Esmeralda Proko: Femra shqiptare ka dy modele, më të mirat në botë, Mbretëreshën Teuta dhe Nënë Terezën

737
Sigal

PERSONAZH/ Flet make-up artistja dhe poetja, Esmeralda Proko: Më pëlqen shprehja ” Qentë le të lehin, karvani të shkojë përpara” …

Ruan kujtimet më të mrekullueshme nga fëmijëria. Rritur në një qytet shumë të vogël por me një botë të madhe brenda komunikimit të qytetëruar si ai i Këlcyrës. Që nga fillimet e kujtesës, në periudhën parashkollore e deri në vitin që u largua (në adoleshencën e saj) shoqëria që ka pasur ka qenë si një mbështjellje e artë plot bulëza çiltërsie e humori (thekson ajo) . Mësuesit të gjithë pa përjashtim i ka dashur, i ka dëgjuar e respektuar dhe edhe sot i përulet punës se tyre të mrekullueshme ku në mes kërkesës së llogarisë shpesh ka ndjerë një shqetësim të sinqertë prindëror për cilindo nxënës, gjë që nuk e gjen tek mësuesit e sotshëm që mësojnë fëmijët e saj. Veçon këtu mësuesen e klasës së pare  që zë edhe vendin e pare në zemrën e saj, mësuese Fitreten. Mban mënd që ishin një grup i mirë me nxënës që kishin rezultate të shkëlqyera në shoqërinë ku bënte pjesë, por asnjëherë nuk mban mend të ketë pasur ndonjë xhelozi apo elementë smire midis tyre. Dilnin shpesh pasditeve në grup …në periudhën që jepej filmi “Të rinjtë e trotuareve” gjenin njëfarë ngjashmërie dhe nganjëherë edhe përcaktonin personazhet përkatëse për secilin…  Vite shumë të bukura, thekson ajo ..

 -Kur je ndjerë më keq në shkollë?

Duke qenë se kam qenë një nxënëse e mirë, nuk mund të isha rehat me idenë që të shkoja e pa përgatitur në mësim. Kam pasur një situatë shumë të sikletshme kur u ktheva nga një periudhë disa ditore qe pata munguar për arsye se merrja pjesë në një konkurs bukurie dhe mësuesi i Historisë më ngriti në mësim. U ngrita përpara klasës dhe ajo pjesa që duhej të përshkoja me hapa nga banka deri tek dërrasa e zezë më është dukur si tabani i ndonjë anijeje që lëkundet fuqishëm, enkas për të të rrëzuar…

 -Ke recituar ndonjë poezi për Enver Hoxhën dhe çfarë vlerësimi ke marrë?

 Kam marrë pjesë në të gjitha pasditet letrare që organizonte shkolla dhe sigurisht kam recituar poezi që glorifikonin sistemin e atëhershëm. Enkas për Enver Hoxhën nuk po më vjen ndër mend ndonjë që mund të kem recituar, por dua të sjell një moment shumë kritik, pikërisht në periudhën e lëvizjeve studentore te Dhjetorit 1990, një mëngjes të ftohtë na mblodhën ne, nxënësit më të dalluar të klasave të 7-a dhe të 8-a dhe në sallën e mësuesve na u dha një temë për hartim, ku mësuam edhe se hartimi më i mirë do të shkonte në një si tip konkursi të cilin e inkurajonte Ministria e Arsimit nga Tirana. Tema ishte : “Qentë le të lehin, karvani të shkojë përpara” … (Sa komike aq edhe tragjike për të qenë një temë hartimi). Edhe pse fillimisht mu duk e pakapërcyeshme ajo temë, ja dola me një hartim shembullor, dhe shpesh mendoj se aty ka qenë prova ime e parë për te shkruar diçka që nuk më përkiste por thjesht më duhej të përdorja fantazinë time për t’i dhënë bukuri artistike një ideje që nuk e ndieja të vërtetë.

  -Si i përjetove ditët e para të ardhjes së demokracisë në familje? Sa vjeçe ishe dhe si diskutohej në familjen tuaj, rënia e  përmendores së Enver Hoxhës?

Kisha pak muaj që kisha filluar klasën e tetë kur filluan lëvizjet studentore në dhjetor të 90-ës.  Fryma e ndryshimit në fakt kishte filluar që me hyrjen dhe më pas ikjen e një pjese të mirë të njerëzve ne ambasada,( atyre zogjve më të parë që sollën ndryshimin e madh) dhe rehatimi i tyre në një botë shumë më me ngjyra se ajo në të cilën jetonim ne, kish arritur të përmendej edhe në Këlcyrën ku unë po rritesha. Në familjen time e ndjeja qëndrimin pro ndryshimit edhe pse prindërit ishin të kujdesshëm në ato që thoshin. Fëmija gjithmonë e ndjen atë që do prindi. Rënia e përmendores pati një veti tërmeti, ku ballët sa më larg qendrës, e zbusnin intensitetin.

