Marsias Lila: Sot nuk e ndiejmë dorën e ngrohtë të aktorëve të vjetër

716
Sigal

PERSONAZH/ Flet aktori Marsias Lila: -“Performanca” një dramë që flet në emër të lirisë

Me origjinë nga Tepelena por që prej vitit 2002 jeton në Tiranë . Mbaroi studimet për aktrim në vitet 2002-2006. Monodrama “Performanca” e cila u vu në skenën e Teatrit Metropolit për dy net në sallën Shekspir, ka pasur një impakt për publikun. Komentet janë nga më të ndryshmet, pasi aty çdo njeri ka gjetur veten e vet. Drama përshkruan temën e lirisë, demokracisë, ekzistencializmin e njeriut në shekullin e 21-të, dimensionet e lirisë së njeriut

 Regjia Edlira Baholli, autor Odise Kote, skenograf, Beqo Nana, muzika Florian Hoxha, dhe producent Marsias Lila

 Ku ishte vështirësia në realizimin e kësaj monodrame?

Vështirësia e parë ishte gjetja e sallës, e ambientit për shfaqje. Duhet të trokasësh gjithkund për sallë, kur shikon që në sallat tona shfaqen edhe drama apo komedi pa atë nivel që kërkohet. Pra vërehet se antivlera po mbyt vlerën. Kjo ndodh në shumë kategori sociale qoftë dhe në institucione arti. Vështirësia e dytë është buxheti, financimi, pasi kjo ishte një iniciativë e lirë e jona si grup. Jetojmë në një sistem ku iniciativa e lirë mbetet primare dhe pse arti i kalon kufijtë e vetvetes dhe ka karakter edukues mbarë botëror.

 D.m.th teatri dhe aktorët s’po e gjejnë vetveten?

Di të them se për ne të rinjtë është shumë e vështirë të çash. Nuk po gjejmë atë dorë të ngrohtë nga të vjetrit. Ende për ne hapësirat janë shumë larg. Në TK, të rinjtë janë fare të pakët, por nga ana tjetër shohim se në këto institucione të rëndësishme të artit futen si pjesëtarë të trupës aktorë që herë i përkasin një bindje politike, herë një tjetre. Drejtuesit e këtyre institucioneve shikojnë brenda kornizave partiake. Ky është mendimi im.

 Çfarë do të thotë kjo?

Është fare e qartë. Nuk ka një konkurrencë reale. Pra afrimi pranë këtyre trupave bëhet me njohje, bindje politike, kjo është dominonte. Politika ndikon dhe në emërime. Krijohen qarqe të shkurtra. Sot politika ka hyrë dhe brenda në familje. Po çahen familje për bindje politike. Janë ndarë fise për vite që nuk flasin. Kështu bëhet kur politika vihet në plan të parë . Ne duhet të heqim dorë nga kjo mendësi, pasi sot nuk flet as vëllai me motrën për bindje politike.

 Ku e sheh veten më mirë Marsiasi, në dramë apo në komedi?

Unë veten e gjej më shumë në dramë. Por disa herë komedia gjendet edhe brenda dramës, gjatë interpretimit dhe gjetjes së detajeve. Në disa drama ka probleme sociale që spektatori i sheh si hallin e vet, si pjesë e problematikë së tij të përditshme. Halli im, në rol, në fakt përbën hallin e dikujt në sallë që ai shpërthen në të qeshura.

 Përse në Shqipëri vihen më shumë drama të huaja se shqiptare?

Sepse në kësi rastesh, regjisorët e kanë më të lehtë plagjiaturën, e kanë më të lehtë strukturën, pasi e kanë atë të gatshme dhe lodhen shumë më pak dhe nuk vënë në funksion idenë, mendimin, njohuritë e tyre.

 Kush e ka më të vështirë sot të çajë në teatër, një femër apo një mashkull?

Mund të them se nuk ka përcaktim, nuk shoh asnjë preferencë gjinie por partie. Pra të dyja kategoritë e kanë të vështirë të gjejnë punë jashtë preferencave të bindjeve politike.

 Cili është mesazhi kryesor i dramës “Performaca” që ju vutë në skenë në teatrin “Metropol”?

Mesazhi i kësaj vepre është lidhja me problematikat e kohës dhe liria e njeriut. Së pari rëndësi në vepër i është dhënë përmbajtjes, por më tej edhe formës. Të dyja këto elementë të alternohen dhe kështu çdo njeri mund të gjejë mrekullinë e jetë s. Pra liria fitohet me dituri, arsim, me punë me mos nënshtrim, me art.

 Ju e zhvendosët shfaqjen menjëherë në Ferizaj? Pse drejt Kosovë s?

Ndoshta Kosova si shtet i ri ka më shumë nevojë për art, për drama njerëzore. Ata ende si popull janë më idealist, pasi bënë një luftë heroike në shekullin e XXI. Kosovarët janë të dashuruar me artin dhe mund të them se ka shumë aktivitete të ndryshme të tilla që ata i ofrojnë me shumë dëshirë. Aty gjen një shtrat të ngrohtë për artin në përgjithësi por sidomos për dramën në veçanti, pasi mbi trupin e tyre kanë kaluar drama të pabesueshme.

 Keni ndonjë peng në fillimet e para të karrierës suaj?

Pengu qëndron tek mos afrimi i brezit të vjetër. Mos gjetja e dorës së ngrohtë. Nuk e shohim dritën jeshile, ku të gjejmë veten tonë tek ata. Nuk po shikoj përpjekjet e tyre që ata të na futen në botën tonë, në dëshirat tonë , në ëndrrat tona. Ndoshta dhe se ata kanë vështirësitë e tyre që të ruajnë vendin e punës, sepse është fenomeni i zëvendësimit, ku gjithkush e sheh veten të rrezikuar.

 Po filmi shqiptar a ka hapësira për aktorët e rinj?

Besoj se hapësirat në film janë shumë më të pakta se në teatër, pasi filmi ka shumë shpenzime, prodhohen shumë pak filma dhe filmat nuk jepen drejtpërdrejt. Dhe pse kam marrë pjesë në disa filma mund të them se filmi shqiptar është në krizë. Aktualisht dihet se sa fila prodhon QKF dhe se si procedohet.

 A mund të jetosh sot me art?

Sot ne kemi shumë nevojë për artin. Arti është i përbotshëm. Në psikologjinë time, mënyra më e lehtë për të edukuar njeriun, për të afruar njerëzit me njeri-tjetrin, për të zbutur problemet e shoqërisë është arti. Por sot është e vështirë të jetosh me art. Sot arti ka bërë atë që Shqipëria të jetë krenare për artin, pasi ja ka ngritur lart emrin.

Albert Z. ZHOLI