se mendoj që edhe  ajo ka shumë  mundësi. Do të isha  për  një kombinim të metodave, po duhet  pasur  kujdes nga eklektizmi. Mendoj  se e keqja  nuk qëndronte  te metoda, po te  ndërhyrja e partisë – shtet. Tani i  akuzojnë  studiuesit që kanë shkruar  në diktaturë se kanë dëmtuar  shkencën  letrare, kanë  helmuar  rininë e gjëra të tilla.

Ç’është e vërteta, hartën e letërsisë  e ka varfëruar  mjaft  mungesa  e shkrimtarëve  të  mohuar për  arsye ideologjike. Në atë kohë  ishte e  pamundur t’i mbroje, po për vete, të  paktën nuk i kam sharë, as Fishtën, as Koliqin,  as Skiroin, madje  në ndonjë  periudhë  liberale  jam  munduar të them  ndonjë fjalë  të mirë  për ta.  Bie  fjala,  kur fillova punë në institut po bëhej  gati  vëllimi i  tretë  i Historisë së Letërsisë Shqipe që ishte  mjaft objektiv  nga ana shkencore dhe përfshinte  kapituj për Fishtën  dhe për Konicën.  Më kujtohet se kisha  sugjeruar  të zgjerohej  kapitulli për Fishtën, po shumë  shpejt  periudhën  liberale  e zëvendësoi  “revolucionarizimi” dhe  vëllimi  që po bëhej  gati u  bë  karton.  S’mburrem për  ndonjë trimëri të veçantë, por jam treguar e matur, por nuk më ka munguar guximi krijues, të thosha mendimin tim për ndonjë krijim me probleme ideore, revizioniste, siç ishte rasti për poemën «Dielli dhe rrëketë» të poetit F.Haliti. Në artikullin tim“Probleme ideore dhe estetike të poezisë së të rinjve” (Drita 28 janar 1973 )thosha në mënyrë eksplicite se … Poezia e F. Halitit është poezi e problematikës së mprehtë të trajtuar në detaje konkrete e formë sintetike”. 

Tani ka një mendim  që studiuesit që  kanë botuar  në diktaturë  s’duhet  të marrin pjesë  në  Historinë e  re te  Letërsisë, ç’mendoni Ju ?

Nuk jam dakord.  Duket sikur  mbroj brezin  tim dhe veten time, po gjërat  duhen  parë në kushte të caktuara historike. Shumë nga  ne dhanë  më të mirën  e vet  për sa ishte e mundur. Do  t’i kritikoja  vetëm  ata që kanë  mbrojtur  teza qartësisht të gabuara nga ana shkencore për të treguar  militantizmin e tyre dhe  kanë  sulmuar  pa të drejtë  edhe  në rrafsh  estetik, ta  zëmë, Fishtën a kanë  keqkuptuar  me qëllim  Mjedën a Migjenin a ndonjë  tjetër  të shkrimtarëve të  pranuar.

Disa prej tyre  kanë bërë  autokritikë, disa jo. Po jam e mendimit se brezi i vjetër i studiuesve të letërsisë  duhet të  bashkëpunojë me brezin e ri, duhet  të shkëmbejnë  përvojë.

 Cilat janë  planet tuaja krijuese?

Kam  dy monografi në dorë, një  për Santorin poet dhe romancier që njihet  më pak  se Santori dramaturg  dhe një tjetër  për motivet  biblike  në letërsinë  shqiptare. Kam në plan edhe një studim për Migjenin që shihet  në dritë të re  dhe një vëllim  artikujsh kritikë për shkencën letrare  (kritika e kritikës po zhvillohet shumë  pak).  Dua të  botoj  edhe një vëllim  me artikuj  për letërsinë bashkëkohore “Letërsia  e  shkrirjes së akujve”. Po bëj gati edhe një vëllim me  poezi  lirike  dhe disa vëllime  me vjersha  dhe prozë  për fëmijë midis të cilëve  edhe një vëllim  me tregime  “Tregimet e maçokut laraman” që  ma pengoi censura  e kohës së diktaturës si nxirës së realitetit. Kam në plan  edhe  disa romane,  një trilogji për rininë, një  roman që i kushtohet një zbulimi të supozuar  në fushën e  letërsisë arbëreshe  dhe  një tjetër për  De Radën. Dua të botoj  edhe një  novelë  që s’e  botova  dot gjer  tani  për problemet e familjes “Do ta  kem vajzën  time” ku janë në qendër  një njerkë  dhe vajza e gjetur  që kërkojnë  të arrijnë  mirëkuptimin.

 Kohët e fundit jeni marrë edhe me përkthime…

Është e   vërtetë. Kam ndjekur  rrugën e mamasë. Kam përkthyer  nga italishtja  në shqip  vëllime  të Kroçes, Leopardit,  Injacio Silones, Tomaze Landolfit dhe  vëllime të shkrimtarëve  bashkëkohës nga shqipja  në italisht. Kam në dorë  përkthimin e romanit të Pirandelos “Burri i saj” për  Shtëpinë Botuese Erik. Kam në proces përkthimi vëllimin me tregime po aq origjinale sa dhe poezia e tij, të poetit  Faslli Haliti, një libër poetik të poetit të ri të talentuar Miltiadh Davidhi, si dhe disa libra me poezi të  poeteshave,  midis të cilave  të poeteshës  origjinale të dashurisë Fatime Kullit që  do t’i jap për botim në italisht.

 Shumë projekte … Ju uroj t’i realizoni.

Faleminderit!

 

Albert Z. ZHOLI