 -Ju jeni një femër që jeni dashuruar me shikimin e parë. Si është kjo dashuri rrufe?

 Është e vërtetë, unë dhe im shoq kemi pasur një “goditje rrufe” apo siç njihet ndryshe “dashuri me shikim të parë”. Kam dëgjuar dhe lexuar shumë të thonë se nuk besojnë në të. Më vjen keq për ta sepse ajo ekziston dhe është si një magji që preket. Është sikur planetin Tokë ku ke bërë pjesë që nga momenti i lindjes, papritur e pa kujtuar e tërheq një Diell i ri, dhe trajektorja ndryshon për të krijuar rrotullimin më magjik, më te shpejtë, më të ndritur, dhe mbi të gjitha më të dëshiruar rreth këtij Dielli me besimin e plotë se nuk do të duash kurrë të ndalosh. Deri këtu mund të duket si gjithë dashuritë e tjera, të cilat krijohen me kalimin e kohës kur një njeri e njeh dhe ngadalë zhvillon një ndjenjë të re për të. Sekreti  i Goditjes Rrufe është se dy njerëz arrijnë të dashurohen shumë fort edhe pa e njohur njëri-tjetrin më parë. Mendoj dhe besoj se fati i njerëzve është i ditur që me lindjen e tyre. Kur dy njerëz janë lindur për të qenë me njëri-tjetrin, ata do te jenë me çdo mënyrë pjesë e këtij fati dhe mendoj se dashuria me shikim te parë ka të bëjë me fatin e tyre ..

 -Si ishte dita e parë në Kanada? Ku shkuat, si u ambientove, ku lëvize, çfarë pe në qytetin e lëvizjes?

Të parën përshtypje ma dha vapa dhe zagushia kur dolëm nga aeroporti Dorval i Montrealit atë pasdite të 31 Majit 1998. Mendoja se do gjendesha në një vend te ftohtë, madje edhe ato pak bagazhe që kishim sjellë me vete nga Franca (ku kishim jetuar deri atëherë) i kishim mbushur me rroba të trasha.. Për disa ditë  në vijim qëndruam tek një mik i tim shoqi i cili bashkë me të shoqen na pritën mrekullisht mirë. Përballja me theksin e frëngjishtes kebekase ishte një përvojë më vete, por që nuk më dha problem përveç se fare pak javë. Ambientimi ishte fare i kollajtë për faktin se kishim ardhur në stinën më të bukur, ku menduam së në atë gjelbërim të parajstë ishte e pamundur të kish vend për një dimër të acartë siç kishim dëgjuar për Kanadanë. Gjithsesi e kuptuam vërtetësinë mbi dimrin Kanadez disa muaj më vonë, kur temperaturat – 30 , -40 shënoheshin në termometër.

Rrugët shumë më të gjera se në Europë më bënë përshtypje, por edhe hapësira shumë e madhe që zinte një qytet. Një tjetër mbresë shumë të mirë më ka lënë populli kebekas (frankofonët) të cilët nuk kishin shtirjen dhe servilizmin e francezëve, por ishin shumë të afrueshëm e të gjindshëm në momente nevoje .

– Si vullnetare në qytetin e Montrealit për t’u gjendur në ndihmë të motrave dhe vëllezërve të Kosovës që vinin nga lufta, çfarë ruan në kujtesë? Si vinin, ku i adresonin, sa vetë ishin, si ishin lidhjet tuaja? Çfarë u bë më vonë me ta kur Kosova u çlirua?

Mbaj mënd shqetësimin me të cilin familja ime dhe miqtë tanë shqiptarë ndiqnim lajmet përgjatë ditëve të luftës në Kosovë. Unë personalisht i përjetoja sikur t’i kishin ndodhur të afërmve të mi ato padrejtësi e tragjedi. Pasi mësuam se Kanadaja kish marre një numër të konsiderueshëm emigrantësh shqiptarë nga Kosova për t’i strehuar, unë ofrova ndihmën time pranë zyrës së njërit nga avokatët më të mirë të emigracionit në Montreal, për të punuar vullnetarisht, pa asnjë pagesë , në ndihmë të bashkatdhetarëve tanë në ato momente kritike. Ata u sistemuan në një kohë rekord dhe mbaj mënd që Ministri i Emigracionit të Kanadasë asokohe u interesua personalisht enkas për rehatimin sa më të shpejtë të këtyre emigrantëve. Unë e desha Kanadanë me shpirt në ato kohë për mënyrën sesi organizoi gjithçka në favor të atyre njerëzve që vinin, shpesh me kokën pas për të mësuar mbi fatin e atyre që kishin lënë mbrapa, atje, në tokën e tyre, e me gjokset plagë që rridhnin lot për të tjerët qe kishin humbur në përpjekje me shkjaun. Netëve do ta kisha të vështirë të flija pasi kisha dëgjuar dëshmitë e atdhetarëve të mi që kishin përjetuar ferrin për të vetmen arsye se ishin zot të tokave të tyre. Njoha shumë gra që më falënderonin ndërsa iu plotësoja formularët ndër të cilët nëpër kuadrate mbushës me vetëm disa x-a nëpër të, përmblidheshin të dhënat fillestare… por edhe themelet e një jete të re… Njëra prej tyre mbaj mënd më gjeti kur linda time bijë në gusht te 99-ës dhe më erdhi për vizitë në spital duke më bërë jo vetëm një surprizë të mrekullueshme me ardhjen e saj, por duke më dhënë rastin ta provoja edhe unë atë kënaqësinë e bukur që të jep ndeshja  me  një bashkë atdhetare në një vend të huaj kur të është tharë buza të flasësh në gjuhën e nënës. Ata u integruan të gjithë pothuajse në jetën e re. Fëmijët vazhduan shkollat. Mbaj mënd kur jetoja ne Toronto në një pallat ku kishim komshinj  shumë shqiptarë te Kosovës, vajzat e tyre ishin me rezultate te shkëlqyera.  Kishte nga ato qe shteti i paguante universitetin pasi ishin nxënëse ekselente. Kur rastis që i takoj herë pas here shoh sesi kanë bërë karriere ne drejtimet më të ndryshme dhe është vërtet bukur të shohësh sesi ato  vajzat e ndrojtura të vogla asokohe janë bërë zonjusha e zonja e nëna te mrekullueshme përkrah anës profesionale që kanë zgjedhur.

  – A ke ndjerë racizmin në Kanada? Cila është dita më e vështirë aty?

Fjala racizëm e ka mundësinë zero për të qëndruar pranë fjalës Kanada. Jo! Nuk ka racizëm dhe çdo individ ka të njëjtat mundësi për të qenë maksimumi i asaj qe mund të jetë ne jetë. Dita më e vështirë do të doja të thosha që është dita më e ftohtë e vitit .. por jo, nuk është ajo.. Dita më e vështirë është kur mësoj se njëri nga prindërit nuk është mirë me shëndet dhe pikërisht aty e ndjej se sa larg jam ne distancë me ta për të shkuar t’u bëj një çaj e për t’u kujdesur siç ja do zemra një bije..

 -Cila është poezia e parë që ke botuar?

 Të parën poezi e kam botuar ne gazetën Malëshova ne vjeshtë të vitit 2008. Ishte një vjershë kushtuar tezes sime që u nda nga jeta dhe që unë e doja shumë.. Më pas kam vijuar të postoj disa poezi në po këtë gazetë.

 -Kujt ja kushton librin e parë me poezi?

Tre fëmijëve të mi.

 – Pse ëndrra juaj ishte gazetaria?

Sepse gjithmonë kam pasur shumë dëshirë të shkruaj mbi ngjarje të ndryshme, të deshifroj një mendim për ta paraqitur në lexues dhe për te parë se sa mund të diskutohet mbi atë mendim..

  – A të merr malli për atdheun?

Malli për atdheun më ka marrë posa jam ngjitur drejt reve për t’iu larguar atij në dhjetor të 94-ës. Ndërkohë qe duhej të zgjatesha për të parë atë që shumë e ëndërrojnë, atë “botën e jashtme”, unë ktheva kokën për të parë malet shqiptare dhe pyeta veten se kur do t’i shoh serish..  Malet e Shqipërisë  më kanë marrë në një botë të largët sa herë i kam parë me vëmendje. E gjeta veten shumë shpejt të shkruaja për mallin që ndjeja.. Më dukej sikur kisha qenë pranë Naimit kur ai kish shkruar “Bagëti e Bujqësia” e sikur mallit të tij i kisha shuar etjen me lotët e mallit tim. Pikërisht me burimin tek ai mall do të vargëzoja e të formoja poezi, disa prej të cilave gjenden edhe ne botimin “Sa larg, sa pranë”. Për herë të parë pas largimit nga mëmëdheu jam kthyer aty pas 9 vjetësh, periudhë kjo që më ka munduar shumë në drejtimin nostalgjik. Jam përpjekur që Atdheun tim ta mbjell në gjoksin e fëmijëve të mi pasi që ata më janë gjëja më e shtrenjtë. Jam e lumtur që edhe ata e duan shume Shqipërinë.

– Cili është mendimi për femrën shqiptare sot, a e ka gjetur veten? A është shoqëria shqiptare maskiliste?

 Femra shqiptare ka dy modele, më të mirat në botë për të qenë vetvetja dhe njëkohësisht të suksesshme: Mbretëreshën Teuta dhe Nënë Tereza. Mendoj plotësisht që Po, femra shqiptare e ka gjetur veten. Ajo është e përfshirë në të gjitha fushat e jetës, si brenda territorit të Shqipërisë, ashtu edhe jashtë tij. Shoqëria shqiptare, pavarësisht paragjykimeve, nuk mendoj se është maskiliste.

 Albert Z. ZHOLI